“I hyri në borxh Pavlinës”/ Ahmet Pasha: Pengu i Pirro Manit, dramat që nuk iu vunë në skenë, rreziku që ndjemë pas arrestimit të Mihal Luarasit

0
18

Aktori Ahmet Pasha, një prej aktorëve të preferuar të regjisorit Pirro Mani rrëfen në një intervistë për News24 e “BalkanWeb” miqësinë me të dhe bisedat e fundit.

Nga takimi i parë në Institutin e Lartë të Arteve, deri te biseda e fundit në telefon, ku Pavlina Mani sqaronte fjalët që mezi kuptoheshin të mjeshtrit të skenës, Pasha, rrëfen edhe pengjet.

“Kush është ai artist që ka jetuar ne komunizëm e nuk ka pengje. Mjaft që vije në skenë jo pjesët që doje por pjesët që përzgjidhte komisioni i kontrollit. Pirro Mani pati shkruar disa drama të cilat donte që t’ia vinin në skenë. Nuk ia vunë. Ai para se të ikte në SHBA po punonim me një dramë të tijën. E kishim pothuaj në fund të provave në tavolinë, dhe do ishte siç dukej, shumë e mirë si shfaqje. Tema ishte aktuale e vitit 1992,trajtoheshin problemet dhe ato që kishim kaluar. Unë madje kisha disa pjesë që imitoja Enver Hoxhën. Por, Pirro Mani iku dhe Teatri shqiptar humbi shumë”, thotë mes të tjerash Ahmet Pasha.

Sa i takon raportit në skenë të bashkëshortëve, Pavlina e Pirro Mani, Ahmet Pasha thotë se Pirro sillej me Pavlinën si me gjithë aktorët e tjerë. “Madje Pirro është në borxh me Pavlinën sepse shpesh për të shmangur fjalët nuk i jepte rolet e vendin që meritonte dhe Pavlina ishte aktore shumë e mirë”, thotë ai.

Mbi ideologjinë në filma e teatër, Pasha pranon se ishte kudo, madje kjo ndikoi në cilësinë artistike, por kjo dihet, shton ai, duke mos e parë të nevojshme që vetë artistët të distancohen prej produkteve tyre artistike.

Mjeshtër i skenave masive dhe i ndërtimit të karaktereve, Pasha tregon se regjisori arrinte deri të zvarritej në skenë për të shpjeguar çfarë do nga roli. Pasha  ndalet te pasionet e Pirro Manit, nga peshkimi te rinia si gjimnast, çka i jepnin një forcë fizike. Gjithaq mbahet mend për thjeshtësinë e tij në komunikim. Batutat, forca, mençuria dhe arti që mundi të japë në kohë censure krijuan mitin e Pirro Manit, i pathyeshëm në teatrin shqip.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here