Krijimi i traumës kulturore për tërmetin e 26 nëntorit 2019

0
12

Sipas sociologut Xhefri Aleksandër [Jeffrey C. Alexander], në mënyrë që trauma të zërë vend në kujtesën kolektive nevojitet që krizat shoqërore të shndërrohen në kriza kulturore. Katastrofat natyrore, si tërmetet e fuqishme, që lënë pas viktima e shkatërrime, konceptohen si këputje të vijimësisë së lidhjeve shoqërore, të cilat duhen rindërtuar.

Enis SULSTAROVA

Nga paniku te trauma: Kur po shkruhen këto radhë, duket sikur paniku masiv i pastërmetit është fashitur dhe njerëzit po u rikthehen shqetësimeve të përditshme. Gjithsesi, për shumë të tjerë traumat vazhdojnë: për familjarët e viktimave, për të plagosurit, për ata që kanë humbur banesat, për fëmijët, për të moshuarit e vetmuar, për ata që nuk kanë nga t’ia mbajnë dhe kërkojnë ndihmën e shtetit e të shoqërisë. Rindërtimi i banesave të shembura do të marrë shumë kohë, të prekurit nga tërmeti do të vijojnë të vuajnë fizikisht e shpirtërisht, ndërkohë që shumëkush nga pjesa tjetër e shoqërisë do të përballet me probleme të tjera, më të ngutshme, do të punojë ose studiojë, planifikojë e shpresojë, gëzojë a lëngojë. Tërmeti do t’i përkasë së shkuarës, ndërsa në kujtesën e të gjithëve do të mbesin gjurmët e një ngjarjeje që ndërpreu dhunshëm rrjedhën e kohës. Si tërmeti i 79-tës ose ai i Shkupit i 63-shit. Disa, sidomos të prekurit, do ta kujtojnë posaçërisht dhe do të pyesin se cili ishte kuptimi i tij për jetët e tyre dhe çfarë ndryshoi ai në rrjedhën e deriatëhershme të kohës. Sot, kur efektet shkatërruesve të tërmetit i kemi para syve, kur shumë prej nesh jemi ende të angazhuar për të ndihmuar ata që u dëmtuan më tepër, duhet ta ngremë pyetjen se çfarë ka shkuar keq deri tani, çfarë duhet të bëjmë ndryshe tani e tutje e çfarë duhet të mësojmë nga gjëma, në mënyrë që katastrofat natyrore në të ardhmen të na gjejnë më të përgatitur. E thënë ndryshe, tani e këtu na duhet të fillojmë ndërtimin e kujtesës kolektive të ngjarjes, që ajo të mos jetë vetëm trauma e të prekurve prej saj, por të vijojë të na përkasë të gjithëve.

A do të mundemi, si shoqëri, si qytetarë dhe si shqiptarë, të themi se, pas këtij tërmeti, “kohët po ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash”? A do të mundemi ta kthejmë katastrofën natyrore në një traumë kulturore, ndryshe nga sa kemi vepruar me të tjera ngjarje traumatike që na kanë ndodhur në dhjetëvjeçarët e fundit? A do të jenë në gjendje format e ndryshme të kujtesës kolektive të tërmetit të shkaktojnë katarsis në të ardhmen e afërt?

