Për shqiptarët gjithnjë kohë tërmetesh dhe rrëmetesh

0
15

Abdi BALETA

Tërmetet janë prej kohësh objekt vëzhgimi e studimi nga shkenca e sizmologjisë. Janë përcaktuar tashmë zonat e globit me sizmicitet të lartë, njëfarë rregullshmërie në rënien tërmeteve të forta dhe masat që njeriu mund të marrë për të ulur efektet e dëmprurëse të goditjeve. Shqipëria konsiderohet si një zonë ku bien edhe tërmete të forta. Banorët e tanishëm të Shqipërisë kanë përjetuar disa herë lëkundje të forta të tokës, me rrjedhoja të rënda në njerëz e dëmtime materiale. Dy tërmetet e fundit, më 21 shtator dhe 26 nëntor 2019, që shkaktuan 51 viktima njerëzore, janë konsideruar si më të fortët gjatë 40 viteve të fundit. Dëmet materiale që duhen ndrequr ende nuk janë llogaritur plotësisht. Edhe më e vështirë tani është të përllogariten dëmet që do të pësojë ekonomia e vendit nga çrregulimet e gjithfarshme, sidomos në turizmin e vitit 2020, si dhe kapërcimi i gjendjes së rënduar psikologjike të banorëve në zonat më të goditura, në ultësirën Durrës-Tiranë-Kavajë-Krujë-Kurbin-Lezhë. Të gjithë mekanizmat e shtetit e të shoqërisë shqiptare pas detyrimit të parë për marrjen e masave të kapërcimit të pasojave tërmetit do të jenë edhe nën trysninë e psikozës së gjetjes e të ndëshkimit të fajeve të fajtorëve për gatishmërinë e ulët në përballimin e fatkeqësisë natyrore. Fatmirësisht, opinioni publik është ndjerë disi i lehtësuar që ndërtimet në Shqipëri e kaluan më mirë sesa mendohej “provën e tërmetit të fuqishëm”. Por, kjo nuk duhet të ndikojë për të mbyllur shpejt e lehtë kapitullin e hetimeve mbi rreziqet që janë krijuar deri sot nga ndërtimet e bëra pa rregull, kuturu e pa kontrolle të mjaftueshme teknike e urbanistike.

Gjatë përballimit të pasojave të para të rënda autoritetet shtetërore, mekanizmat shoqërore, familjet dhe individët zbuluan edhe mangësitë shumta të lejuara e të grumbulluara gjatë dekadash në përgatitjet për përballimin e një fatkeqësie natyrore, si tërmeti i fortë. Fatkeqësisht, shteti shqiptar nuk është ende ai që duhet të jetë për raste si këto. Fatmirësisht shteti dhe shoqëria shqiptare patën solidaritetin e ndihmën e menjëhershme nga shumë vende, qeveri, mekanizma ndërkombëtarë, organizata bamirësie dhe individë nga jashtë. Ky solidaritet ua lehtësoi gjendjen të dëmtuarve. Jo vetëm shqiptarëve të zonave të goditura, por gjithë Shqipërisë ua ngrohën zemrat në mënyrë të veçantë reagimet e shpejta e bujare të vëllezërve nga Kosova. Bëri një përshtypje të veçantë hyrja e menjëhershme, në rregull të plotë. e kolonës së ushtrisë së Kosovës. Ishte një provë e shkëlqyer e ndryshimit të madh që ka ndodhur në jetën e Kosovës e të tërë kombit shqiptar. Por, ishte pezmatuese që kryeministri i Shqipërisë, për inat të kryeministrit të Kosovës, nuk e përmbajti dot veten dhe lëshoi shprehjen pa vend “ushtrinë Kosovës ia kanë bërë vëllezërit amerikanë”.

