OBSH jep një paralajmërim – Kievi u thotë banorëve të Khersonit dhe Mykolaivit të çliruar të largohen para se të fillojë dimri

0

Autoritetet ukrainase kanë nisur evakuimin e civilëve nga pjesët e çliruara së fundmi të rajoneve Kherson dhe Mykolaiv, nga frika se mungesa e nxehtësisë, energjisë dhe ujit për shkak të bombardimeve ruse do t’i bëjë kushtet e jetesës shumë të vështira këtë dimër.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ata u kërkuan banorëve të dy rajoneve jugore, të cilat forcat ruse i kanë bombarduar prej muajsh, të lëvizin në zona më të sigurta në pjesët qendrore dhe perëndimore të vendit.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk tha të hënën se qeveria do të sigurojë transport, strehim dhe kujdes mjekësor për ta, me përparësi për gratë me fëmijë, të sëmurët dhe të moshuarit.

Vereshchuk muajin e kaluar u kërkoi qytetarëve që tani jetojnë jashtë vendit që të mos kthehen në Ukrainë për dimër “për të ruajtur energjinë elektrike”.

E zyrtarë të tjerë kanë sugjeruar që banorët në Kiev ose gjetkë që kanë burimet për t’u larguar nga Ukraina për disa muaj, duhet ta bëjnë këtë për të kursyer energji për spitalet dhe objektet e tjera kyçe.

Ndërkohë OBSH dha një paralajmërim të hënën për ndikimin njerëzor të krizës energjetike në Ukrainë.

“Ky dimër do të jetë kërcënues për jetën për miliona njerëz në Ukrainë”, tha drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Dr Hans Henri P. Kluge.

“Sulmet ndaj infrastrukturës shëndetësore dhe energjetike nënkuptojnë se qindra spitale dhe objekte të kujdesit shëndetësor nuk janë më plotësisht funksionale, me mungesë karburanti, ujë dhe energji elektrike”.

 

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here