Një ‘shtet’ 20 km i gjerë dhe historia e dy ish-oficerëve të KGB, sot miliarderë: Kush qëndron pas Sherif Tiraspol, klubi që mposhti Realin e Madridit

0

Nga Madalin Necsutu

Gazetar moldav i BIRN

Mposhtja e Realit të Madridit, 13 herë kampionë i Evropës, nga ana e Sheriff Tiraspol e ka vendosur klubin në hartën e futbollit botëror.

10 fitore të njëpasnjëshme në Evropë kanë bërë që klubi të sigurojë më shumë se 21 milionë euro – një pasuri e madhe për një klub të vogël futbolli, por jo ndonjë ndryshim i madh për xhepat e dy burrave që qëndrojnë pas tij.

Fitorja e Sheriff në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në Santiago Bernabeu ka vënë në qendër të vëmendjes dy ish-oficerët e KGB-së që e ngritën këtë klub futbolli dhe e bënë atë që ai është sot. Por futbolli nuk është interesi i tyre i vetëm.

Viktor Gushan dhe Ylia Kazmaly dominojnë ekonominë e Transnistrisë – rajoni separatist pro-rus i Moldavisë. Sheriff Tiraspol është thjesht pjesa me shkëlqim e perandorisë së biznesit “Sheriff” me interesa te havjari, makinat, karburanti, ilaçet, vodka, shërbimet hoteliere, telekomunikacioni, bankat, sigurimet, pronat e paluajtshme dhe media.

Sot, kompania “Sheriff” është kontribuesi më i madh privat në buxhetin e Transnistrisë, por ngritja e saj nuk ka qenë pa polemika.

Zgjerim i shpejtë

Një supermarket “Sheriff” në Tiraspol. Nga Madalin Necsut

Transnistria është rreth 400 kilometra e gjatë dhe më pak se 20 kilometra e gjerë. Ajo e konsideron veten një shtet, por nuk njihet jashtë kufijve të saj, madje as nga Rusia, e cila ka trupa në territorin e saj.

Transnistria dikur ishte xhevahiri i kurorës së ekonomisë moldave. Që nga lufta, Gushan, 58 vjeç, dhe Kazmaly, 59 vjeç, kanë filluar të kontrollojnë pjesën më të madhe të saj. E gjitha filloi në qershor 1993, kur Gushan dhe Kazmaly – të cilët mbajnë nënshtetësi moldave, ukrainase dhe ruse – themeluan kompaninë e tyre të parë, “Sheriff”.

Katër vjet më vonë, ata morën nën kontroll Agroprom-bank, banka më e madhe e rajonit rebel, dhe në 1998 ata themeluan Interdnestr-com, operatori i vetëm i telekomunikacionit në Transnistri, i cili filloi me kapital prej 1.6 milion dollarësh.

Në 2002, “Sheriff” mori “Bendet Starch Plant” dhe “Cereal Plant” të dyja në Tiraspol. “The bakery” pasoi në vitin 2005. Më pas erdhi fabrika e tekstilit Tirotex, e ndjekur në vitin 2006 nga Kvint, prodhuesi më i madh i pijeve alkoolike, kryesisht raki dhe verëra. Pastaj partnerët arritën të privatizojnë depon e naftës Tiraspol dhe fabrikën e vetme të materialeve të ndërtimit.

Zgjerimi vazhdoi edhe pas krizës financiare botërore, duke e lënë kompaninë “Sheriff” në krye të më shumë se gjysmës së kompanive të regjistruara në Transnistri. Në mars 2012, kompania u mor plotësisht nga Gushan, me Kazmaly si drejtor.

Akuza për spiunazh

Në fillim të vitit 2000, Interdnestrcom hyri në tregun ukrainas si “Inter-telecom”, duke u bërë një nga katër operatorët kryesorë të telekomit.

