Presidentja kosovare Vjosa Osmani takon krerë të lartë të institucioneve në Estoni

0
8

Në takim me homologen e saj, Osmani dhe Kaljualid kanë vlerësuar si të mira marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kanë shfaqur interesimin për thellimin e mëtejmë të tyre

Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Estoni është pritur nga homologia e saj, Kersti Kaljulaid, nga Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, dhe nga Presidenti i Parlamentit të Estonisë, Jüri Ratas, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, në takim me homologen e saj, Osmani dhe Kaljualid i kanë vlerësuar si të mira marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kanë shfaqur interesimin për thellimin e mëtejmë të tyre.

Presidentja Osmani ka përmendur edhe mbështetjen që Estonia i ka dhënë Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por edhe më pas duke marrë pjesë në misionin paqeruajtës në kuadër të KFOR-it.

“Synojmë kultivimin e marrëdhënieve të afërta me vendet e Baltikut, e posaçërisht me Estoninë nga e cila presim mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe në përgjithësi në rrugën evropiane të Kosovës”, është shprehur Osmani.

Por, sipas presidentes Osmani, Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballen me rrezikun e ndikimit rus. Ajo ka thënë se Kosova është vendi më pro-evropian i cili ndan vlerat me demokracinë perëndimore, ndaj ka kërkuar që të qartësohet sa më shpejtë rruga e integrimit në BE.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Estoni është pritur edhe nga kryeministrja Kaja Kallas.

Osmani ka shfaqur bindjen se Estonia do të vazhdojë edhe më tej ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane, por edhe në anëtarësimin në strukturat veri-atlantike.

Sipas presidentes Osmani, Kosova duhet të mësojë nga modeli i Estonisë në shumë sfera, e posaçërisht në atë të fushës së teknologjisë informative, ndaj ka thënë se bashkëpunimi me këtë shtet duhet të shtrihet edhe në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, arsimit, turizmit dhe shkëmbimit kulturor.

Po kështu, në takim me Presidentin e Parlamentit të Estonisë, Jüri Ratas, Osmani ka përmendur se me Estoninë, Kosova synon të thellojë marrëdhëniet bilaterale, teksa pret mbështetje edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata multilaterale.

Presidentja Osmani, vizitën në Estoni para nisjes e ka cilësuar mundësi të mirë për vendosjen e bashkëpunimit me shtetin i cili bart primatin në nivel global për E-qeverisje. Dita e dytë e vizitës, do t’i kushtohet agjendës transformuese digjitale me ç’rast do të bëhen vizita në e-Estonia Briefing Center dhe Telliskivi Creative City.

Me ftesë të presidentes Osmani në delegacion po marrin pjesë edhe përfaqësues të tri kompanive të fushës së inovacionit nga Kosova: Mërgim Cahani nga “Gjirafa”, Jeta Zagraxha “UCK” dhe Uranik Begu “ICK”.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here