Sipas sociologut Xhefri Aleksandër [Jeffrey C. Alexander], në mënyrë që trauma të zërë vend në kujtesën kolektive nevojitet që krizat shoqërore të shndërrohen në kriza kulturore. Katastrofat natyrore, si tërmetet e fuqishme, që lënë pas viktima e shkatërrime, konceptohen si këputje të vijimësisë së lidhjeve shoqërore, të cilat duhen rindërtuar. Koha pas katastrofës është gjithnjë edhe reflektim se çfarë e mban të bashkuar një shoqëri dhe tregon rrezikun e shpërbërjes së saj. Katastrofa natyrore duhet përfaqësuar kulturalisht, që ajo të bëhet pjesë e identitetit të një kolektivi njerëzor, që dhimbja e përjetuar nga disa prej nesh të na rikujtojë vazhdimisht se jemi të kërcënuar të gjithë, jo thjesht nga katastrofa të ngjashme, por pikësëpari nga veprimet e mosveprimet tona në lidhje me to. Kështu, trauma kulturore ndodh atëherë kur anëtarët e një kolektivi ndjejnë se u ka ndodhur një ngjarje e tmerrshme, e cila lë gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen kolektive dhe e ndryshon thellësisht identitetin e tyre. Me anë të ndërtimit të traumës kulturore, shoqëritë dhe kombet marrin përsipër përgjegjësi për vuajtjet njerëzore, ushqejnë solidaritetin e brendshëm dhe zgjerojnë rrethin e “ne”-së. Përkundrazi, refuzimi për të marrë pjesë në procesin e krijimit dhe ruajtjes së traumës kulturore e ngushton solidaritetin dhe i lë viktimat që të vuajnë të vetme (Alexander, Trauma: A Social Theory, Cambridge, Polity, 2012, f. 6).

Nuk mund ta themi me siguri nëse kujtesa për tërmetin e 26 nëntorit 2019 do të shndërrohet një traumë kulturore, sepse kemi të bëjmë me një proces që fillon tani dhe shtrihet në të ardhmen. Ajo që mund të themi, tani për tani, është se trauma kulturore na nevojitet, për faktin se ndodhia tragjike nuk kishte të bënte vetëm me natyrën, por me organizimin e jetesës sonë kolektive. Tërmeti i 26 nëntorit ishte i pazakontë, mirëpo ai na gjeti në mes të një anomie që e karakterizon jetën tonë shtetërore dhe shoqërore. Tërmetet nuk parashikohen nga shkenca, por duhet të parashikohen nga shteti, i cili është përgjegjës për kontrollin mbi territorin dhe mbi veprimtaritë ekonomike e ndërtimore që ndodhin mbi të. Tërmeti ishte radiografia që shfaqi brishtësinë e institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe babëzinë e sipërmarrësve të ndërtimit në bashkëpunim me krimin e organizuar. Paniku që largoi dhjetëra mijëra qytetarë nga Tirana e Durrësi erdhi nga ndërgjegjësimi i menjëhershëm që në rast të një tërmeti më të fuqishëm, xhunglat e ndërtesave të larta prej betoni mund të kthehen në katakombe urbane.

Përkujtimi i traumës së 26 nëntorit duhet të kthehet edhe në shënjues të solidaritetit të kombit shqiptar. Në këtë ditë të zezë, kombi ynë u gjallërua dhe reagoi si një trup i vetëm, ashtu siç ka reaguar edhe në ditë të tjera të zeza kur është prekur një pjesë e tij. Mobilizimi mbarëkombëtar për të ndihmuar të pastrehët e tërmetit kompensoi papërgatitjen shtetërore për të përballuar katastrofa të tilla. Kombi doli më i fortë sesa shtetësia, prandaj edhe trishtimi për mosfunksionimin efikas të institucioneve shtetërore u shoqërua nga gëzimi për ekzistencën e kombit. Profesionalizmi dhe pajisjet moderne të Forcës së Sigurisë së Kosovës plotësuan deri diku mungesat materiale që e karakterizonin punën vetëmohuese të zjarrfikësve, policëve dhe ushtarëve të Shqipërisë. Kontrasti Shqipëri-Kosovë na tregoi qartë se shtetet-bërja nuk matet me vitet e një shteti. Vetëdija kombëtare u bë diçka e prekshme fizikisht në ditët që pasuan tërmetin, sidomos në datën e 28 Nëntorit, kur flamujt kombëtarë u shfaqën mbi rrënoja dhe shoqëroheshin me thirrjen “Dhimbjet i përballojmë bashkë!”.