Në vitin 2016, shërbimi sekret ukrainas, SBU, filloi hetimin e Intertelecom të regjistruar në Rusi nën dyshimin e spiunazhit dhe përgjimit të telefonatave ukrainase celular në emër të ushtrisë ruse.

Një kompani qipriote offshore e quajtur Odinaco Limited mban 49 për qind të aksioneve të Intertelecom, ndërsa pjesa tjetër zotërohet nga një numër investitorësh ukrainas.

Odinaco Limited mburret me katër kompani offshore, në Qipro, Panama dhe Ishujt Virxhin Britanikë, sipas dokumenteve të publikuara nga media investigative moldave, RISE.

Intertelecom u bë i njohur për çuarjen e thirrjeve zanore dhe shërbimeve të internetit në zonat rurale të Ukrainës.

Në vitin 2014, dy muaj pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës, oligarkët e Transnistrisë e ri-regjistruan Intertelecom si një kompani ruse që operonte në Krimenë “ruse”.

Dokumentet nxjerrin si pronar të kompanisë së sapokrijuar Vyacheslav Chernikevich, një ish-drejtor i Interdnestr-com në Tiraspol dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Gushan, i cili drejton nga një rezidencë në Vilkovo, e ashtuquajtura “Venecia ukrainase” pranë deltës së Danubit.

Chernikevich gjithashtu merret me marrëveshjet mbi kripto-monedhat të kompanisë “Sheriff” në Transnistri.

Lidhje gjermane

Një fermë kripto-minierash në Transnistri u ndërtua në një fabrikë të vjetër sovjetike

Kur kripto-minierat filluan në Transnistri, “Sheriff” ishte e përfshirë në mënyrë të pashmangshme. Dihet qe minierat e kripto-monedhave duan sasi te medha energjie. Transnistria ka përfituar prej vitesh nga një furnizim falas me gaz nga Gazpromi rus, një burim energjie i lirë, të cilin mund t’ia shesin Moldavisë, ose ta përdorin në shtëpi.

Një pjesë tjetër e energjisë prodhohet nga termocentrali i “Sheriff”, Tirotex-Energo.

Ndryshe nga Moldavia, Tiraspol, nën liderin secesionist Vadim Krasnoselsky, i cili dikur punonte për Gushan në “Sheriff”, legalizoi prodhimin e kriptomonedhës në janar 2018.

Që më 24 të atij muaji një kompani në pronësi ruse, e regjistruar në Ishujt Virxhin Britanikë, e quajtur Goweb International Ltd, nënshkroi një kontratë prej 8.7 milionë dollarësh për t’i ofruar pajisje kripto-minierash kompanisë Tirsteklo në Tiraspol, edhe kjo në pronësi të “Sheriff”.

Njëkohësisht një tjetër kompani, por kjo me seli gjermane e quajtur Tirastel GmbH, gjithsesi në pronësi të Gushan, Kazmaly dhe një shtetasi gjerman, kishte importuar pajisje kripto-minierash me vlerë miliona dollarë që në vitin 2017, të cilat ia dërgoi në janar 2018, kompanive Tirsteklo dhe Interdnestrcom.

Viktor Gushan dhe Ylia Kazmaly

Kur vjen puna te investimet në media, gazetarët në Qendrën për Gazetari Investigative në Moldavi e lidhin Gushan dhe shtetasin gjerman Andreas Reich si pronarë të Kartina Digital GmbH, e themeluar në Wiesbaden, Gjermani, në vitin 2008, dhe e cila transmeton rreth 160 kanale ruse përmes teknologjisë IPTV si dhe TSV Transnistriane, në pronësi të “Sheriff”.

Kompania në fjalë u akuzua nga mediat gjermane për ndërmjetësimin e transmetimit të mesazheve ekstremiste nga Alternativa për Gjermaninë, AfD. Në kohën e fushatës u fol për publikimin e këtyre mesazheve “përmes ritransmetimit të kanaleve ruse”./gazeta dita

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here