Peleshi-opozitës: T’i lëmë dallimet, bashkë për të përballuar situatën

0

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i kërkoi sot të gjitha bashkive të përdorin fondin e alokuar prej 10 milionë dollarësh nga buxheti i shtetit për përballimin e emergjencave.

Në një takim në Prefekturën e Shkodrës lidhur me situatën nga reshjet e shiu, Peleshi tha se “kemi ndarë 10 milionë dollarë vitin e kaluar, 10 milionë dollarë po ndajmë tani me buxhetin e ri. Pikërisht për këto lloj situatash është menduar të përdoret ai fond. Nëse kemi një familje apo fshat në pamundësi për të bërë furnizime me ushqime apo veshje, ky është rasti, kjo është mundësia”.

“Bashkitë duhet të asistojnë. Patjetër ne duhet të jemi në dispozicion me Rezervat e Shtetit. Nëse do Zoti, nuk është e nevojshme, nëse do të ketë nevojë për më shumë mbështetje ne jemi në mbështetje, patjetër. Kjo situatë nuk është e krahasueshme me atë që kemi kaluar në vitet e shkuara”, tha Peleshi.

Peleshi u shpreh se “shpresoj të ketë përmirësim të situatës me rënie të prurjeve dhe reshjeve dhe të fillojë kullimi i tokave që janë nën ujë. Të shpëtojmë njerëzit që janë në krizë, por edhe t’i mbështesim me ushqime e veshje. Kemi dhe shërbimin shëndetësor që është në gatishmëri për çdo rast të nevojshëm. Janë 240 trupa përforcuese”.

Ministri bëri të ditur se “kemi dislokuar mjete të shumta edhe 120 trupa shtesë, edhe mjete motorike për lundrim apo për të lehtësuar kalueshmërinë e njerëzve. Kemi ndihmuar në evakuimin e familjeve në Shkodër”.

Peleshi shprehu gjithashtu keqardhjen për humbjen e jetës së babë e bir dje në Bogë, Shkodër.

Lidhur me akuzat e opozitës, Peleshi tha se “t’i lëmë dallimet e të bëhemi bashkë për të përballuar situatën. Më vjen keq që hapet panik duke kujtuar 2010, jemi shumë larg skenarit të 2010-ës dhe që prej atij viti nuk është përsëritur më ai skenar”.

“Spahia dhe gjithë kryebashkiakët e tjerë janë të ftuar të ulemi në tavolinë dhe të ndihmojmë duke koordinuar forcat. Sot nuk ka lidhje politika”, tha Peleshi./ATSH

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here