Ngjarja e 26 nëntorit lipset të shndërrohet në një traumë kulturore edhe për hir të traumave të tjera kulturore të munguara. Vitet që pasuan rënien e komunizmit kanë qenë të mbushura plot me ngjarje traumatike për shqiptarët në të dy anët e kufirit: vrasjet në kufi në vitet 1989-1990, arratisja në ambasada, anulimi i autonomisë dhe vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, shkatërrimet e pasurisë shtetërore në vitin 1991 në Shqipëri, valët e eksodit, rënia e firmave piramidale dhe anarkia e vitit 1997, Tragjedia e Otrantos, vrasja e Azem Hajdarit më 1998 dhe trazirat që e pasuan, lufta e Kosovës dhe eksodi i madh i vitit 1999 drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, shpërthimi i Gërdecit më 2008, vrasjet e 21 janarit 2011 etj. Për sa i përket ngjarjeve traumatike në Shqipëri, shumica e tyre kanë ndodhur nga lufta për pushtet dhe drejtësia e kapur asnjëherë nuk i ka emërtuar fajtorët në rangjet e larta të pushtetarëve e të politikanëve. Këtij normalizimi me pandëshkueshmërinë i duhet dhënë fund dhe ngjarja e 26 nëntorit është prova e zjarrit e reformës më të fundit në drejtësi. Të gjithë jemi tashmë të ndërgjegjshëm se sa jemi të brishtë ndaj katastrofave të tjera të këtij lloji, paçka bindjeve ose anshmërive politike. Të gjithë e pamë se, paçka mandrës neoliberale, shteti është i pazëvendësueshëm, sepse disa probleme nuk mund t’i zgjidhim vetë, prandaj është në interesin e përgjithshëm që institucionet shtetërore të funksionojnë për të na siguruar jetën. Tërmeti të gjithëve na i hapi sytë për ta parë batërdinë urbane që ka ndodhur në qytetet tona; ai na dha të kuptojmë se hapësirat publike nuk janë luks, por domosdoshmëri. Para syve të të gjithëve u shfaq mjerimi i thellë në të cilën jeton një pjesë e mirë e popullit dhe ai nuk mund të shërohet vetëm me bamirësi. Shumica dërrmuese nga ne kanë interes që gjërat të mos mbesin kështu si janë për hir të interesit të një pakice, por që kjo të ndodhë nevojitet trysni kolektive dhe traumat kulturore e mbajnë gjallë kujtesën e kolektivit.

Procesi i traumës kulturore: Përdorimi i zakonshëm i fjalës “traumë” i referohet një goditje të rëndë ndaj trupit e mendjes, që shkakton dhembje dhe çorientim psikologjik. Ndërsa traumat kulturore formohen me anë të procesi të gjatë. Formimi i traumës kulturore është përgjigja që i jepet “shqepjes” në thurjen shoqërore, në mënyrë që me anë të rrëfimit moral mbi çka ndodhi, ajo “të qepet” sërish (Ron Eyerman, Memory, Trauma and Identity, Basingstoke, Palgrave Macmillan, 2019, f. 42). Për këtë nevojiten agjentët socialë, që shprehen dhe veprojnë në emër të shoqërisë ose kombit të lënduar. Janë ata që ngrenë kërkesa ndaj shoqërisë dhe shtetit dhe kërkojnë për riparim emocional, institucional dhe simbolik të dëmit që ka shkaktuar ngjarja traumatike.

