Mini-Shengeni Ballkanik

0
4

 Latif MUSTAFA

Po të zhvillonim një debat rreth përmbajtjes semantike të nocioneve si mini, shengeni dhe ballkanik, do të shohim që në fillim se prapa perdes ekziston një tendencë e thellë manipulimi. Parashtresa “mini” nuk është e qartë në rast se emërton një proces më minimal se shengeni i vërtetë europian apo në shënon kuptimin e një gjeografie më minimale se Ballkani. Sepse, po të ishte i përfshirë gjeografikisht i tërë Ballkani, ku do të ishte Sllovenia, Kroacia, Bullgari dhe Rumunia, atëherë shengeni i këtyre shteteve që janë pjesë e BE-së do të ishte i pakuptimtë dhe paradoksal t’i subordinohej një shengeni tjetër. Në fakt, Marrëveshja e Shengenit është traktati ndërmjet 26 shteteve të BE-së për heqje të kufijve dhe lëvizje të lirë e pa pengesa të njerëzve dhe mallrave. Mini-shengeni Ballkanik akoma nuk është e qartë nëse parasheh heqje të kufijve, por edhe nëse synon një gjë të tillë, a do të ishte e mundur kjo pa njohje paraprake të kufijve të Kosovës nga ana e Serbisë?

Deri tani janë realizuar tri takime të shteteve rajonale të Ballkanit Perëndimor në lidhje me diskutimin e idesë dhe pikave të cilat priten të jetësohen në kuadër të këtij projekti. Në takimet e mbajtura në Novi Sad, Ohër dhe Tiranë deri tani janë promovuar idetë e përmbledhura në katër pika kryesore: lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Me gjithë shpjegimet e befta që liderët janë përpjekur të japin rreth nismës dhe origjinës së idesë, shumë gjëra kanë mbetur të koklavitura, misterioze dhe jo të shpjeguara si duhet. Madje, madje, disa liderë edhe u deklaruan për paqartësinë e objektivave të vetë idesë.

Shpjegimet konspirative dhe hipotetike nuk kanë munguar rreth interpretimit se çka është dhe çfarë do të jetë një ide e tillë. Ideja e Mini-shengenit Ballkanik është krahasuar edhe me idenë e panballkanizmit sllav, idenë e një Jugosllavie të re, si dhe tendencat e për një dominim të lehtë të ekonomisë serbe mbi Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Si e tillë, ajo do ta shtrinte edhe ndikimin politik. Ideja e Mini-shengenit Ballkanik i atribuohet edhe kancelares gjermane, Angela Merkel, ose, siç njihet ndryshe, Procesit të Berlinit, ide kjo e cila doli në pah në vitin 2014. Në fund të procesit parashihet edhe një samit në Berlin për ta përfunduar procesin. Në kuadër të interpretimeve gjeopolitike, Gjermania synon shtrirje më të thellë dhe dominim strategjik në Ballkan krahasuar me Francën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo iniciativë u komentua si përpjekje për izolimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe detyrimin e saj për heqjen e taksës 100% për importim të mallrave nga Serbia.

Paradoksi më interesant në kuadër të kësaj ideje është qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama. Ai para një viti a më tepër, lëre që nuk hezitoi, por e mbështeti fuqishëm idenë e korrigjimit të kufijve, ide kjo e cila parashihej ta zgjidh nyjën gordiane dhe të sigurojë një njohje reciproke të shtetësisë midis Kosovës dhe Serbisë. Siç thuhej, kundër kësaj ideje ishin gjermanët, të cilët kishin vërë kusht njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht të anëtarësimit të Serbisë në BE. Në anën tjetër, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë vështirëson çdo proces rajonal, përfshirë edhe marrëveshjen për tregti të lirë – CEFTA.

Përpjekjet e Shqipërisë për themelimin e një Shengeni, pas idesë së ezauruar për korrigjim kufijsh pa përfshirjen e Kosovës, zbulojnë joseriozitetin strategjik dhe politikat e jashtme kuturu të shtetit të Shqipërisë, aq më shumë kur kemi parasysh faktin se deri tani nga dialogu Kosovë-Serbi shumica e marrëveshjeve nuk janë zbatuar. Këtë e raportojnë komisionet parlamentare të monitorimit. Përveç kësaj, as marrëveshjet Kosovë-Shqipëri nuk thuhet se qëndrojnë në një gjendje më të mirë për sa i përket zbatimit, sidomos marrëveshjet me karakter ekonomik.

Në këtë kuptim, tani për tani, ideja e Mini-shengenit Ballkanik është një aventurë diletante politike. Meqë çdo nismë rajonale është me interes, atëherë një ideje të tillë do duhej t’i kishin paraprirë dy gjëra me rëndësi. E para, zbatimi i të gjitha marrëveshjeve Kosovë-Serbi, ndalimi i fushatës për kthimin e njohjeve ndaj Kosovës dhe bisedimet me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në raport me Shqipërinë, përpos zbatimit të marrëveshjeve, bashkimi doganor do të ishte kushti kryesor për krijimin e besimit të ndërsjellë institucional.

Me themelimin e qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, ideja e Mini-shengenit Ballkanik mbase edhe mund të shuhet. Paralajmërimi i Albin Kurtit për politika reciproke me Serbinë, një kurs tjetër ky i zhvillimit të bisedimeve, pastaj paditja e Serbisë për gjenocid, si dhe afrimi me Shqipërinë, mund të krijojnë një dinamikë ndryshe sa u përket politikave të jashtme. Aq më tepër, kur në disa shtete të rajonit në pranverë do të ketë zgjedhje parlamentare, ndërsa më vonë edhe në SHBA.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here