Ministri Sveçla për operacionin policor: Nuk bëhet fjalë për aktivitet kundër komunitetit serb

0

Prishtinë
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se operacioni policor për luftimin e kontrabandës në katër lokacione të ndryshme, përfshirë edhe veriun e Kosovës, ka qenë vetëm kundër kontrabandës me mallra dhe nuk është bërë kundër komunitetit serb në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, ministri Sveçla tha se edhe prokurori i rastit, edhe gjykatësi i procedurës paraprake, por edhe shumica e pjesëtarëve të reagimit të shpejtë të policisë që kanë marrë pjesë në këtë aksion kanë qenë të komunitetit serbë.

“Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve të cilët kanë kontrabanduar mallra ilegale në territorin e Kosovës. Më lejoni t’ju informoj se prokurori i rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica serbë. Shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë. Kështu që nuk bëhet fjalë për ndonjëfarë represioni shtetëror ndaj askujt”, tha Sveçla.

Drejtori i Policisë, Samidin Mehmeti, tha se operacioni që është zhvilluar sot ka filluar rreth një vit më parë. Ai ka treguar se është planifikuar të bëhet bastisja në 26 lokacione të ndryshme, prej tyre pesë në veri të Mitrovicës dhe katër në Zveçan.

Sipas Mehmetit, ka pasur një lloj rrjedhje të informacionit para se të zhvillohej aksioni policor, ngase disa persona kanë larguar mallin e kontrabanduar nga lokalet e tyre para fillimit të bastisjes nga policia.

Ai tha se gjithsej tetë zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë përfunduar të lënduar nga operacioni policor i sotëm, të cilët janë sulmuar edhe me armë.

“Gjatë zhvillimit të operacionit si dhe kthimit të njësive policore dhe doganore, ka pasur sulme në drejtim të tyre nga ana e disa qytetarëve. Këto sulme janë përcjellë me gjuajtje të drejtpërdrejta me armë, me hedhje të granatave luftarake të dorës, hedhje të shok-bombave”, tha Mehmeti.

Mehmeti tha se kushdo që ka marrë pjesë në forma të dhunshme në protestat në veriun e Kosovës, do të hetohet.

Së fundmi rreth operacionit policor të zhvilluar nga Policia e Kosovës në katër lokacione në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut, ku në këtë të fundit pati incidente, ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme.

Osmani në rrjetet sociale tha se të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre.

“Aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet ‘aksion në veri’, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e që të përbashkëtën e kishte kontrabandën dhe krimin e organizuar. Ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik”, shkroi Osmani në rrjetet sociale.

Ajo tha se disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim, por tani ato ditë kanë perënduar.

“Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vërtetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE-ja të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson”, shtoi Osmani.

Sot gjatë operacionit të policisë tetë persona janë arrestuar ndërsa janë sekuestruar edhe mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here