Përfundon regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, mbi 1.8 milionë banorë në të gjithë vendin

0

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar. Sipas të dhënave janë regjistruar 1.832.696 qytetarë në vend.

Përmes një konference, drejtuesi i Entit të Statistikave, Apostol Simovski tha se regjistrimi u realizua me sukses. Duke u ndalur në detaje, Simovski tha se në të gjithë vendin janë gjithsej 568.178 familje, 837.232 apartamente dhe 53.503 shtëpi. Sakaq, drejtori i Entit të Statistikave tha se janë vizituar të gjitha objektet në vend dhe janë regjistruar 91% e objekteve, ndërsa 9% e tyre ishin biznese. Ndërkohë që 204.805 qytetarë ishin të diasporës.

“Ndërsa sa i përket regjistrimit në diasporë, gjithsej janë regjistruar 204.805 persona. Numri i të regjistruarve nga vendet e Evropës Perëndimore është më i lartë, ndërsa i atyre përtej oqeanit është më i ulët”, deklaroi Apostol Simovski.

Simovski theksoi se të gjithë ata që kanë refuzuar të regjistrohen, sidoqoftë do të jenë pjesë e numrit të përgjithshëm, pasi do t’i regjistrojnë me anë të dhënave që kanë të disponueshme. Sipas tij, numri i qytetarëve që ka refuzuar të regjistrohet është shumë i vogël, rreth 1%.

“Ai është numër minimal, është numër më i vogël se 1 për qind. Ajo që është me rëndësi është se procesi i regjistrimit është realizuar plotësisht dhe me sukses. Të gjitha objektet u vizituan dhe të gjithë qytetarët patën mundësinë të jenë pjesë e regjistrimit. Përsëris se të gjithë ata qytetarë , pa marrë parasysh arsyet, që nuk janë përfshirë në regjistrim, por janë pjesë e bazave të të dhënave me të cilat disponojmë, do të jenë pjesë e regjistrimit”, u shpreh Simovski.

Duke krahasuar shifrat me regjistrimin e fundit të popullsisë të bërë në Maqedoninë e Veriut, zv.drejtori i Entit të Statistikave, Ilmi Selami tha se ka një diferencë me 17 mijë qytetarë, të cilët mund të jenë larguar nga vendi. Por edhe kjo çështje sipas tij do të vlerësohet në një kohë tjetër.

“Vet numri prej 1.832.696 nëse e krahasojmë me regjistrimin e fundit kur ishin pak më shumë se dy milionë , llogarisim se këto rreth 17 mijë qytetarë pa përfshirë natalitetin, janë diku. Nëse nuk janë këtu, atëherë janë jashtë. Dhe kjo lëvizje ndikon që në disa vendbanime të ketë më pak banorë , por se përse ka ndodhur kjo është shumë me rëndësi dhe të dhënat do t’i kemi më tutje”, u shpreh Ilmi Selami.

Regjistrimi filloi më 5 shtator dhe u mbyll mbrëmjen e së enjtes 30 shtator. Ky ishte regjistrimi i parë në vend pas gati 20 vitesh. Regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut e ka bërë në vitin 2002 dhe vendi numëronte afër 2 milionë banorë, prej tyre rreth 25% e popullsisë është shqiptare.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here