Në kohën e qeverisjes komuniste, kur ndodhnin fatkeqësi të rënda natyrore, Shqipëria refuzonte ndihmat nga jashtë, sepse regjimi diktatorial donte të mburrej që çdo gjë mund ta ndreqte vetë. Kjo psikologji e çuditshme pushtetore sot është kapërcyer. Por, vumë re një mobilizim qeveritar me sjellje si prej ”lypësi të rrugës” për të zhvatur nga jashtë sa më shumë të holla në vend të ndihmave materiale, si duket për të mbyllur edhe ndonjë vrimë buxhetore. U vunë re edhe një dukuri psikologjike pakëz e panatyrshme për traditën shqiptare para fatkeqësisë natyrore, si teprimet emocionale dhe skenarizimet çmobilizuese gjëmëndjellëse. Kësaj dukurie i dhanë nxitje e jehonë edhe një pjesë e gazetarëve të shtypit e të mediave televizive me melodramatizime e politizime të panevojshme të episodeve fatkeqe. Nuk kanë munguar as veprimet spekuluese për ngritjen nga pronarët privatë të qirave të banesave për të mbeturit pa strehë, meqenëse atyre u është premtuar ndihmë financiare nga shteti. Dhe, më e turpshmja është se pasojat e tërmetit u përdorën nga politika e politikanët si rast për të acaruar luftën politike me kundërshtarët.

Tani i pamë edhe më dukshëm pasojat e goditjeve të pandërprera që ka marrë shteti shqiptar gjatë gjithë kohës së shtetndërtimit të tij. Shqiptarët kanë përjetuar shumë tërmete, jo vetëm natyrore, por kanë kaluar nëpër shumë rrëmete politike, ekonomike, kulturore, fetare e psikologjike, që u kanë sjellë dëme edhe më të mëdha se tërmetet e mirëfilltë. Një sizmolog shqiptar ka shpjeguar se “tërmeti i 26 nëntorit 2019 ka çliruar rreth 80% të energjisë së akumuluar prej 90 vitesh në rajonin ku ai ra”. Kjo periudhë kohore përkon me atë të pas tërmetit të rënë në vitet kur sapo kishte filluar ndërtimi i shtetit të parë shqiptar. Viti 2020 shënon jubileun e njëqindvjetorit të fillimit të punës për këtë shtendërtim, bazat e të cilit u hodhën në Kongresin e Lushnjës në janar të vitit 1920. Qysh nga ajo kohë, përveç fatkeqësive të shumta natyrore, shteti ka parë shumë rrëmete politike, që nuk e lanë ta merrte veten pas katastrofës kombëtare të viteve 1912-’13, kur kombi e atdheu i shqiptarëve u ndanë më dysh. Për paradoks dhe ironi, në një ekspozitë karikaturash të hapur në Tiranë, një autor serb e ka përfytyruar simbolin e tërmetit si një mur fasade ndërtese i çarë në dysh që ka ndarë fëmijën nga krahët e nënës.

Ashtu si energjia e grumbulluar nga tensionet sizmike, edhe energjia rrënuese e tensioneve të krijuara nga rrëmetet e rrëmujat politike vazhdon të sjellë pasoja të rënda. Rrëmeti i Luftës së Dytë Botërore dhe vendosja e regjimit diktatorial komunist për gati gjysmë shekulli ishin një rrëmet i pandërprerë në Shqipëri. Shqiptarët e humbën të drejtën e pronës dhe pasuritë që kishin nga shtetëzimet absurde, e humbën lirinë e mendimit e të fjalës, mundësinë për lëvizje të lirë jashtë e brenda vendit etj. Dhe, më në fund, provuan kolaps ekonomik e politik të tërë sistemit shtetëror e pushtetor. Këto rrëmete i shtynë shumë shqiptarë t’i dobësonin lidhjet shpirtërore me vendin e tyre, sikurse e pamë gjatë eksodeve masive në fillimet demokracisë. Ndonëse Shqipëria ka humbur tashmë afër 40% të popullsisë së saj gjatë tri dekadave të fundit, rrëmeti i braktisjes vazhdon. Një rrëmet i madh është bërë zhvatja e pasurive shtetërore të trashëguara nga koha e komunizmit dhe e çdo gjëje tjetër që u ka dhënë natyra shqiptarëve. Pasojat e këtij rrëmeti privatizues janë edhe më të rënda se pasojat e rrëmetit shtetëzues që bëri komunizmi. Një rrëmet më vete janë ndërtimet kaotike. Shteti, pushteti dhe politika nuk i japin dot më dum punës se ku janë, nga duhet ta nisin shërimin e plagëve të shumta nga të cilat po vuan Shqipëria.

