“Italia nxit dialogun midis Kosovës dhe Serbisë”

0
5
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në MPJ në takim zyrtar ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio.

Pas takimit, ministri kosovar Konjufca tha se ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen që shteti italian ka “pasur në çdo fazë të shtetndërtimit të Kosovës”.

Ai theksoi se kanë biseduar se si t’i thellojnë marrëdhëniet kosovare-italiane në mënyrë që të konkretizohen më shumë në drejtim të “bashkëpunimit më të fuqishëm ekonomik, si dhe shkëmbimeve më të mëdha tregtare”.

“Njëra prej temave që absolutisht është shumë me rëndësi dhe që e diskutuam është edhe mbështetja në aspektin e teknologjisë informative për Kosovën. Ju e dini që kjo temë ka qenë edhe njëra prej atyre çështjeve të cilën çdo parti politike e cila ka konkurruar në zgjedhje e ka ngritur. Ministri Di Maio ofroi mbështetje të drejtpërdrejt dhe konkrete për të gjitha këto projekte që do t’i ketë qeveria e re sa i përket ndërtimit të parqeve të teknologjisë informative”, tha Konjufca.

Ministri Di Maio në fjalën e tij tha se me ministrin Konjufca kanë diskutuar për Kosovën dhe për rajonin, mirëpo me theks të veçantë kanë folur për teknologjinë e informacionit, e cila siç tha Di Maio “do të mund t’i bashkojë gjeneratat e reja, ta ndalojë emigracionin në shtetet e tjera dhe të krijojë faktorë të përbashkët njohuritë dhe investimet”.

“Italia së bashku me vendet e tjera të Bashkimit Evropian (BE), por ne në rreshtin e parë, duhet të mbështesim maksimalisht integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Duam të mbështesim maksimalisht integrimin në BE të vendeve, popujt e të cilave i konsiderojmë si bashkëbisedues tanë. Miqësia jonë e madhe që ekziston mes popullit të Kosovës dhe Italisë është një miqësi shumë e madhe që lidhet me përvojën e kaluar por që bazohet edhe në idenë e gjeneratave të reja”, tha Di Maio.

Di Maio gjithashtu theksoi se prezenca e trupave italiane në kuadër të Misionit të KFOR-it në Kosovë “është thelbësore”.

Ai shtoi në fund se kanë biseduar edhe për çështjen e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, duke thënë se “Italia nxit dialogun midis dy vendeve”.

Di Maio po qëndron për herë të parë në një vizitë zyrtare si ministër i Jashtëm i Italisë në Kosovë./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here