Përvjetori i vdekjes së Hafiz Ibrahim Dalliu/ DPA publikon dokumentin: Delegat i Tiranës në Kongresin e Elbasanit

0

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, ka përkujtuar sot atdhetarin Hafiz Ibrahim Dalliu.

Hafiz Ibrahim Dalliu ka ndërruar jetë më 12 korrik të vitin 1952.

Ai lindi në Tiranë në vitin 1878. Arsimin fillor e të mesëm e kreu në Tiranë, kurse arsimin e lartë për teologji e kreu në Stamboll. Veprimtarinë e tij e gjejmë në fusha të ndryshme, si teologji, letërsi, arsim dhe kulturë. Por dimensioni atdhetar dhe mbrojtës i të drejtës së mendimit të lirë të individit do të bjerë në sy gjatë gjithë jetës së tij.

Në periudhën e fundit të Abdulhamitit II dhe më pas në periudhën e xhonturqve, Ibrahim Dalliu ka marrë pjesë aktive në përhapjen e gjuhës shqipe. Ka qenë anëtarë i klubit “Bashkimi” që u formua në Tiranë (1908) dhe në po këtë vit ndikoi në hapjen e shkollës së vajzave. Në kongresin e Elbasanit (1909) mori pjesë si delegat i Tiranës.

Në shkollën Normale të Elbasanit, Hafiz Ibrahim Dalliun e gjejmë si pjesë të stafit pedagogjik. Do të jetë pjesë e lëvizjeve për pavarësi dhe në vitin 1912 organizoi ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë në Tiranë. Në Kongresin e Lushnjës (1920) mori pjesë si delegat i Tiranës. Deri në vitin 1924, Hafiz Ibrahim Dalliu do të jetë aktiv në zhvillimet politike në vend. Më pas do t’u përkushtohet studimeve teologjike. Mbas Çlirimit, Ibrahim Dalliu u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por për shkak të mendimeve që kishte për komunistët do të gjykohet dhe do të hynte në burg ku u sëmur dhe ndërroi jetë më 12 korrik 1952, në moshën 73-vjeçare.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar një foto të dokumentit të vitit 1909, ku emri i Hafiz Ibrahim Dalliu është ndër emrat e delegatëve nga krahina të ndryshme në Kongresin e Elbasanit. Ibrahim Dalliu ishte përfaqësues i Tiranës./ata.gov.al

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here