NATO: Po punojmë t’i zgjidhim shqetësimet legjitime të Türkiye-s

0

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Türkiye (Turqia) ka shqetësime legjitime për aplikimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO dhe se po përpiqen t’i zgjidhin ato.

Stoltenberg pas takimit me kryeministrin çek, Petr Fiala në selinë e NATO-s tha se një nga çështjet që do të diskutohet në Samitin e Madridit në 28-30 qershor janë aplikimet e Finlandës dhe Suedisë. Ai i vlerësoi aplikimet si zhvillime “historike”.

Duke thënë se duan të adresojnë shqetësimet e sigurisë të të gjithë aleatëve dhe të bëjnë përparim në procesin e anëtarësimit, Stoltenberg tha: “Türkiye ka shqetësime legjitime të sigurisë. Ne po punojmë me Finlandën dhe Suedinë për t’i zgjidhur ato”.

Lidhur me çështjet që do të diskutohen në Samitin e Madridit, Stoltenberg tha se do të pranohet dokumenti i ri i Konceptit Strategjik të Aleancës. “Do të diskutohet ndihma për Ukrainën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy do t’u drejtohet liderëve dhe do të analizohen shpenzimet e NATO-s dhe ndarja e barrës”, tha Stoltenberg./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here