Presidenti, Balla: Takimet me dy grupet e opozitës të frytshme, gatishmëri për emra konkretë

0

TIRANË, 13 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i konsideroi sot të frytshme takimet me përfaqësuesit e dy grupeve parlamentare të opozitës në Kuvend, lidhur me kandidaturat për President.

Në një prononcim për medie nga selia e Kuvendit, Balla tha se PS e ka dëshmuar edhe sot disponibilitetin për të kaluar në diskutime konkrete me emra të kandidatëve për president.

“Bashkë me kolegët Gjiknuri dhe Spiropali zhvilluam një raund të dytë takimesh me dy prej tre grupeve parlamentare të opozitës. PS e ka dëshmuar edhe sot disponibiliteti për të kaluar në diskutime konkrete me emra të kandidatëve për president. Me të dyja grupet parlamentare që kemi diskutuar, edhe nga ana e tyre ka pasur gatishmëri për të hedhur në tavolinë emra konkretë”, tha ai.

Balla tha se Fatmir Mediu informoi edhe për një qasje për të ardhur me një emër, apo disa emra konkretë nga ana e opozitës.

“Vazhdoj të shpresoj që nga ana e grupit parlamentar të PD-së të ketë një vendimmarrje për të ardhur edhe ata në tryezën e bisedimeve. Disponibiliteti ynë për t’i dhënë Shqipërisë një president jo të PS, por të shqiptarëve do të jetë, por kjo tashmë ka disa afate”, tha Balla.

Ai tha se “nëse deri tani kishim mundësi që afatet t’i shtynim, tani nuk kemi asnjë mundësi”.

“Jemi në kushtet ku në datën 16 maj është raundi i parë. Afati i fundit i raundit të dytë është data 23 maj”, tha ai.

Sipas Ballës, “bisedat ishin shumë të frytshme dhe sot më në fund, me dy prej tre grupeve kemi vendosur piketa dhe shina të një procesi që besoj do të na çojë tek një president sa me konsensual”.

“Ne nuk duam të vrasim procesin. Kemi rënë dakord të ulemi përsëri, madje dhe në orët në vijim, të ulemi për emrin”, tha ai.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here