Kuzhina turke, receta tradicionale e kauarmës

0
6

Kjo është receta për përgatitjen e një gjelle me mish që gatuhet në pothuajse çdo krahinë të Turqisë me pak nuanca dhe dallime në harxhe. Gjella quhet “Kaurma bariu” (Çoban Kavurma). Gatimi i kësaj gjelle të shijshme është shumë i lehtë. Sipas një gojëdhëne gjella është quajtur kështu ngaqë barinjtë e kishin të lehtë ta gatuanin atë kur ndodheshin larg fshatit të tyre. “Kaurma e bariut” është edhe më e shijshme në muajt e verës, kur domatet dhe specat janë të bollshme dhe të freskëta.

Harxhet e nevojshme janë:

1 lugë gjelle gjalpë
1 lugë gjelle vaj
750 g mish qengji i prerë në copa të vogla
15-20 qepujka
4-5 thelpinj hudhre
4-5 speca
pak kripë
pak piper të zi
pak piper të kuq pluhur
3 domate
1 gotë uji me lëng mishi
rigon të tharë
lëngu i një qepe
30 ml uthull molle
Gatimi: Mishin e vendosim në një enë dhe sipër hedhim lëngun e qepës, uthullën e mollës, kripën, piperin e zi dhe pasi i përziejmë e lëmë të qëndrojë për 20 minuta në frigorifer. Ndërkohë në një tavë hedhim vajin dhe gjalpin dhe e ngrohim. E nxjerrim mishin nga lëngu i marinimit, e kullojmë dhe e kaurdisim për 15 minuta në zjarr të mesëm. Më pas hedhim qepujkat dhe hudhrën dhe e kaurdisim edhe për 5 minuta. Pastaj shtojmë specat e grira trashë dhe e kaurdisim harxhin edhe për 5 minuta. Ndërsa më vonë shtojmë domatet e grira në kub dhe tërë harxhin e kaurdisim edhe për disa minuta. Në fund shtojmë lëngun e mishit dhe të gjitha erëzat e tjera përveç rigonit, e ulim zjarrin dhe e lëmë gjellën të ziejë në tenxhere me kapak të mbyllur edhe për 40 minuta. Para se ta heqim nga zjarri shtojmë rigonin dhe e shërbejmë të ngrohtë. Ju bëftë mirë.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here