Ministria e Shëndetësisë hap konkursin për “drejtor” spitalesh, në listë edhe QSUT-ja

0

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka shpallur hapjen e konkursit publik për drejtorët e spitaleve universitarë dhe rajonalë.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të MSHMS-së, të gjithë të interesuarit kanë afat deri në datën 6 tetor 2017 për të dorëzuar aplikimet e tyre, duke ndjekur kriteret për të aplikuar.

Edhe pse drejtori i përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe ai i Spitalit Universitar të Traumës janë ende në detyrë, Ministria e Shëndetit ka hapur konkursin për pozicionin “drejtor i Përgjithshëm” edhe për këto spitale. Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Etiola Kola tha për “Gazeta Shqiptare” se drejtorët e përgjithshëm të këtyre dy spitaleve as do të shkarkohen, as do të japin dorëheqjen, pasi edhe drejtorët aktualë mund të marrin pjesë në konkurs. “Pas aplikimeve, fituesit do të shpallen nga një komision që përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, mjekë të huaj, menaxherë të suksesshëm, mjekë të njohur me titull shkencor në pension etj.”,- u shpreh zëdhënësja.

Në njoftim bëhet me dije se pozicionet për “Drejtor i Përgjithshëm” shpallen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalin Universitar të Traumës, Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koco Gliozheni”, Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” si dhe në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”. Ndërkohë, edhe për 11 spitale rajonale është hapur konkursi për pozicionin “drejtor”. Kriteret janë të publikuara në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe kandidatët brenda 15 ditësh duhet të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin përkatës, në të kundërt skualifikohen.

Vlerësimi i mëtejshëm i aplikantëve që plotësojnë kriteret e përgjithshme do të bëhet nëpërmjet testimit me shkrim dhe intervistës me gojë.

 

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here