Kupa e Botës e Futbollit do t’i sjellë deri në 17 mld $ ekonomisë së Katarit

0

Katari parashikon se Kampionati Botëror i Futbollit, që do të nisë në nëntor, do t’i sjellë deri në 17 miliardë dollarë ekonomisë së tij. Kjo është një shifër më e ulët krahasuar me vlerësimin e mëparshëm prej 20 miliardë dollarësh.

Vendi i Gjirit synon të tërheqë 1,2 milionë vizitorë, brenda vlerësimeve të mëparshme prej 1 deri në 1,5 milionë, deklaroi Nasser Al Khater, drejtues ekzekutiv i Kupës së Botës FIFA Qatar 2022, në një intervistë për “Bloomberg Television” sot.

Katari synon ta përdorë turneun për të treguar rritjen e shpejtë, nga një enklavë e vogël zhytësish në kërkim të perlave në metropolin e Gjirit, në një fuqi eksportuese të energjisë dhe qendër tranziti. Megjithatë, turneu është bërë objekt polemikash, ku përfshihet trajtimi i punëtorëve emigrantë, shumë prej të cilëve vijnë nga vendet më të varfra.

Al Khater deklaroi se kritikat nuk marrin në konsideratë përparimin e arritur nga Katari, duke vënë në dukje legjislacionin që parashikon një pagë minimale për punëtorët dhe caktimin e orarit të punës.

Mungesa e strukturave akomoduese për tifozët është një tjetër çështje shqetësuese. Për të përmbushur kërkesën e parashikuar, Katari ka marrë me qira dy anije kroçerë luksoze, ka nxitur pronarët e shtëpive t’u japin me qira pronën vizitorëve dhe ka krijuar një sistem fluturimesh në mënyrë që tifozët të mund të qëndrojnë në vende të tjera aty pranë.

Mijëra dhoma në shumë hotele luksoze janë rezervuar për zyrtarët dhe lojtarët e FIFA dhe Al Khater deklaroi se vendi do të vërë në dispozicion të tjera për vizitorët.

/ Bloomberg

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here