OKB: Numri i muslimanëve të Arakanit të ikur në Bangladesh arrin në 370 mijë

0
6

OKB: Arrin në 370 mijë numri i muslimanëve të Arakanit të ikur në Bangladesh

Zëdhënësi i Zyrës Koordinative për Çështje Humanitare pranë Kombeve të Bashkuara (OKB), Leonard Doyle njoftoi se numri i muslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladeshin fqinj nga dhuna në Mianmar që nga 25 gushti ka arritur në 370 mijë.

“Numri i personave që kanë kaluar kufirin nga 25 gushti ka arritur në 370 mijë. Kjo është një rritje e papritur”, tha Doyle në një konferencë për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.

Doyle dje deklaroi se numri i muslimanëve të Arakanit të ikur në Banglaesh kishte arritur në 313 mijë. I pyetur nga AA për shkaqet e rritjes së shpejtë të këtij numri, Doyle tha se bilanci është rritur pasi një numër i madh i refugjatëve të paregjistruar që kishin kaluar kufirin kanë vërshuar drejt zonave për qëndrim të përkohshëm për t’u furnizuar me ndihma humanitare.

Ndërkaq, Jean Lieby, drejtor i Departamentit për Ndihmë për Fëmijët pranë Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF), tha se nuk sheh ndonjë sinjal për ndaljen e rrjedhës së refugjatëve nga Arakani që vijnë në Bangladesh.

“Jemi përballë një vale refugjatësh të paprecedent”, theksoi ai.

“60 për qind e refugjatëve janë fëmijë”

Lieby informoi se 60 për qind e refugjatëve që kanë kaluar kufirin janë fëmijë, duke shtuar se “shumë fëmijë janë të sëmurë, ndërsa disa të tjera kanë përjetuar trauma për shkak të rrethanave me të cilat janë përballur”.

Ai tha se në kampe ka nevojë për ujë të pastër në mënyrë që të parandalohen sëmundjet që ngjiten përmes ujit. Ai nënvizoi se 20 mijë fëmijë të Arakanit kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Lieby më tej vuri theksin edhe mbi rëndësinë e procesit arsimor të fëmijëve, duke shtuar se nevojitet në mënyrë urgjente të sigurohet arsim për 68 mijë fëmijë.

Ndryshe, zëdhënësja e Komisariatit të Lartë për Refugjatët pranë Kombeve të Bashkuara (UNHCR) Duniya Aslam Khan dje për AA bëri të ditur se nga 25 gushti 313 mijë muslimanë të Arakanit kishin kaluar në Bangladesh.

Ndërkaq, të premten e kaluar ajo tha se bilanci i muslimanëve Rohingya të ikur nga Arakani ishte 270 mijë dhe se parashihet që kjo shifër do të mbetet në më së shumti rreth 300 mijë. (AA)

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here