Heroi i padukshëm i Shqipërisë gjatë kësaj pandemie

0
2

Nga Malik Hasa

‘Ishte koha e koronavirusit’… Me këtë shprehje do të nisin shumë lajme, do të shkruhen shumë analiza, libra, romane dhe novela. Do të tregohen histori për brezat e ardhshëm të cilat në shumicën e rasteve do të vlerësohen si interesante dhe herë-herë të pabesueshme.

Le të shënojmë edhe ne një footnot e cila të mund të mbetet në histori dhe që brezat e ardhshëm të mburren me të. Pa dyshim që mjekët janë ata që nuk do të harrohen kurrë nga kjo histori dhe për ta në fakt flitet mjaftueshëm. Unë këtë herë do të flas për diçka që edhe mbase është harruar në këto ditë të vështira që po kalon shoqëria jonë.

Imagjinoni një shtet që dëshiron të bëjë riatdhesime. Të bashkojë familjet dhe të shpëtojë ata të cilët kjo pandemi i gjeti të papërgatitur larg shtëpisë së tyre dhe pa asnjë mundësi. Një shtet që dëshiron ta bëjë këtë, por nuk mundet pasi nuk ka asnjë mundësi… Të gjithë shtetet mbyllën kufijtë, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme dhe menduan vetëm për veten… Njëlloj si të jemi në ditën e madhe të ringjalljes ku askush nuk mendon për askënd…

Pikërisht në këtë kohë pandemie një vendi të vogël dhe pa mundësi të shumta si Shqipëria i erdhi në ndihmë linja e saj ajrore me logon kuqezi dhe flamurin që e mban në supe me aq krenari: Air Albania. Kjo kompani, si një ndihmë e vyer e një miku të vjetër dhe besnik sikurse është Turqia, u ngrit me këmbënguljen e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe me punën dhe inatin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në fakt mund të themi se besnikëria turke dhe inati shqiptar nuk bëri gjë tjetër vetëm se i dha shqiptarëve një dhuratë shumë të çmuar, heroin e kohërave të vështira.

S’ka se si të jetë ndryshe të mos i japim vëmendjen e duhur kësaj vlere në histori. Nuk mund të parashikojmë të ardhmen, por shohim të tashmen. Nuk e dimë nëse kjo kompani do jetë apo jo e suksesshme, gjë të cilën e urojnë të gjithë shqiptarët, por një gjë dimë: Kjo linjë ajrore ka ngrohur zemrat e shumë familjeve shqiptare përmes riatdhesimeve të shumta. Fluturime të panumërta nga shumë vende të botës sollën shqiptarët pranë familjeve të tyre. Natyrisht që nuk mjafton pasi avionët me logon kuqezi në momentin më të vështirë sollën ndihmat mjekësore dhe pajisje të shumta që ndihmuan dhe ishin vendimtare në luftën kundër Covid-19.

Pa dyshim që ky vend do të kujtojë me dhimbje, shpresa, të mirat dhe të këqijat e saj këtë kohë të vështirë, por do të ketë mundësi edhe të mburret për një gjë që tashmë e ka të vetën, linjën ajrore Air Albania…

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here