Organet financiare ndërkombëtare përmirësojnë parashikimet e rritjes për Turqinë

0

Berlin
Pavarësisht ngushtimit të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) në zinxhirin global të furnizimit, rimëkëmbja ekonomike e Turqisë, përparimi i saj në vaksinimin e popullsisë kundër COVID-19 dhe tendencat e saj të forta të prodhimit industrial kanë rezultuar në përmirësimin e parashikimeve të rritjes së vendit nga organizatat ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekonomia turke regjistroi një rritje prej 1,8 për qind në vitin 2020, edhe pse ekonomia globale u godit nga pandemia, si dhe këtë vit e ka ruajtur këtë vrull të rimëkëmbjes, veçanërisht me rritje dyshifrore të prodhimit industrial.

Sipas të dhënave nga Instituti Turk i Statistikave (TurkStat), ekonomia e vendit e cila u rrit për 7,2 për qind në tremujorin e parë të vitit 2021, regjistroi një rritje prej 21,7 për qind në tremujorin e dytë me ndihmën e efektit bazë, duke gëzuar normën e saj më të lartë të rritjes në seritë e reja të shpallura që nga viti 1999.

Turqia, së bashku me Kinën, ishte ndër vendet e pakta që arriti të rrit ekonominë e saj vitin e kaluar, duke u bërë vendi me normën e dytë më të lartë të rritjes në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) pas Mbretërisë së Bashkuar.

Në muajin gusht, prodhimi industrial në Turqi u rrit me 13,8 për qind në baza vjetore dhe me 5,4 për qind në baza mujore.

Analistët presin që kjo prirje e rritjes të vazhdojë dhe të ketë një efekt pozitiv në rritje, me mundësinë për të sjellë më shumë përmirësime të parashikimeve të rritjes në të ardhmen.

Organizatat kryesore ndërkombëtare njëra pas tjetrës kanë filluar të përmirësojnë parashikimet e tyre të rritjes për vitin 2021 për Turqinë, në mes të rimëkëmbjes së vazhdueshme ekonomike globale nga pasojat ekonomike të pandemisë dhe përparimit në procesin e vaksinimit.

OECD rishqyrtoi parashikimin e saj të rritjes ekonomike për Turqinë me 2,7 pikë përqindje, me prodhimin e brendshëm bruto (PBB) të vendit që pritet të rritet me 8,4 për qind në vitin 2021.

Pritet që Turqia në vitin 2021 të renditet e para midis vendeve të OECD-së për sa i përket rritjes ekonomike dhe e treta midis vendeve të G20-tës, pas Indisë dhe Kinës.

Banka Botërore po ashtu rriti parashikimin e saj për Turqinë në vitin 2021, respektivisht në 8,5 për qind rritje ekonomike.

Po ashtu edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në raportin e tij të fundit të ‘Perspektivës Ekonomike Botërore’, ngriti parashikimin e tij të rritjes për ekonominë turke në vitin 2021, respektivisht nga 5,8 për qind në 9 për qind.

Për vitin 2022, FMN parashikoi rritje të ekonomisë turke në 3,3 për qind, si dhe ulje të papunësisë në vend në 11 për qind.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here