Agjentët socialë të traumës kolektive në radhë të parë janë vetë të prekurit nga ngjarja: familjarët dhe të afërmit e viktimave, komunitetet e prekura nga katastrofat natyrore. Ajo që ndodh është se kur ngjarja është ende “e nxehtë”, atyre u ofrohet mundësia që të shprehen në media, të tregojnë përjetimet, emocionet, historitë dhe kërkesat që ata kanë për mbështetje, kompensim, drejtësi etj. Mirëpo, më vonë, ndërsa koha kalon dhe ngjarja nis e “ftohet” në kujtesën kolektive, viktimat dhe komunitetet e prekura nuk kanë vëmendjen mediatike. Prandaj, në mënyrë që zëri i tyre të vijojë të dëgjohet, duhet që ata të organizohen dhe të nxjerrin intelektualë nga mesi i tyre, që flasin e veprojnë në publik për kërkesat e drejta për dëmshpëblim dhe për të përkujtuar viktimat përmes ritualeve. Intelektualin këtu e përkufizojmë, duke ndjekur Antonio Gramshin, si “organizator i aspekteve praktike të kulturës”. Funksionin e intelektualit e kryen kushdo që merr përsipër të flasë e shkruajë në publik për sensibilizimin e qytetarëve për çështje të caktuara dhe mobilizimin e tyre për zgjidhjet e tyre. Ekzistenca e mediave sociale e ka “demokratizuar” funksionin e intelektualit, sepse krijon mundësi të gjera të shprehjes së mendimeve dhe të organizimit të qytetarëve.

Së dyti, të mirë-pozicionuar për funksionin e intelektualit janë gazetarët, atëherë kur ata jo vetëm raportojnë mbi ç’ka ndodhur, por edhe ndihmojnë që ajo të shihet si një ngjarje domethënëse për shoqërinë. Gazetarët, që raportonin drejtpërdrejt nga zona e tërmetit, ishin të parët që shpalosën përmasat e katastrofës dhe sollën pranë nesh zërin e familjarëve të viktimave. Transmetimet televizive e ngritën në këmbë gjithë kombin në një aksion solidar, që nuk ishte parë më parë në Shqipëri. Mirëpo, menjëherë nisi procesi i kontrollit mbi lajmet televizive, sepse dihet se mënyrat se si trauma raportohet në media ka shumë rëndësi për ecurinë e mëtejshme të procesit. Në raportimet e ditëve të para nga terreni nisi të dilte në pah korrupsioni i pushtetit vendor dhe shkeljet flagrante të ligjit nga ana e shumë ndërtuesve. Duke e ndjerë rrezikun, pronarët e mediave kryesore televizive, pothuaj të gjithë ndërtues, dhe qeveria ndërhynë menjëherë për të mos lejuar formimin e një rrëfimi dominues që do ta vinte para përgjegjësisë industrinë e ndërtimit dhe pushtetarët e korruptuar. Kamerat e televizioneve u urdhëruan ta përcjellin drejtpërdrejt turin e kryeministrit nëpër zonat e prekura nga tërmeti. Rama e shfrytëzoi gjendjen e jashtëzakonshme për t’u hedhur në sulm kundër mediave virtuale. Të parët që u arrestuan nuk ishin ndërtuesit dhe zyrtarët përgjegjës për banesat e rrënuara, por gazetarë që u akuzuan për përhapje paniku. Disa media virtuale u ndaluan. Paketa e ligjeve antishpifje, e planifikuar prej kohësh, u miratua me shpejtësi për të disiplinuar mediat virtuale që kritikojnë kryeministrin. Megjithatë, gazetaria hetuese televizive në ndonjë rast e theu monopolin qeveritar mbi ngjarjen. Emisioni “Ndërtues që vrasin”, i transmetuar në televizionin Top Channel në 10 dhjetor, emërtoi disa nga ndërtuesit abuzivë në Durrës, Shkozet e Thumanë dhe lidhjet e tyre korruptive me pushtetin vendor. Ekzistenca e medias të lirë dhe e demokracisë janë të rëndësishme për procesin e krijimit të traumës kulturore, por 2019-ta ka qenë vit kur të dyja kanë marrë goditje të rënda në Shqipëri. Me gjasë, vitet e ardhshme do të jenë vite të përpjekjeve qytetare kundër kufizimeve ndaj lirisë së shprehjes dhe sabotimit të demokracisë nga oligarkia në pushtet dhe çështja e të të prekurve nga tërmeti duhet të bashkëlidhet në mënyrë organike me to.