Të gjithë, shqiptarë e të huaj, lëshojnë kushtrimin se Shqipërisë e shqiptarëve po ua zë frymën korrupsioni, dëmet e të cilit gjatë 30 viteve janë shumë më të rënda se dëmet që solli për 30 sekonda tërmeti i 26 nëntorit. Dëmtimet nga tërmeti do të zhduken brenda një kohe të shkurtër. Dëmet nga korrupsioni do të vazhdojnë për një kohë shumë të gjatë. Zhurma antikorrupsion, që bëhet tani, është një rrëmet e rrëmujë më vete. Bataku i korrupsionit në Shqipëri duhet të thahet, jo thjesht të dezinfektohet, siç duken gjasat se po veprohet. Korrupsionin në Shqipëri nuk e bëjnë dhe nuk e ushqejnë vetëm shqiptarët. Korrupsioni shqiptar është edhe produkt ndërkombëtar.

Rrëmuja dhe rrëmeti politik në Shqipëri gjatë vitit që lamë mori përmasa e ngjyrime më shqetësuese se më parë për shkak të luftës së paparimtë për pushtet; të kërcënimeve për përmbysje revolucionare të pushtetit, të përbetimeve të pushtetit se do ta mbrojë deri në fund arbitraritetin e vet dhe nuk do t’u lë shqiptarëve alternativë tjetër qeverisjeje, veç kësaj që është sot në fuqi ose pastaj do të bien nga shiu në breshër. Nuk është e gabuar përshtypja se në Shqipëri veprojnë tashmë disa pushtete paralele, madje edhe shtete të veçuara virtuale. Para dy vitesh u duk si shaka ekzibicioniste kur kryetari i PD-së dhe prijësi i aksionit të “çadrizmit opozitar” shpalli “Republikën e re”. Prej disa kohësh kjo “republikë virtuale” ka një kryetar të saj faktik, vetë presidentin e Republikës zyrtare të Shqipërisë. Republika e Shqipërisë ka parlamentin më të çuditshëm në botë. Parlamentarët opozitarë të sotëm kanë marrë mandatet rezervë të partive të tyre në kundërshtim me vendimet e partisë. Pra, partitë opozitare parlamentare edhe janë fizikisht, por jo politikisht të pranishme aty. Pushteti qeverisës i PS-së në sallën e parlamentit trajton si palë opozitare normale grumbullin e deputetëve zëvendësues të PD-së, që vetë PD-ja ua mohon tagrin e përfaqësimit të saj. Këto zhvillime e kanë përdhosur deri në skajshmëri gjendjen politike në Shqipëri. Deputetët parlamentarë opozitarë janë dy here të fyer: nga shumica qeverisë dhe nga vetë partitë në emër të të cilave qëndrojnë në parlament. Dhe, nga një parlament i tillë pritet të merren vendime me shumë rëndësi, sidomos për reformën zgjedhore, plaga më e rëndë e demokracisë, një reformë që nuk do të kishte kuptim pa ndryshimin e sistemit zgjedhor, gjë që nuk e duan as PS-ja qeverisëse, as pjesa e opozitës jashtë parlamentare e PD-së.

Në muajt e fundit të vitit 2019 u ngritën mekanizmat e parë që duhet ta shëndoshin gjendjen e mjerueshme në pushtetit gjyqësor (i treti sipas skemës së ndarjes së pushteteve) në Shqipëri, çka duhet ta përmbyllte fazën organizative të reformës në drejtësi, për të cilën për 4 vjet me radhë është bërë një zhurmë e madhe brenda në Shqipëri dhe që SHBA-të e BE-ja e kanë quajtur eksperimentin shqiptar që duan ta kthejnë në model për vende të tjerë. Ende nuk mund të krijohet bindje e fortë se ky eksperiment do të japë shpejt rezultatet e dëshiruara e të premtuara. Rrjedhojat e rrëmetit që ka karakterizuar drejtësinë në Shqipëri gjatë tri dekadave do të jetë më e vështirë të zhduken se pasojat e një tërmeti të rëndë. Këtë na e vërteton rrëmeti i krijuar në muajt e fundit të vitit 2019 për shkak të projektit qeveritar të quajtur “paketa anti-shpifje” për të vënë nën kontrollin e ndëshkimit ligjor propagandën që bëhet tani nëpërmjet portaleve. Ka pasur reagime të forta kundërshtuese ndaj këtij projekti, brenda e jashtë Shqipërisë, me argumentin se kemi të bëjmë me censurë qeveritare, me rikthim në metodat e diktaturës komuniste për ta ndrydhur lirinë e shtypit e të fjalës. Përkrahësit e nismës qeveritare mbështeten tek nevoja për të frenuar keqpërdorimin e fjalës së lirë e të lirisë së shtypit në dëm të dinjitetit të njerëzve dhe të funksionimit normal të demokracisë.

