“Miliona në mbarë botën të uritur nga agresioni i Putinit”, Xhaçka nga OKB: Lufta në Ukrainë, na kujton ditët e errëta të fashizmit dhe stalinizmit

0

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashme, Olta Xhaçka do ka folur në takimin e posaçëm të Këshillit të Sigurimit të OKB “Për paqen dhe sigurinë e Ukrainës”.

Gjatë fjalës së saj Xhaçka tha se “lufta e Rusisë ndaj Ukrainës kujton ditët e errëta të fashizmit dhe stalinizmit” dhe se miuliona njerëz në gjithë botën kanë mbetur të uritur nga agresioni i Vladimir Putin.

Në takim morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB Guterres dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken.

“Mirëpresim vendimin e Presidencës franceze të KS, për ta mbajtur fokusin në çështjen e llogaridhënies. Veprimet e Rusisë janë një shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Rusia ka zgjedhur ta injorojë hapur vazhdimisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, na kujton ditët e errëta të fashizmit dhe stalinizmit. Misionet për gjetjen e fakteve, tregojnë një brutalitet të tmerrshëm kriminal kundër popullatës civile ukrainase. Mijëra njerëz kanë paguar me jetën e tyre për luftën e zgjedhur të Vladimir Putinit. Miliona në mbarë botën janë të uritur për shkak të luftës së zgjedhur të Putin. Ne si komunitet ndërkombëtar duhet të vazhdojmë të ndihmojmë në mbrojtjen e Ukrainës. Ne duhet të punojmë për të garantuar përgjegjësinë për atë që Rusia po bën në Ukrainë”, u shpreh Xhaçka.

FJALA E PLOTË

Zonja Presidente,

I bashkohem kolegëve parafolës për të falënderuar Francën për mbledhjen e konferencës së sotme dhe ministren Colonna që e drejton atë.

Kjo çështje ka qenë pa ndërprerje në rendin e ditës të Këshillit, por kjo mbledhje nuk mund të vinte në një kohë më të mirë duke pasur parasysh deklaratat e fundit përshkallëzuese të Kremlinit.

Përshëndes gjithashtu vendimin e Presidencës Franceze të Këshillit për të vazhduar të mbajë fokusin tek llogaridhënia, një çështje me rëndësi të madhe që e nisëm së bashku në prill me takimin e formulës Arria që Shqipëria dhe Franca organizuan së bashku.

Falenderoj gjithashtu Prokurorin e Përgjithshëm të ICC Khan për informimin e tij si dhe përpjekjet e tij të palodhura për të vendosur llogaridhënie në Ukrainë.

Zonja Presidente,

Federata Ruse, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ka zhvilluar një luftë të paligjshme agresioni kundër Ukrainës. Në gjykimin tonë dhe në sytë e gjithë botës, siç është shprehur qartë më shumë se një herë këtu, në Kombet e Bashkuara, veprimet e Rusisë janë një shkelje tejet e rëndë e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Të mos harrojmë se organi më i lartë ndërkombëtar i drejtësisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka urdhëruar Rusinë të pezullojë operacionin e saj ushtarak në Ukrainë. E drejta ndërkombëtare është e njëjtë dhe e detyrueshme për të gjithë. Rusia fatkeqësisht ka zgjedhur ta injorojë hapur dhe vazhdimisht këtë.

Vetë parimi dhe besimi mbi të cilin u themelua OKB-ja ishte se e vetmja mënyrë për të parandaluar luftën ishte përmes normave dhe ligjeve universale të pranuara nga të gjithë në rendin e ri të pas Luftës së Dytë Botërore. Në dekadat që pasuan, pavarësisht sfidave dhe vështirësive, të gjithë kemi arritur të forcojmë dhe zgjerojmë shtrirjen e së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimin shumëpalësh dhe kemi rënë dakord që askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin.

Ne kishim shpresuar se bota nuk do të kthehej më kurrë në atë të kaluar të largët, por lufta në Ukrainë dhe përpjekja flagrante e Rusisë për të pushtuar dhe aneksuar pjesë të territorit të Ukrainës janë veprime që të kujtojnë ditët e errëta të fashizmit dhe stalinizmit.

Dhe ka shumë më tepër në atë që po ndodh sot në Ukrainë që të kujton ato ditë të zeza. Raportet dhe misionet e gjetjes së fakteve nga terreni, pamjet që ka parë e gjithë bota zbulojnë një të vërtetë të hidhur për veprimet e Rusisë: një brutalitet të tmerrshëm kriminal kundër popullatës civile. Burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm në Ukrainë, si dhe dhjetëra mijëra ushtarë rusë kanë paguar me jetën e tyre për luftën e zgjedhur të Vladimir Putinit. Miliona në mbarë botën janë të uritur për shkak të luftës së zgjedhur të Vladimir Putin.

Ne dënojmë shtegun e ri të konfrontimit të Rusisë duke shpallur një mobilizim të pjesshëm në Rusi, duke mbështetur organizimin e “referendumeve” të paligjshme në 4 territore ukrainase të pushtuara aktualisht dhe duke kërcënuar sërish me përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Këto referendume të rreme janë një tjetër shkelje flagrante e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe një shkelje e rëndë e Kartës së OKB-së.

Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe përsërisim thirrjen tonë për Rusinë që të tërheqë plotësisht dhe pa kushte të gjitha trupat dhe pajisjet e saj ushtarake nga i gjithë territori i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Kjo është arsyeja pse ne duhet të bashkojmë forcat tona si komunitet ndërkombëtar dhe të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën të mbrohet. Ne duhet të punojmë për të garantuar përgjegjësinë për atë që Rusia po bën në Ukrainë.

Kjo është për të siguruar drejtësi, por edhe për të parandaluar mizoritë e ardhshme.

Të gjithë jemi përpjekur ta parandalojmë këtë konflikt. Ne nuk mundëm, por nuk duhet të dështojmë ta mbajmë Rusinë përgjegjëse.

Faleminderit!

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here