Ndihmë e pamatë nga Turqia/ Institucionet turke vijojnë të kontribuojnë për familjet e prekura nga tërmeti(VIDEO)

0
2

Institucionet e ndryshme nga Turqia vazhdojnë të ofrojnë ndihma ushqimore dhe të tjera për familjet që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, që shkaktoi vdekjen e 51 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve.

Zyra e Këshilltarit për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, me kontributin e Fondacionit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) ka shpërndarë ndihma për dhjetëra familje, banesat e të cilave pësuan dëmtime nga tërmeti.

Ndihmat me pako ushqimore dhe krevate janë ndarë në Njësinë Administrative Pezë, në Qarkun e Tiranës, sidomos për familjet që janë të strehuara në çadra për shkak të dëmtimit të shtëpive të tyre.

Këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Bekir Yanılmaz, për AA tha se edhe pse ka kaluar një muaj nga tërmeti, përsëri ka nevojë për ndihma të ndryshme për banorët.

“Nga inspektimet që kemi bërë kemi vërejtur se në zonat pak më periferike ka familje të cilave nuk iu ka arritur ndihma si gjithë të tjerëve. Kemi parë se në ato vende që janë sjellë çadra nuk ka krevate dhe njerëzit flenë në tokë, për këtë arsye kemi sjell krevate dhe ushqime. Këto ndihma ne i sjellim si Zyra Këshilltarit për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë. Me kontributin e popullit turk ne do të mundohemi ta vazhdojmë ndihmën tonë në ditët në vazhdim. I uroj të shkuara popullit shqiptar”, tha Yanılmaz.

Ai theksoi se si Zyrë e Këshilltarit për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, do të vazhdojë të dërgojnë ndihmat e tyre në zonat ku familjet kanë nevojë.

Ndihmat përfshijnë 40 krevate portativë dhe 100 pako ushqimore me produktet vaj, miell, sheqer, kripë, fasule, makarona dhe produkte të tjera.

Pas tërmetit, ekipet e institucioneve të ndryshme nga Turqia mbërritën në Shqipëri për ndarjen e ndihmave dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.

Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe mbi 900 të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla dhe objekte të institucioneve./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here