Pas Koresë së Veriut, edhe Irani kërcënon SHBA-të

0

 

Pas kërcënimeve të Koresë së Veriut dhe liderit Kim Jong Un, ishte lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, që paralajmëroi kundër çdo “lëvizjeje të gabuar” nga ana e Trumpit për marrëveshjen bërthamore me Iranin.

 “Çdo lëvizje e gabuar nga regjimi autoritar (në lidhje me marrëveshjen bërthamore) do të përballet me reagimin e Republikës Islamike”, tha Khamenei, sipas televizionit shtetëror.

Administrata e ish-Presidentit Obama arriti një marrëveshje bërthamore me Iranin në korrik të vitit 2015, ndërsa Presidenti Donald Trump tha javën e kaluar se Irani po shkelte “shpirtin” e marrëveshjes, e cila solli lehtësimin e sanksioneve amerikane ndaj Teheranit.

Trump vazhdimisht ka kërcënuar se do ta prishte marrëveshjen, me argumentimin se i siguron regjimit iranian miliarda dollarë, të cilat më pas përdoren nga Teherani për të mbështetur grupet anti-amerikane në Lindjen e Mesme.

Por lideri suprem Khamenei tha se “Irani, i cili është një shtet i fuqishëm, nuk do të përkulet para presionit”.

Kjo nuk është hera e parë që figura më e lartë fetare e Iranit kërcënon në rast se SHBA-të dhunojnë marrëveshjen. Në qershor 2016, ai vuri në objektiv fushatën presidenciale të Trumpit, kur ky i fundit zotohej të prishte marrëveshjen.

Asokohe ai tha se nuk do të jetë Irani shteti i cili do të shkelë marrëveshjen bërthamore i pari, por nëse zotimet e kandidatit për president të SHBA-ve viheshin në jetë, atëherë Republika Iraniane “do t’i vinte zjarrin marrëveshjes”. 

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here