Grupi i tretë i agjentëve socialë, që ndihmojnë në krijimin e traumës kulturore, janë “specialistët”, ata që zotërojnë dijen dhe i bëjnë botërisht të njohura mendimet e tyre për katastrofën, shkaqet e saj dhe rindërtimin. Pas tërmetit të 26 nëntorit, profesoresha e inxhinierisë Luljeta Bozo, më parë e njohur vetëm për studentët dhe kolegët e saj, u bë personi më i ndjekur në media, sepse dukej se ishte ndër të paktat persona të aftë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve e dilemave mbi cilësinë e ndërtimeve në terrene me tipare të ndryshme gjeologjike. Publiku, papritur, zbuloi se shteti dhe shoqëria e zotëronte dijen e nevojshme për të parandaluar efektet shkatërrimtare të tërmeteve, por ajo nuk është përdorur. Nuk është se sizmologët, inxhinierët, urbanistët, sociologët, gazetarët etj., nuk kanë folur e shkruar më parë për modelin e dështuar të urbanizimit dhe të betonizimit të Tiranës, Durrësit, Vlorës e qyteteve të tjera, por zërat e tyre nuk janë dëgjuar enkas prej qeveritarëve dhe ndërtuesve të mëdhenj, që kanë marrë peng zhvillimin e Shqipërisë. Të tjerë “specialistë” që mund të ndikojnë në formimin e traumës kulturore janë shkrimtarët, opinion-bërësit e artistët, sepse me anë të fjalës e imazhit krijojnë përfytyrimet kolektive. Librat, dokumentarët, filmat, reportazhet, ekspozitat pamore etj., që do të kenë si temë tërmetin e 26 nëntorit, do të përcaktojnë deri diku mënyrat e përkujtimit të ngjarjes. Mbi të gjitha, një monument kushtuar viktimave, që mund të ngrihet në Thumanë apo diku tjetër, do të shërbejë për ritualet që mbajnë gjallë kujtesën kolektive.

Formimi i traumës kulturore është proces politik. Edhe katastrofat natyrore prodhojnë politikë, sepse parapërgatitja për to, përgjigja ndaj urgjencave civile dhe rindërtimi, janë çështje politike. Si është e shpërndarë përgjegjësia për parandalimin dhe urgjencat? Cilat të drejta të qytetarëve kufizohen në raste të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e prekura nga katastrofa? Si do të bëhet rindërtimi, kush do ta drejtojë atë, si do të shpërndahen kostot? Katastrofat natyrore prodhojnë politikë, por është po aq e vërtetë se edhe politika prodhon katastrofa. Viktimat e 26 nëntorit u shkaktuan nga veprimi dhe mosveprimi i institucioneve shtetërore që kishin për detyrë kontrollin mbi territorin dhe ndërtimet. Kushtet për pasojat e rënda të tërmetin kishin kohë që ishin përgatitur, sepse industria e ndërtimit në 30 vitet e fundit ka dalë prej frerëve të ligjit, ndërsa fondet e parashikuara për përballimin e urgjencave civile janë pakësuar nga viti në vit. Deri tani nuk po duket se ekziston vullneti i qeverisë për të ndryshuar shumëçka në këtë drejtim, ndërkohë që ajo e ka monopolizuar gjithë vendimmarrjen. Përfaqësuesve politikë të pushtetit vendor, përveç mjeteve financiare dhe aftësive organizative, u mungon edhe legjitimiteti popullor, sepse janë “emëruar” me anë të zgjedhjeve ku opozita nuk mori pjesë dhe ku dolën në votime vetëm 23% e zgjedhësve në lista. Edhe për rindërtimin nuk po zhvillohet një debat i mirëfilltë publik. Në media janë parashtruar menjëherë disa variante për mënyrën se si mund të përballohen kostot e rindërtimit, por ende nuk ka një përgjigje të qartë se si do të veprojë qeveria. Komiteti i Rindërtimit është ngritur pa ndonjë kriter të përcaktuar më parë, me persona që i ka ftuar kryeministri. Nuk dihet si do të funksionojë dhe kujt do t’i japë llogari. Ministër i Shtetit për Rindërtimin, përgjegjës për bashkërendimin e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, është emëruar Arben Ahmetaj, ish-ministri i Financave, personi që pas kryeministrit Rama është akuzuar më së shumti nga opozita për shpërdorim të fondeve publike. Një akt i turpshëm dhe i papërgjegjshëm i Ramës ishte edhe ftesa e tij drejtuar  presidentit të Serbisë për të vizituar rrënojat e tërmetit në Durrës. Pak ditë para tërmetit, presidentit Vuçiq e kishte mohuar masakrën e Reçakut, gjë që shkaktoi reagime të ashpra në Kosovë, Shqipëri dhe në disa shtete perëndimore. Pak javë më vonë, Rama ia ofroi mundësinë që të luajë rolin e bamirësit ndaj shqiptarëve, në këtë mënyrë duke ia “shpërlarë” imazhin, shumë më mirë se sa do ta bënte një sipërmarrje e specializuar për marrëdhënie me publikun. Me këtë pandjeshmëri të theksuar për viktimat shqiptare të masakruar nga Serbia, në kohën kur vetë Vuçiqi ishte pjesë e qeverisë së këtij shteti, vështirë se Rama dhe klasa politikë në Shqipëri do të angazhohen për krijimin e një traume kulturore të viktimave të tërmetit.

