Merret vendimi, Kosova dhe Maqedonia heqin masën doganore(VIDEO)

0
6

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka pritur në takim ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, të martën në Prishtinë.

Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit që ka zgjatur rreth dy orë në ambientet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, ministrat deklaruan se kanë marrë vendim për heqjen e masave doganore ndaj njëri-tjetrit.

Ministri Endrit Shala tha se një gjë e tillë do të ndodhë jo më larg se këtë fundjavë. “Ne jemi dakorduar që deri në fund të kësaj jave, Agjencia jonë t’i përfundojë detyrat e veta dhe pas kësaj Agjencia e Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut ta heq atë barrierë që e ka me Republikën e Kosovës”, tha Shala.

Shala tha se pas kësaj edhe Kosova do ta eliminojë masën e vendosur ndaj produkteve të Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, tha se masa nuk është ndërmarrë vetëm për Republikën e Kosovës, por për të gjitha shtetet që nuk e implementojnë monitorimin aktiv sa i përket vezëve të peshkut.

“U dakorduam me ministrin Shala, që gjatë periudhës që vijon Agjencia e Ushqimit e Veterinarisë e Republikës së Kosovës të implementojë apo të përgatisë programin sa i përket monitorimit aktiv sa i përket produkteve të theksuara më herët dhe në atë moment kur AUV do të dëshmojë se fillon me implementimin e programit, me siguri që ne si Qeveri apo Agjenci në kuadër të Maqedonisë së Veriut do të lejojmë importin e këtyre produkteve në vendin tonë”, tha Bekteshi.

Bekteshi tha se Maqedonia e Veriut pret që në shtator të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian (BE), ndërsa kanë qenë të obliguar t’i implementojnë këto masa pasi kanë marrë obligime konkrete.

Maqedonia e Veriut vendimin për ndalimin e eksportit të rasatit të peshkut nga Kosova e kishte ndërmarrë më 20 qershor. Ndërsa pas disa paralajmërimeve nga Kosova pa ndonjë rezultat, ministri i MTI-së, Endrit Shala mori vendim më 16 gusht për ndalimin e eksportit të mjaltit dhe patates nga Maqedonia e Veriut./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here