Humbën jetën në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit, katër rrugë në Tiranë marrin emrat e katër dëshmorëve të Policisë së Shtetit

0

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi pak ditë më parë emërtimin e 4 rrugëve të reja në kryeqytet me emrat e dëshmorëve Fatos Xhani, Kastriot Feska, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari që humbën jetën në 2009 në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit. Sot, në 109-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetot, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim të veçantë familjarët e tyre duke iu dorëzuar në mënyrë simbolike edhe një pllakatë me emërtimin rrugëve të reja.

Veliaj u shpreh se Tirana dhe gjithë Shqipëria është një vend edhe më i sigurt falë edhe kontributit të atyre që dhanë jetën për zbatimin e ligjit. “Një ditë mirënjohje për ata që shërbejnë sot me uniformën e policisë, për ata që kanë shërbyer dhe sidomos për ata që kanë rënë në krye të detyrës. Nëse shumë prej nesh japin energji dhe kohë, disa kanë dhënë jetën për këtë mision. Për katër dëshmorët e 7 gushtit të 2009-ës, ky qytet ka rezervuar një respekt të veçantë për t’i përjetësuar në emra rrugësh, në një kryqëzim në Njësinë Administrative numër 1. Katër heronj që në mëngjes puthën bashkëshortet dhe fëmijët për të shkuar në punë dhe nuk u kthyen më, në një betejë me krimin dhe një betejë me një Shqipëri që gjithmonë e më shumë duam ta lëmë pas, për një Shqipëri që gdhihet gjithmonë e më e sigurt, falë kontributit të tyre, dhe falë atyre që dhanë jetën”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se një dëshmor i Atdheut nuk do të jetë asnjëherë një statistikë. Ai siguroi për mbështetje dhe përkrahje të familjarëve të dëshmorëve të atdheut. “Për ne këtu në Tiranë, një dëshmor i Atdheut nuk është statistikë, është një hero. Një hero për ata që ishin gjallë, për ata që i mbajnë mend, por edhe një hero për ata që kanë lindur pas 2009-ës, për të kuptuar që në emrat e këtij qyteti, në emrat e rrugëve dhe të shkollave, vëmë njerëz që na bëjnë të ndihemi krenarë. Mezi pres edhe propozimet për Këshillin Bashkiak, që edhe ne të bëjmë tonën kur vjen puna per disa lehtësira, siç mund të jetë strehimi dhe punësimi, sidomos për familjet e atyre që janë dëshmorë të atdheut”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Tirana është një nga qytetet më të sigurta në Europë, çka tregohet qartë dhe në rritjen e vlerës së pronës së qytetarëve. “Mezi pres që të bëjmë më shumë bashkë, jo vetëm për policët që janë në detyrë. Sot kemi folur për disa projekte ku duam të jemi bashkëfinancues, edhe të një rrjeti të kamerave inteligjente që lexojnë targat, që parandalojnë shumë prej problematikave, edhe në qarkullimin me disa vendime që kemi marrë, edhe për qarkullimin e mjeteve të rënda siç janë betonierët apo kamionët”, tha Veliaj.

Ai shtoi se do të jetë gjithmonë avokat i të mirës së përbashkët. “Ky është një qytet më 1 milion banorë, do duhet të bashkëjetojmë. Nëse njerëzit do duhen të shkojnë në punë paradite, nëse fëmijët do duhet të shkojnë në shkollë, kamionët, betonieret dhe hekuri mund të punojnë edhe natën. Çdo ditë marrim vendime që ndoshta një shumicë e heshtur mezi i pret, por ndoshta një pakicë që mund të ketë media, që mund të këtë para, që mund të ketë akses në politikë, mundohet t’i zmbrapsë. Për sa kohë që i shërbejmë shumicës duhet të kemi ndërgjegje të pastër për vendimet e vështira që marrim për të ecur përpara, për të çuar këtë qytet sa më lart”, theksoi Veliaj.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, vlerësoi për bashkëpunimin Bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen e vazhdueshme. “Falënderojmë Këshillin Bashkiak, ju personalisht për vendimin e parë që morët në vendosjen e emrave të rrugëve të qytetit të Tiranës, të kryeqytetit të Shqipërisë, për Dëshmorët e Atdheut. Kjo tregon sensibilitetin që jo vetëm pushteti vendor, jo vetëm kryetarët e bashkive, kanë në këtë drejtim, por edhe vlerësimin që ata kanë për punonjësit e Policisë të rënë në krye të detyrës. Policia e Shtetit është në avangardë të punëve në drejtim të sigurisë dhe të rendit publik, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Dervishaj.

Këshilli Bashkiak vlerësoi se misioni i 4 dëshmorëve do të kujtohet përjetësisht si shembull i guximit dhe vullnetit, deri në vetëflijim, për të mirën e përgjithshme dhe për një ideal të lartë, siç është lufta ndaj krimit dhe së keqes.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here