Peleshi në konferencën për sigurinë: Shqipëria ecën nën platformën “NATO 2030”

0

Sfidat e sigurisë dhe roli i Shqipërisë si faktor orientues në Ballkanin Perëndimor ishin tema e konferencës shkencore, organizuar nga Akademia e Forcave të Armatosura dhe Instituti i Kërkimeve Shkencore Ushtarake.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili teksa vuri në dukje kërcënimet dhe rreziqet që i kanosen të gjitha shteteve, theksoi se në situatën e sotme kërkohet një përgjigje e përbashkët.

“Bota sot po përjeton një situatë komplekse të mbushur me sfida, kërcënime e rreziqe, të cilat kanë impakt mbi të gjithë shtetet dhe natyrisht kërkojnë një përgjigje të përbashkët. Në këtë kontekst, adresimi i këtyre sfidave në mënyrë thelbësore, analiza e tyre, shkaqet e faktorët, burimet e aktorët, nxjerrin si detyrim më së pari një analizë të thellë e shumëplanëshe. Ne si vend anëtar i NATO, por edhe si vend i vendosur në qendër të një rajoni nga më dinamikët, në kuptimin edhe të sfidave të sigurisë, jemi padyshim të detyruar dhe të dëshiruar të ecim me ritmin e Aleancës nën platformën “NATO 2030”. Mesazhi kryesor që na dha Samiti i Brukselit, është përfshirja e të gjithë aktorëve dhe faktorëve në hartimin e politikave për të ardhmen. Problemet e sigurisë dhe të mbrojtjes, nuk mund të jenë detyrë vetëm për ushtarakët. Motoja e “NATO 2030” është: “Aleanca jonë duhet të jetë gati sot, për t’u përballur me sfidat e së nesërmes”, – u shpreh Peleshi.

Peleshi tha se objektivi kryesor i qeverisë shqiptare në fushën e mbrojtjes është mbrojtja e interesave kombëtare, parandalimi i konflikteve dhe kontributi për stabilitetin rajonal e më gjerë. Ai u ndal veçanërisht te lufta kibernetike, ku përmendi edhe faktin se pas pak javësh Ministria e Mbrojtjes do të marrë një rol shumë të rëndësishëm kombëtar sa i përket sistemeve të mbrojtjes kibernetike.

“Jo vetëm në raport me sistemet ushtarake, por në bazë të vullnetit politik ne do të jemi institucioni qendror i politikave, rregullave, standardeve të mbrojtjes kibernetike, jo vetëm për hapësirën e sigurisë dhe mbrojtjes ushtarake, por edhe për të gjithë sistemet e tjera infrastrukturës kritike qofshin këto civile apo private. Ne jemi duke zhvilluar një projekt, së shpejti do ta jetësojmë në partneritet me aleatin tonë strategjik SHBA, për sistemin e mbrojtjes kibernetike të sistemeve tona ushtarake, por nga ana tjetër në këtë fushë përgjegjësie ne do të ngremë kapacitetet për të hartuar politika, rregulla, standarde të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet publike dhe private që i përkasin infrastrukturës kritike”, u shpreh Peleshi.

Duke theksuar transformimin rrënjësor edhe të Akademisë së FA, ministri i Mbrojtjes kërkoi zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor dhe përthithjen e mendimit të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kreu i Akademisë së FA, gjeneral brigade Albert Mullai.

/ATSH

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here