Hetimi i kryeministrave për korrupsion, Berisha sfidon Ramën: Në ta mban, hajde miratojmë ligjin në Parlament

0

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka “sfiduar” kryeministrin Rama duke thënë se është i gatshëm të propozojë në parlament, vendimin që përjashton kryeministrat nga parashkrimi i veprës penale. Thirrja e Berishës ka ardhur dy herë ditën e djeshme, njëherë nga bashkëbisedimi me gazetarët në Tiranë dhe më pas gjatë takimit të tij në Elbasan, në kuadër të garës për kreun e PD.

Ai tha gjithashtu, se për ngërçin e krijuar për hapjen e negociatave nuk janë fajtore vendet e Evropës, por vetë kryeministri Rama.

Berisha paralajmëroi se do të ketë reagime të ashpra popullore nëse nuk bëhen hapa para në këtë proces.

“Evropa e koncepton Ballkanin e Hapur, ndaj krimit, ligjeve. Pra, Shqipëria ndodhet në një moment kritik. Kreu i narkoshtetit është i plagosur rëndë. I rrezikshëm. Ai mendon se do t’i japë vendit drejtim tjetër. Mos tento të spostosh në mënyrë absolute sepse do të përballesh me revoltë të fuqishme popullore. Misioni ynë është një dhe vetëm një: Integrimi në BE. Nuk kanë faj vendet e Evropës nëse ai sillet si gangster me gazetarët.

Nuk kanë përgjegjësi vendet e Evropës kur ai mban qëndrime si Kim Jong-un ndaj Drejtësisë për të hetuar kundërshtarët e tij. Në je burrë dhe ta mban hajde të kalojmë ligjin në Parlament të përjashtojmë kryeministrat nga çdo lloj parashkrimi. Urdhëro që nesër të kalojmë ligjin në Parlament, të ndryshojmë Kodin penal. Të vetmit që të përjashtojmë nga parashkrimi të jenë kryeministrat. Dhe s’duhet parashkruar.

Nuk e bën dot këtë se ka frikë dhe tmerr nga firmat e tij për të cilat thotë se nuk di ç’kam firmosur për të mbushur valixhet. Unë ftova kreun e qeverisë t’i përgjigjet thirrjes sime. Unë jam gati të firmos për këtë pa asnjë ekuivok. Pas qindra dhe mijëra kontrolleve nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje për të provuar shpifjet e tyre, tani thonë që koha kur kam qenë unë kryeministër është e parashkruar. Unë e kam deklaruar që nuk njoh parashkrim. Nëse do, unë jam gati nesër të votoj që parashkrimi të funksionojë, por jo për kryeministrat. Nuk mund të ketë parashkrim kur kryeministri bëhet kryetar i një organizate kriminale”, tha Berisha.

Nga Elbasani ai përsëriti thirrjen për kalimin në parlament të ligjit që përjashton kryeministrat nga çdo lloj parashkrimi.

“Ndaj unë i propozova sot Edi Ramës, hajde ta firmosim një ligj që ta heqim parashkrimin për kryeministrat. Burri burrit. Kjo nismë do të ecë. Kur kryeministri nuk qëndron nën ligjin, ligji hidhet në erë dhe për qytetarin nuk funksionon ligji. Ne si parti i kemi në dorë të gjithë mekanizmat për ta transfomuar, por kushti i kushtit është të bindim çdo shqiptar që interesi kombëtar është ylli ynë polar që do të na udhëheqë në çdo hap”, tha Berisha.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here