Manastirliu: Investimet në shëndetësi dhe rritja e pagave, ndikim në mbajtjen e mjekëve në vend

0

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi se Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria shqiptare kanë ndërmarrë një sërë vendimesh për të parandaluar lëvizshmërinë e profesionistëve të shëndetësisë drejt vendeve të tjera evropiane.

Në një intervistë televizive Manastirliu theksoi se “rritja e pagave, përmirësimi i kushteve të punës dhe autonomia spitalore janë disa prej reformave të ndërmarra në sektorin e shëndetësisë”.

“Ky është një fenomen që e ka prekur vendin tonë, çështja është se çfarë po bëjmë ne, çfarë po bën vendi ynë në mënyrë që oferta e punësimit në Shqipëri të jetë sa me atraktive. Investimet që ndodhur këto vite në shëndetësi kanë ndikuar në mbajtjen e mjekëve në vend, e dyta është rritja e pagave për mjekët dhe infermierët ka qenë dhe do vijoj të jetë në prioritet tona”, nënvizoi Manastirliu.

Ne, vijoi ministrja, kemi rritur pagat në masën 63% për gjithë personelin tonë, rritja e pagave do të jetë prioritet edhe në këtë vit do rriten me 6% dhe 40% brenda këtyre 4 viteve ndërkohë që mos harrojmë kemi edhe disa politika të tjera që vijojmë i zbatojmë, bonusi i mjekut 2.5 milion leke i jepet një mjeku nëse punon larg vendbanimit.

Manastirliu bëri të ditur se “kemi edhe një tjetër ligj të ri që pritet të miratohet nga kuvendi, është Autonomia Spitalore e cila do të ofrojë incentiva të tjera dhe një mënyre menaxhimi tjetër në sistemin shëndetësor publik”.

Ministrja e Shëndetësisë tha se aktualisht në vend numri i mjekëve për 1 mijë banorë është më i lartë se në 2012.

“Në këtë aspekt dua të jap vetëm një indikator. Ku kemi qenë dhe ku jemi në raport me dendësinë, numrin e mjekëve për 1 mijë banorë, nëse në vitin 2012 kishim 1.1-1.2 mjekë për 1000 banorë, sot sipas shifrat zyrtare jemi në 1.93 mjekë për 1000 banorë”, tha Manastirliu.

Duke folur për fenomenin e lëvizshmërisë së mjekëve dhe infermierëve Manastirliu tha se “fenomeni i lëvizshmërisë së mjekëve dhe infermierëve dhe profesionistëve të tjerë është një fenomen i cili nuk prek vetëm Shqipërinë ka prekur vendet e rajonit por ka prekur edhe Evropën. Nëse bëjmë një vlerësim të shifrave mund të themi që për lëvizshmërinë e mjekëve sot shikohet Gjermania e cila plotëson ikje e mjekëve të tyre që shkojnë në Zvicër apo Francë me mjekë që vijnë nga vende të tjera si Hungaria, Rumania, Polonia apo Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit”./ATSH

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here