Shqiptarët u gëzuan shumë para 30 vitesh kur lindi shtypi opozitar dhe i ndjenë të mirat e fjalës së lirë. Por, bashkë me këtë mrekulli, u shfaq dhe një ligësi në shtypin e lirë nëpërmjet keqpërdorimit të fjalës së lirë. Angazhimi në politikë dhe në publicistikë më ka vënë qysh në fillim në pozitën që të njoh nga përvoja personale dy anët e debatit që zhvillohet tani. Ndoshta kam qenë i pari në Shqipëri që mora përsipër të bëja mbrojtjen avokatore të lirisë së shtypit në vitin 1992 nga sulmet gjyqësore që kurdisi një shtetas francez, kur ngriti padi për “diffamation” (shpifje e fyerje bashkë) kundër gazetës “Balli i Kombit” dhe gazetarëve të saj. Në atë kohë u arrit që ky atentat i parë kundër lirisë së shtypit në Shqipëri të ndalohej pa e bërë dëmin e tij. Ndoshta jam edhe i pari që u bëra viktimë e një procesi gjyqësor (jo penal, por për dëmshpërblim moral civil) për “diffamation”, sipas kërkesë-padisë së ish-Kryeministrit të Shqipërisë, “demokratit” Aleksandër Meksi, vetëm se i kisha drejtuar ish-Presidentit të Republikës (Sali Berisha) në vitin 2001 pyetjen “a e ke ditur se Aleksandër Meksi është bir i një oficeri të ushtrisë greke, kur e ke propozuar dy herë për kryeministër të Shqipërisë?”. Mbështetesha në të dhëna të pakundërshtueshme të botuara më herët, si në Shqipëri dhe në Greqi. Gjykata e shkallës së parë e hodhi poshtë si të pabazuar në ligj e në prova kërkesë padinë e Meksit, por një treshe gjyqtarësh të Apelit e pranuan atë kërkesë padi me arsyetime tërësisht absurde. Nga kjo treshe, relatori Edmond Gogo më pas është ndëshkuar si gjyqtar që cenonte drejtësidhënien me qëndrimet e tij; Shpresa Beça, që me propozim të Presidentit Bamir Topi u gradua deri kryetare e Gjykatës së Lartë, por edhe ajo u përmend në shtyp si e implikuar me politikë për përfitime personale dhe nuk ka guxuar ta vë veten në pozicione që kërkojnë kalimin në procesin e vetingut; si dhe Tom Ndreca, që u bë gjithashtu gjyqtar i Gjykatës së Lartë, por tashmë ai është shkarkuar gjatë procesit të Vettingut si i papërshatshëm për këtë profesion dhe i është hequr për 15 vjet e drejta të rintegrohet në shërbimin gjyqësor. Gjykata e Lartë e asaj kohe, e drejtuar nga Thimio Kondi, nuk e bëri detyrën për të rimarrë çështjen shqyrtim, kur refuzoi ta kalonte atë në seancë të rregullt gjyqësore, pra duke refuzuar gjykimin, dhe la kështu në analet e drejtësisë shqiptare një episod skandaloz nga pikëpamja juridike dhe politike. Tani të gjithë e dinë historinë e shëmtuar të ekipeve që kanë kaluar si drejtësidhënës në Gjykatën e Lartë. Por, edhe më i shëmtuar ka qenë atëherë qëndrimi i gazetarëve të Shqipërisë, që në atë kohë nuk e ngritën zërin kundër një prej përdhosjeve të tilla të vlerave të lirisë së shtypit, megjithëse ata do të ishin më pas të kërcënuarit nëpërmjet gjykatave.

