Ndërtimi i HEC-eve në Valbonë, Nepravishta: Të zbatohet urgjent vendimi i Gjykatës së Lartë! Kjo politikë e gabuar, hidrocentralet nuk e justifikojnë dëmin që i shkaktojnë natyrës

0

Në të gjithë Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës vijon puna e makinerive për të ndërtuar hidrocentralet që do të degradojnë më tej lumin dhe bukuritë e Alpeve Shqiptare edhe pse një vendim i Gjykatës së Lartë ka ndërprerë punën aty.

Rea Nepravishta, aktiviste e të drejtave të njeriut, e ftuar në Report Tv ka folur ka folur për këtë skandal, që sipas saj i tejkalon çështjet mjedisore por lidhet me çështjet e zbatimit të ligjit. Nepravishta bëri thirrje që përmbarimi të vërë në zbatim menjëherë vendimin e Gjykatës së Lartë.

“Në momentin kur u shpall vendimi i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë punimet duhet të ishin ndërprerë aty. Nga ai moment ka filluar paligjshmëria. Ne jemi duke pritur që të hyjë në veprim përmbarimi, që të vërë në zbatim vendimin e Gjykatës së Lartë. Konsultimet publike kanë qenë tejet fiktive, njerëzit nuk janë pyetur dhe nuk janë informuar. Firmat janë falsifikuar apo janë vendosur edhe emra të vdekurish te këta persona që teorikisht duheshin pyetur. Vetë vendimi i Gjykatës së Lartë ishte për ne një surprizë pozitive për ne dhe na tregoi se ndonjëherë drejtësia vonon por nuk harron”, tha Rea Nepravishta.

Ajo shprehet se vijon të ndërtohet brenda një parku kombëtar, i cili ka një status të veçantë mbrojtjeje. Ndërkohë që sipas duhet të hiqet dorë nga kjo politikë e hidrocentraleve të vegjël pasi dëmi që bëjnë është shumë më i madh se të mirat që sjellin.

“Kjo ka qenë edhe arsyeja e parë që ne jemi ngritur. Ne kemi folur për turizmin e qëndrueshëm të cilin vepra të tilla e dëmtojnë. Pra, ka një sërë arsyesh. Edhe sasia e energjisë që ne marrim nga HEC-et e vegjël nuk e justifikon dëmin e madh që ato shkaktojnë në mjedis.

Ne jemi duke pritur që përmbaruesi të hyjë në veprim brenda afateve ligjore dhe t’i japë fund kësaj gjëje. Këtu pastaj kalojmë përtej çështjeve mjedisore dhe futemi në çështjen e zbatimit të ligjit pastaj. Nuk mund të jetë e pranueshme që një vendim i Gjykatës së Lartë të mos zbatohet”, vijoi aktivistja e të drejtave të njeriut.

Nea Nepravishta thotë se banorët kanë treguar kundërshtinë e tyre ndaj kësaj vepre por Valbona është shumë e rëndësishme për të gjithë kombin, edhe në imagjinatën kolektive të kombit.

“Ndaj ka pasur shumë reagime dhe njerëzit janë shumë protektivë ndaj Valbonës. Ne do të vazhdojmë të jemi aty dhe të luftojmë. Lufta nuk ka mbaruar dhe shpresojmë në vendime pozitive, që të jenë pro ligjit dhe natyrës. Kjo kauzë të bëhet shembull edhe për shumë të tjera”, u shpreh ajo.

Në fund Nepravishta vuri theksin edhe të lidhja që kanë sëmundjet e ndryshme si COVID me dëmin që ne i shkaktojmë natyrës.

“Ne jemi duke e shkatërruar natyrën, kjo na sjell pandemi, na sjell sëmundje. Natyra në çdo rast do të mbijetojë por më shumë gjasa ajo është duke u hakmarrë ndaj nesh. Një studim ka në nxjerrë një lidhje shkakësore mes shkatërrimit të mjedisit dhe sëmundjeve si COVID”, përfundoi intervistën në Report Tv Rea Nepravishta, aktiviste e të drejtave të njeriut

Më 21 korrik Gjykata e Lartë ka vendosur të pezullojë ndërtimin e HEC-eve mbi Valbonë nga kompania GENER 2, deri kur të merret një vendim i formës së prerë për këtë çështje të rëndësishme. Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e banorëve të 27 fshatrave të Bashkisë Tropojë, Shoqatës “TOKA” dhe Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, duke ndaluar çdo veprim mbi Valbonë. Banorët dhe shoqatat kundërshtojnë projektin e ndërtimit të 2 hidrocentraleve Dragobia dhe Cerem në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga kompanitë “GENER 2” dhe “DRAGOBIA ENERGY” të Bashkim Ulajt.

Palë në këtë proces janë edhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit, institucione të cilat në kohë të ndryshme kanë marrë pjesë në dhënien e lejes për ndërtimin e HEC-ve mbi Valbonë. Beteja kundër betonizimit të Valbonës ka nisur që në vitin 2015. Banorët e 27 fshatrave të Tropojës kanë denoncuar falsifikimin e procesverbaleve të konsultimit me publikun, që ishin pjesë e dokumentacionit të kompanive që morën të drejta për HEC në Valbonë. Kompanitë kanë paraqitur dokumentacion sikur banorët ishin dakord për ndërtimin e HEC-eve.

K.T.//Shqiptarja.com

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here