Funksionimi i drejtësisë është një kusht tjetër për formimin e traumës kulturore, sepse dënimit moral duhet t’i paraprijë dënimi ligjor i përgjegjësve për humbjen e jetëve e të shtëpive të qytetarëve. Holokausti nuk do të ishte bërë pjesë e kujtesës dhe e ndërgjegjes së njerëzimit po të mos ishte cilësuar si krim kundër njerëzimit në Gjyqin e Nurembergut. Komunizmit në shumë vende i ka munguar një gjyq i tillë, prandaj është më e lehtë të relativizosh krimet e bëra në emër të tij dhe të shprehësh nostalgji për të pa u ndëshkuar. Jo vetëm kaq, por, siç tregon edhe ikja e Agron Tufës nga Shqipëria, përbën rrezik të denoncosh publikisht krimet e komunizmit shqiptar. Deri tani prokuroria përgjegjësinë për viktimat dhe shkatërrimet e tërmetit po e kërkon te ndërtuesit dhe disa funksionarë të pushtetit vendor. Të shohim se deri ku do të shkojë hetimi, sepse hapësirë për ta shtrirë ka deri në nivelet e larta të qeverisjes qendrore. Mjafton të përmendim faktin se në operacionet e shpëtimit mungonin edhe qentë dhe detektorët, ndërkohë që ka pasur një buxhet të caktuar për stërvitjen e qenve dhe disa detektorë u gjetën disa ditë më vonë në një magazinë. Pra, abuzime ka pasur në shumë sektorë të shtetit. Mirëpo, duhet ta kemi të qartë se në një shtet të kapur, ku nuk ka pasur deri tani pothuajse asnjë pushtetar ose oligark të vënë para drejtësisë për abuzime flagrante që janë denoncuar publikisht, do të përpiqen me sa munden që të mos hapet Kutia e Pandorës.

E përsërisim se nuk mund të parashikojmë që ngjarja traumatike e 26 nëntorit do të shndërrohet në traumë kulturore në të ardhmen e afërt. Edhe pse sot gjasat mund të duken të vogla që kjo të ndodhë, sërish na duhet të nxjerrim mësime nga vuajtja dhe paniku që shkaktoi tërmeti. Disa mësime, që i bëjnë mirë jetës shoqërore, janë këto: solidaritetin ndaj njëri-tjetrit nuk duhet ta shfaqim vetëm në raste fatkeqësish, por kurdoherë; të përpiqemi për bashkimin kombëtar, sepse u pa qartë se te kombi mund të mbështetemi edhe kur na tradhton shteti; mohimi i drejtësisë për viktimat është mungesë e drejtësisë për të gjithë; dhe ndërtimi i një shteti të së drejtës dhe të mirëqenies është detyrë e ngutshme.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here