Objektet antike, tregtarët: Ja çfarë preferohet më shumë

0

*Nga Besar Bajraktaraj

“Pazari i Ri” , është një nga lagjet më të vjetra të kryeqytetit që përdoret edhe për tregtimin e produkteve të ndryshme, kryesisht produkte të përdorura, por edhe produkte të vjetra. Mes dyqaneve dhe shitësve ambulantë në rrugë mund të gjenden edhe objekte të vjetra pothuajse antike, të cilat kanë një vlerë të madhe historike dhe kulturore, por që në shumicën e rasteve shiten në mënyrë të shkujdesur. Por ka edhe nga ata “tregtarë” që kanë dyqanet e tyre dhe kujdesen që t’i shesin këto objekte të vjetra.

Në një bisedë me tregtarët, ato tregojnë se biznesi i tyre funksionon duke i marrë mallrat dorë më dorë. Në përgjithësi këto objekte blihen nga koleksionuesit, por ka raste që janë vetë qytetarët që i shesin e më pas përfundojnë në dorë të tregtarëve te Pazari i Ri.

“Shumica e objekteve që shiten në dyqan janë objekte që mblidhen nga qytetarët e ndryshëm nga zona të ndryshme të Shqipërisë. P.sh., këto helmetat apo tapetet dhe kostumet e vjetra janë mbledhur nga e gjithë Shqipëria, sepse çdo njeri që lindte ka pasur kompletin me 24 objekte dhe me numër identifikues që gjendej në depo ushtarake. Të gjitha objektet që kam në dyqan unë i kam blerë dhe shumicën e tyre i sjellin njerëzit këtu te dyqani për t’i shitur”, – tregon Artur Susaj, njëri nga tregtarët që ndodhet në këtë zonë dhe që posedon një dyqan me objekte të vjetra.

Të njëjtën gjë na pohon edhe tregtari Elton Dyrmishi, që këto sende merren në zona të ndryshme të Shqipërisë. “Objektet që kam në dyqan i sjellin familjarët ose ka edhe raste që ne shkojmë dhe i blejmë nëpër rrethe apo edhe dyqane të qyteteve të tjera, me pak fjalë tregti është kjo që ne bëjmë”, – pohoi Dyrmishi.

Cilat objekte shitën më shumë? 

Mund të duket e pabesueshme që çdo njeri që ka përjetuar periudhën e komunizmit, por objektet e vjetra që kërkohen më shumë janë objektet shqiptare të kohës së komunizmit, të paktën kështu pohon tregtari Susaj.

“Më shumë shiten produkte shqiptare të kohës së komunizmit. Shumica e këtyre objekteve janë pikërisht nga koha e komunizmit, ku një pjesë e qytetarëve nuk kanë më nostalgji për këtë periudhë, dhe atë çfarë ato e kanë pëlqyer më parë tani e urrejnë dhe e hedhin, dhe ka një pjesë që i kërkon për t’i pasur dhe për të kujtuar të kaluarën. P.sh., dje kam marrë një makinë me rroba të vjetra ushtarake, dhe këto janë hedhur apo nuk kanë më nostalgji dhe nuk mund t’i shikojnë. Pothuajse janë 64% e popullsisë që janë shkatërruar në atë kohë, dhe këto që kanë qenë si të shkatërruar nga sistemi nuk mund t’i shikojnë më këto veshje të oficerëve që iu kanë ardhur në shtëpi apo edhe i kanë dëmtuar”, thotë ai.

Gjithashtu, në “menunë” e dyqanit të tij ndodhen edhe libra të ish-diktatorit Enver Hoxha. “Këto të tjerat janë libra të Enver Hoxhës, janë libra që ai i ka shkruar vetë dhe të botuar në Francë. Këtu të gjitha objektet që kanë ardhur janë me origjinë shqiptare, që nga viti 1910 e lart, por ka objekte edhe para vitit 1900, që janë disa nga kostumet që ndodhen në dyqan. Ka edhe objekte që janë të huaja, që i kanë marrë shqiptarët nga jashtë dhe pastaj i kanë sjellë në Shqipëri, derisa ka ardhur një kohë që nuk i kanë përdorur më dhe kanë vendosur t’i hedhin apo t’i shesin”, – rrëfen më tej tregtari.

Çmimet e objekteve të vjetra

Tregu i objekteve të vjetra në këtë zonë funksionon pak a shumë si një treg informal, për shkak të mosekzistencës së një çmimi fiks, edhe pse tregtarët pohojnë se ia paguajnë të gjitha detyrimet shtetit. Ata nuk kanë çmime fikse për shkak se mund të ndryshojnë nga koha dhe vjetërsia që ato kanë, dhe çmimet e tyre variojnë nga më të ndryshmet. “Këtu nuk ka çmime fikse, janë të ndryshme në varësi të objekteve. Në përgjithësi nuk është se ecin shumë, sepse janë gjëra luksi dhe njerëzit nuk janë të interesuar. Ata që blejnë, vijnë këtu dhe i shohin objektet me radhë e pastaj zgjedhin se çfarë duan të blejnë”, – pohoi tregtari Dyrmishi.

Veshjet tradicionale

Në dyqane të tilla ku shiten objekte antike me vlera të mëdha historike dhe kulturore, nuk mund të mungojnë edhe veshjet tradicionale. Veshjet tradicionale që shiten te Pazari i Ri, Artur Susaj i ka koleksionuar nga zona të ndryshme të Shqipërisë.

“Këto veshjet e tjera tradicionale janë që përdoreshin për dasma nga çiftet, sepse çdo njeri që martohej, martohej me një lloj uniforme. Këto veshje tradicionale që janë përdorur për martesë në kohë të mëparshme, përdoren edhe tani në një pjesë të Shqipërisë së veriut dhe Shqipërisë së jugut. Objektet e vjetra nuk është se shiten shumë, sepse ka rënë interesi për to, edhe nga të vjetrit, por edhe nga të rinjtë. Objektet kanë vlerë të veçantë sepse, po harruam të kaluarën e kemi të vështirë të ecim përpara”, – tha Susaj.

Mes objekteve të dyqaneve antike te Pazari i Ri, përveç veshjeve tradicionale gjejmë edhe një sërë objektesh të tjera me vlera historike dhe kulturore për vendin tonë. Mes këtyre objekteve mund të gjenden: rroba ushtarake, objekte shtëpiake, bizhuteri të ndryshme, ora, piktura nga më të ndryshmet, libra të vjetër, ku mes tyre mund të gjesh edhe një abetare shumë të vjetër, kartëmonedha shumë të vjetra, po edhe një sërë objektesh të tjera me vlera të veçanta.

*“Pazari i Ri’ ndodhet në rrugën “Qemal Stafa”, pranë sheshit “Avni Rrustemi” dhe shumë pranë qendrës së kryeqytetit.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here