OKB, Vuçiç bën thirrje kundër Kosovës në UNESCO

0
OKB, Vuçiç bën thirrje kundër Kosovës në UNESCO

Ka qenë radha e Aleksandar Vuçiç të mbante një fjalim në OKB, e presidenti serb shfrytëzoi rastin për të prekur mes të tjerash edhe çështjen e Kosovës.

“Siç e dini të gjithë, ne nuk e njohim shpalljen e njëanshme të Pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë”, tha kreu i shtetit serb, por unë këtu dua të flas mbi përpjekjet tona për zgjidhjen e një problemi shekullor. Gjithçka e arritur deri tani, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, ka qenë rezultat i kompromiseve të vështira, me lëshime të bëra nga të dyja palët, por më shumë nga ana jonë”, vazhdoi ai.

Progresi i qenësishëm i regjistruar përgjatë të gjithë këtij procesi konfirmon në bindjen e kreut të shtetit serb, konstruktivitetin dhe gatishmërinë e Beogradit për dialog. Por, ndonëse ai vet është nismëtari i nisjes së një dialogu të brendshëm në vend, që mund të shërbejë si prelud i heqjes së preambulës së Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, nga foltorja e OKB-së ai bëri thirrje që Kosova të mos pranohet në UNESCO, një ndërhyrje kjo që nuk pasqyrohej në fjalimin zyrtar, por ishte rezultat i një njoftimi të minutave të fundit.

“Përpara se të hyja në këtë sallë mora një informacion, sipas të cilit autoritetet e Prishtinës njoftuan se kanë siguruar shumicën e nevojshme për statusin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Ju bëj thirrje të gjithëve, që të mos e lejoni një gjë të tillë, duke kujtuar se ata njerëz morën pjesë në shkatërrimin e manastireve dhe kishave serbe”, tha Vuçiç.

Mediet serbe raportojnë se Vuçiç u takua në Nju Jork me presidentin amerikan Donald Trump, të cilin e ftoi të vizitonte Serbinë, e përgjigjja duket se ka qenë pozitive. “Kur e ftova – deklaroi kreu i shtetit serb për reporterët, – i shpjegova në mënyrë të detajuar se përse ishte e nevojshme që të vinte në Serbi. I thashë se atje do të jetë i mirëpritur dhe se prania e tij do të tregojë sesa shumë e duan serbët këtë miqësi”.

“Kalova më shumë kohë me Trumpin, sesa me të tjeret”, shpjegoi më tej ai, duke treguar se kjo vëmendje i detyrohet ndoshta faktit që bashkëshortja e tij Melania, me të cilën ka folur në serbisht e sllovenisht, vjen nga i njëjti rajon.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here