“Pompisti” dhe “paçe pilafi”/ Degjenerimi i muhabetit të dy ‘Presidentëve’

0
2

Ajo që po ndodh në Shqipëri në këto 30 vite është një rast “sui generis” që nuk është hasur në asnjë vend të botës. Kur po bëhen gati 30 dekada që kemi lënë pas sistemin komunist niveli i politikanëve shqiptarë por edhe i politikbërjes në përgjithësi sa vjen e degjeneron në nivele skandaloze.

E çuditshme është të thuhet por kjo është e vërteta: shqiptarët kanë pasur përfaqësues më të denjë në institucionet vendimmarrëse në vitet ’90, kur sapo kishim dalë nga komunizmi sesa tani, 30 vite pas.

Një Parlament të mbushur me kriminelë, delirantë, të pashkolluar, me një nivel intelektual që nuk e kalon mesataren e popullit shqiptar. (Nuk po përmendim këtu hajdutërinë pasi do ta kishim të vështirë të përjashtonim ndokënd prej tyre në këtë drejtim).

E marrim shtytjen për ta bërë këtë shkrim, duke parë  sesi dy ish-presidentë, dy njerëz që kanë mëtuar të përfaqësojnë unitetin e kombit, Bamir Topi dhe Bujar Nishani na treguan sot llumin që na ka drejtuar në gjithë këto vite.

Në të gjithë botën çdo komb i nderon ish-presidentët e tij, ata përfaqësojnë mençurinë, përgjegjshmërinë dhe urtësinë e pozicionit të nderuar që kanë mbajtur aq sa deri në fund të jetës thirren “Zoti President”, por ne çfarë mund t’i themi këtyre tanëve?!

Një sherr banal mes të dyve sot, sa kur lexon çdo fjali të ‘perlave’ që ata shkruajnë ndjen një neveri deri në qelizë.

Bamir Topi, ish presidenti i viteve 2008 -2013 na paskësh shkruar një libër, mjafton të lexosh faqen e parë dhe e kupton që është i një niveli prej nxënësi të 9-vjeçares. Në librin “Nocturn” ai na tregon të gjithë jetën e tij politike. Në një prej faqeve na tregon se si pasardhësin e tij në krye të shtetit, Bujar Nishanin, e bëri nga hiçi, duke e prezantuar me Berishën në një kohë kur vetë Bujari siguronte bukën e gojës duke punuar si pompist në një benzinatë. Se ç’mund të ketë të keqe në këtë gjë vetëm “Presidenti” ynë e di.

Nga ana tjetër sot na vjen Perla e ‘Presidentit’ tjetër, atij të viteve 2013-2018, Bujar Nishanit. Me fjalë prej një ‘intelektuali’ dhe ‘filozofi’ të vërtetë, sot mori penën e tij brilante dhe na derdhi në letër fjalë për Bamirin. Bujari i përmend Bamirit paçen dhe pilafin dhe faktin që pasi i hante te kioska përballë PD-së ikte pa i paguar.

Nuk po zgjatemi më në debatin e tyre me përmbajtje të lartë intelektuale se nuk e përballojmë dot. Prej 10 vitesh këta dy kanë qenë krerët e shtetit shqiptar, kanë simbolizuar unitetin kombëtar dhe kanë garantuar Kushtetutën. Kanë mbajtur edhe postin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Topi dhe Nishani sot na dhanë një mësim. Ata na e zhveshën lakuriq politikanin shqiptar në tërësi në këto 30 vite. Përderisa këta të dy kanë shkuar në majën e shtetit, pa përpiquni të imagjinoni se çfarë ka më poshtë! /real-news.tv/ 

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here