Jam politikani dhe publicist i sulmuar më shpesh e më poshtërsisht në shtyp, me gjuhë shpifëse e fyese në Shqipëri dhe në Kosovë, ku janë bërë deri edhe libra ku numërohen deri 300 shpifje monstruoze. Këtyre shpifjeve nuk kam menduar asnjëherë t’u kundërvihem me padi në gjykata, po kam përdorur kundër tyre armën e demaskimit publicistik.

Këto përvoja më kanë bindur se, krahas mbrojtjes së lirisë së shtypit, nuk duhen lënë pas dore as frenimi dhe ndëshkimi i ligësive që u bëhen njerëzve nëpërmjet shtypit dhe fjalës së lirë. Për ta vazhduar kontributin tim në këtë drejtim kam vendosur të përgatis një përmbledhje shkrimesh nën titullin “Liria dhe ligësia e shtypit”, ku trajtim të posaçëm kanë dhe dy dukuri shqetësuese: futja nga partitë në politikën shqiptare të “kulturës së denigrimit publik” dhe nxitja e shfrytëzimit nga drejtues të pushtetit, nga politikanë ose zotërues mediash të dukurisë së “vrasësve me pagesë në publicistikë”. Për mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe frenimin e ligësive të shtypit nuk ka nevojë për male dispozitash ligjore, por për shëndoshjen sa më parë të pushtetit gjyqësor.

Nuk mund të rri pa ndarë me lexuesin edhe disa mendime rreth “rrëmetit diplomatik” në politikën e jashtme zyrtare të Shqipërisë pas “samitit të tretë sllavo-shqiptar” mbi “minishengenin ballkanik”, që u mbajt në Tiranë e Durrës më 21-22 dhjetor 2019. Skenografia që na u paraqit në ekranet televizive ishte tejet dëshpëruese dhe fyese për interesat e sedrën shqiptare. Dukej sikur ishin rreshtuar tre gjykatës nga tre shtete sllave ortodokse dhe ia kishin lënë një shqiptari (ortodoks i konvertuar në katolik) rolin për të qenë ai prokurori i rreptë ndaj politikës së Kosovës dhe udhëheqësve të saj. Presidentit serb Vuçiq i ndriste fytyra, kur pretencën për dënimin e politikës së Kosovës po e mbante kryeministri i Shqipërisë. Ndoshta Vuçiqit i është dukur vetja në ato çaste si realizuesi i “profecisë” së presidentit serb, Koshtunica, që dikur pat hedhur idenë se: “Pas rënies së Sllobodan Milosheviqit konflikti i vetëm në Ballkan do të jetë konflikti i brendshëm midis shqiptarëve”. Prandaj Vuçiqi, me një “qortim dashamirës”, e nxiti Ramën të shkonte sa më larg në këtë rrugë kur tha: “U zemërova me mikun tonë Edi se gjithë kohës duket se mbrohet. Pse të mbrohemi nga ata që duan të na çojnë mbrapa më shekullin 16-17, të na shohin sërish të luftojmë me njëri-tjetrin”. Pra, Vuçiqi kishte ardhur në Shqipëri t’u thoshte shqiptarëve që ta ndjekin rrugën që po e shtrojnë ai bashkë me Ramën. Ndryshe nuk mund të kenë përsëri luftë nga Serbia. Ai pati guximin e “mysafirit” të pasjellshëm që t’i thoshte Ramës të mos ua vë veshin atyre që do të kritikojnë, por që “bëjnë si të them unë”. Asnjë nga argumentet që po përdor Rama nuk kanë vlerë para synimeve e kërcënimeve të tilla të Serbisë, që Kosovën ta izolojë nëpërmjet trysnive politike nga Tirana, që mburrjen serbe se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovën ta përligjë e sendërtojë me përfshirjen edhe të Shqipërisë në një konglomerat shtetesh sllave nën emërtimin “Minishengen ballkanik”, që ka nisur si projekt europian për të krijuar një “Jugosllavi të tretë”, pasi vdiqën e shkuan dy të parat. Nuk dua të zgjatem se analizën time e kam pas paraqitur për lexuesin në shkrimin “Europa kërkon Jugosllavinë e tretë” (“Shenja”, nëntor 2013). Vetëm më duhet t’i rikujtoj lexuesit se projekti për një “minishengen ballkanik” nuk është i ri dhe i panjohur, nuk është as konkretizim i ri i “Nismës së Berlinit”, që e mori kancelarja e Gjermanisë për t’i integruar vendet e Ballkanit Perëndimor në BE. “Nisma e Berlinit” ishte “vello europiane” e nusërimit të “Nismës Luksiq” të vitit 2013 për krijimin e Serbisë së Madhe (Abdi Baleta, “Triptik diplomatik – Ballkani perëndimor në formatin diplomatik gjerman”; “Shenja”, tetor2014). U duk sikur ishte harruar ”Nisma Luksiq”, kur doli “Nisma e Berlinit”, që tani është zbehur dhe po kërkohet një dordolec tjetër për ta nderë vellon e lagur me gjak të nusërimit të “Serbisë së Madhe”. Këtë po bëjnë projektuesit e “minishengenit ballkanik”.

