Nga dokumentacioni, te procedurat dhe fondi limit, KLSH zbardh skemën si grabiten miliona lekë përmes tenderëve

0

Prokurimet publike vijojnë të mbeten gangrena e korrupsionit në vend. Edhe vetë Departamenti i Shtetit pak ditë më parë e theksoi se po bëhet nami me tenderët, ndërkohë që një gjë e tillë është faktuar dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH ka publikuar buletinin statistikor janar-qershor ku tregohet skema që ndjekin institucionet për të vjedhur përmes tenderëve.

Dëmi ekonomik në fushën e prokurimeve publike konstatohet si rrjedhojë e shkeljeve në: përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit; llogaritjen e vlerës së kontratës; respektimin e kufijve monetar/ përzgjedhjen e procedurës së prokurimit publik; paraqitjen dhe pranimin e ofertave; hapjen dhe shqyrtimin e ofertave të paraqitura në konkurrim; në njoftimin e fituesit, në procedurat e prokurimit me një ofertues, në lidhjen e kontratave dhe marrëdhëniet me nënkontraktorët, arkivimin e dosjeve për tenderat e zhvilluar; zbatimin e kontratave nga kontraktorët në përputhje me kushtet e përgjithshme etj”, thuhet në raportin e KLSH.

Në total, për periudhën janar – qershor 2022, vetëm nga auditimi i procedurave të prokurimit ka një dëm ekonomik në shumën 207.334.000 lekë nga të cilat vlera 15.171.000 lekë në procedurë prokurimi dhe vlera 192.163.000 lekë gjatë zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve.

Po ashtu, në raport theksohet se janë konstatuar problematika të cilat lidhen me mungesën e sistemeve të kontrollit nga strukturat përgjegjëse të prokurimeve, shoqëruar me paligjshmëri të proceseve të prokurimit të fondeve publike, duke ulur efektshmërinë e qëllimit kryesor të ligjit për prokurimet publike, pra atë të sigurimit të dobishmërisë maksimale të fondeve të prokuruar. Pra vetë institucionet përgjegjëse, nuk e marrin mundimin të kontrollojnë punonjësit.

KLSH ka zbuluar abuzime me prokurimet në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në Bashkinë e Fierit, në Bashkinë Kolonjë, në KESH dhe në AlbPetrol.

Po ashtu janë zbuluar shkelje në zbatimin e kontratave për 20 subjekte, gjë e cila ka sjellë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në masën 192.163.000 lekë. Shkeljet e këtij grupimi fillojnë me problemet ne lidhjen e kontratave, aktet e marrjes në dorëzim, në mungesa apo problematika në kryerjen e punimeve të ndërtimit, inventarizim dosjesh etj. /Pamfleti

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here