Në tri komuna të Kosovës fillon vaksinimi kundër COVID-19 i personelit shëndetësor

0
14

Ka filluar sot vaksinimi i personelit shëndetësor kundër virusit COVID-19, edhe në tri komuna të Kosovës. Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, sot e ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, ku edhe po jepen vaksinat anti-COVID.

Siç thuhet në njoftim për media, aktualisht në dispozicion QKMF-Obiliq i ka 70 vaksina për stafin mjekësor, ndërkaq në total janë 105 profesionistë shëndetësorë.

Edhe në Komunën e Kamenicës sot ka filluar vaksinimi i personelit shëndetësor, të cilin lajm e bëri të ditur përmes rrjetit social në Facebook, kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati.

Kastrati gjatë vizitës që bëri në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare tha se uron që sa më parë të sigurojnë edhe doza tjera të vaksinës anti-COVID.
“Bashkë me drejtoreshën e Shëndetësisë Suna Zajmi-Krasniqi, sot vizituam Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku edhe nisi vaksinimi kundër virusit SARS-CoV-2. Uroj e shpresoj që sa më parë të sigurojmë doza tjera të vaksinës, sepse nevoja është e madhe. Faleminderit ekipit të vaksinimit dhe gjithë stafit shëndetësor për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë ballafaqimit me pandeminë”, ka shkruar Kastrati.

Edhe Komuna e Suharekës, nga sot ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 i personelit shëndetësor pasi kjo komunë është pajisur me 110 dozat e para të vaksinës AstraZeneca.
Por në këtë komunë thonë se këto doza nuk janë të mjaftueshme për stafin shëndetësor të Suharekës. Vaksinimi po bëhet në një hapësirë të veçantë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Suharekës, Besa Kuqi tha se tashmë edhe në këtë komunë ka nisur vaksinimi i stafit mjekësor, por thotë se 110 doza e vaksinës AstraZeneca nuk janë të mjaftueshme për këtë kategori pasi kjo komunë ka 215 profesionistë shëndetësor.

Që nga dita e premte në disa komuna të Kosovës ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor. Më 28 mars Kosova nga COVAX-i i OBSH ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca të cilat janë paraparë të jepen për profesionistët shëndetësor, kategoritë e të moshuarve mbi moshën 85 vjec dhe atyre me sëmundje kronike.

Ndërkaq, këshilltar politik i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Sami Uka në një prononcim për “Telegrafin” ka thënë se deri të martën mbrëma janë vaksinuar 3.181 persona kundër virusit COVID-19.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here