Ajo që ndodhi në Tiranë e Durrës, më 21-22 dhjetor 2019, më ringjalli ndjesitë e pështira që më shtynin ta filloja shkrimin e titulluar “Islamin e hipnotizoi Drashkoviqi apo e trullosi tradhtia”, me këto fjalë “Qysh kur viti diplomatik i Shqipërisë u mbyll me vizitat e njëpasnjëshme të shefave të diplomacisë ruse dhe serbe në dhjetor të vitit 2004 kemi shprehur pezmatim për rrugën e rrezikshme ku kishte hyrë diplomacia shqiptare dhe kemi parandjerë se një dëm i madh do t’i bëhej shtetit e kombit shqiptar”. Këto fjalë janë botuar në “Rimëkëmbja” më 15 mars të viti 2005, sepse atëherë u zbulua që ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Kastriot Islami, në një marrëveshje të nënshkruar me homologun serb Vuk Drashkoviq në Tiranë kishte pranuar se Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë (Serbisë). Titulli pyetës i mësipërm nuk e humb asnjëherë vlerën e tij kur ndodhin gjëra të ngjashme, ku sipas bindjes sime duhet të përfshihet edhe nisma për “minishengenin ballkanik”. Por, nuk nxitohem ta përdor edhe në rastin e hipnozës antikosovare të Ramës, sepse më pengon një thënie e Kim Fillbit, agjentit të njohur sovjetik brenda në diplomacinë britanike, që veprimit të tij të etiketuar si tradhti i kundërpërgjigjej me apologjinë e vet: “To be tray you must first belong” (Për të tradhtuar së pari duhet t’i përkasësh asaj që e tradhton). Nga Kryeministri Rama unë kam lexuar këtë apologji të sjelljes së tij më datën 20 dhjetor 2019 në gazetën “SOT”: “Unë kështu e jetoj punën time dhe jetën time. Unë nuk dua të humbas brenda kornizës se si duhet të sillem. Unë jam unë me të gjitha të mirat e të këqijat. Nuk pretendoj që njerëzit të më duan, por e pretendoj të shohin atë që bëj dhe të vlerësojnë atë që bëj. Njerëzit më njohin e dinë që unë ky jam”. Në këto fjalë unë shoh përkatësinë e Ramës vetëm ndaj vetes së tij, ndaj egos së tij e tekave të tij dhe asnjë përkatësi tjetër. Kjo, fundja, më pëlqen që të mos ketë përkatësi tjetër, jashtë konteksteve shqiptare, kur e di edhe vetë se sjellja e Vuçiqit ndaj Kosovës “Është një simptomë e aktit që Serbia nuk është shkëputur nga e shkuara e saj”. Por, pas kësaj, tingëllon si non sense kur shton se “Nuk e dua Shengenin për t’i bërë nder Serbisë, por për Shqipërinë e Kosovën”, Kryeministri i ka humbur ekuilibrat politikë e diplomatikë. Është për të ardhur keq që Rama ka vetëm përkatësinë ndaj egos së tij, sepse është kryeministër dhe, si i tillë, i takon të ketë më parë përkatësi të tjera politike, profesionale e qytetare.

Drejtuesit politikë të Kosovës e kryen detyrën shtetërore e kombëtare kur refuzuan pjesëmarrjen në veprimtaritë e nismës së Vojvodinës e të Ohrit (minishengenit). Kryeministri i Shqipërisë ka bërë një veprim të palejueshëm që i ka sulmuar me egërsi. Kryeministri shqiptar, ashtu si presidenti Vuçiq, justifikohet me mburrjen boshe se ai sheh vetëm përpara për zhvillimet politiko-diplomatike me Serbinë, kurse në fakt po i kthen mbrapa këto zhvillime, në kohët më të rrezikshme për Shqipërinë, si në vitet 1945-’48, kur Shqipëria gati u gllabërua nga Jugosllavia si republikë e shtatë. Vuçiqi, Rama, Zaevi, Gjukanoviqi u hoqën se dinë të bëjnë politikën e madhe të vështrimit vetëm përpara, pa kthyer më kokën se çfarë kanë dashur më herët deri dje. Justifikimi “të shohim vetëm përpara” është një marrëzi amatoreske politike e diplomatike. Unë ndjehem i sigurt në këtë pohim, sepse sapo kam lexuar një vlerësim për veprën madhore historiografike të Pol Kenedit “Ngritja dhe rënia e fuqive të mëdha” (“The Rise and Fall of the Great Powers”, ribotimi vitit 2017), ku thuhet se “Kjo është një nga kryeveprat në shkrimin modern të historisë. Ajo është gjithashtu një hakmarrje shpartalluese për shpërfilljen e shpeshtë të së vërtetës se e vetmja mënyrë për ta kuptuar të tanishmen është ta kuptosh të shkuarën”. Por, duket se mençuri si këto ende nuk kanë arritur deri në mendjen e udhëheqësve që po mblidhen për ta bërë “minishengenin ballkanik” ose këta udhëheqës nuk interesohen fare për punët e vërteta të shteteve të tyre, por magjepsen vetëm se BE-ja u premtuaka t’u vë në dispozicion një miliard e gjysmë euro, që mund të bëhen rrush e kumbulla si shumat e mëparshme, pa shërbyer për zgjidhjen e problemeve në Ballkan. Kryeministri maqedono-verior Zaev u tregua më entuziasti që të mbështetej në këtë argument, që rezultatet e mahnitshme do t’i dhënka pas tri vitesh.

Në Shqipëri politikën e “minishengenit ballkanik” nuk po e shpik Rama. Atë praktikisht e kanë e kanë përuruar e ndjekur të gjitha ekipet politike e diplomatike drejtuese të gjatë tri dekadave të fundit. Të gjithë i kanë thënë popullit se çështja shqiptare do të zgjidhej me integrimin europian, se “shqiptarët do të bashkoheshin në Buksel”. Tani na nxjerrin avazin tjetër se shqiptarët më parë u dashkan të bashkohen në një Ballkan Perëndimor ose “minishengen ballkanik me kryeqendër Beogradin”, e pastaj të presin ndonjë gjysmë shekulli sa t’i ftojnë dhe në ndonjë sofër më të madhe, si BE, në qoftë se deri në atë kohë BE-ja të mos e ketë pësuar fatin e perandorive të mëparshme, siç e ka analizuar e përshkruar Pol Kenedi në kryeveprën e tij historiografike. Edhe në vitet 1945-‘48 shqiptarëve u thuhej se në kampin socialist do të hynin nëpërmjet Beogradit, por ky kamp socialist mori fund në vitin 1991.

Pasojat e tërmetit dhe të rrëmeteve që Shqipëria e kombi shqiptar trashëgojnë nga viti 2019 do ta bëjnë tejet të vështirë jetën e luftën në vitin 2020. Ky është fati (kaderi) i gjithë shqiptarëve dhe zgjedhja e keqe e një pjese prej tyre.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here