Projekti që zgjati mbi një çerek shekulli, çfarë është saktësisht Shtegu Madhështor i Kanadasë? (FOTO)

0
25

Besohet të jetë projekti më i madh i realizuar nga vullnetarët kanadezë. Ndërtimi thuhet se zgjati mbi një çerek shekulli, por çfarë saktësisht është Shtegu Madhështor i Kanadasë?

Disa thonë se është shtegu më i madh për shëtitje në planet. Shtegu i Kanadasë nuk është një rrugë e vetme, por një rrjet i jashtëzakonshëm (dhe më i gjati në botë) i shtigjeve me shumë ‘destinacione’ thuhet në artikullin e Euronews.

Shtigjet, rrugët dhe zonat unike në të gjithë vendin janë formuar së bashku për të krijuar një rrjet kombëtar, i cili shtrihet nga veriu në jug përfshirë në lindje dhe perëndim. Pjesa më e madhe e Shtegut (mbi 24 mijë kilometra) mund të frekuentohet nga kalimtarët ose çiklistët. Vendi është i pajisur me shtigje uji edhe për detarët.

Në mënyrë të pabesueshme, organizata që ndihmon në menaxhimin e Shtegut – Trans Canada Trail (TCT) – thotë se katër në pesë kanadezë jetojnë rreth 30 minuta afër përgjatë këtij rrjeti. Shtegu Madhështor i Kanadasë, lidh gjithashtu mbi 15 mijë komunitete; atraksione të mëdha turistike si dhe mrekullitë natyrore të vendit.

Mes pandemisë së koronavirusit, ishte raportuar në fillim të këtij viti se 60 për qind e të rriturve kanë gjetur “strehim” tek ky shteg, të kapluar nga ankthi për shkak të virusit vdekjeprurës. A mund të reflektojë pandemia në rikuperimin e natyrës tonë shëruese në një botë post-pandemike?

Shtegu Madhështor u përfundua në vitin 2017, në kohën kur u shënua 150 vjetori i shtetit të Kanadasë, kur më në fund u lidh plotësisht me zonat bregdetare.

“Shtegu Madhështor i Kanadasë filloi në vitin 1992, kur një grup i kanadezëve u frymëzuan të lidhin stigjet lokale për të ndërtuar kështu një rrjet mbarëkombëtar”, shpjegon shefja ekzekutive e TCT-së, Eleanor McMahon.

“Duke marrë parasysh faktin që Kanadaja është vendi i dytë më i madh në botë, sigurisht që ishte një ide ambicioze”, u shpreh ajo.

Ideja në fillim qëndronte në ndërtimin e një harte të rrugëve që do të ndihmonte në frekuentimin e njerëzve në natyrë, si dhe në zvogëlimin e aksidenteve me makinë që mund të kenë qenë cak alpinistët dhe çiklistët.

David Hargrave i cili ishte i përfshirë në projekt në vitin 1990, tha disa vite më vonë se vullnetarët nuk e dëshironin atë përgjatë një autostrade. Sipas tij projekti duhej t’i ngjante një parku.

Qëllimi i Shtegut Madhështor ishte që njerëzit ta frekuentonin natyrën sa më shumë, në mënyrë që të njëjtit të zhyten në bukuritë e vendit.

Ky projekt i gjerë u krijua përmes punës vullnetare nga kanadezët, dhe besohet të jetë krijimi më i madh i punës vullnetare në Kanada.

“Mijëra kanadezë iu bashkuan këtij ndërtimi, duke përkrahur idenë e një rrjeti gjurmësh rekreative që mund të lidhte kultura të ndryshme, peisazhe dhe bashkësi”, tha McMahon.

Shtegu Madhështor edhe sot monitorohet nga organizata TCT e cila siguron fonde dhe mbështetje për qindra grupe lokale, të cilat kanë marrë përgjegjësinë e menaxhimit vullnetar të pjesëve të Shtegut në të gjithë vendin.

Megjithë dobive, projekti madhështor ka pasur edhe polemika të ndryshme sikurse nga Edmund Aunger, profesor në Universitetin e Albertas, i cili tha se Shtegu i Kanadasë është bërë një mashtrim i rrezikshëm. “Nuk është rrugë e gjelbër, është një autostradë”, kishte thënë ai.

Aunger pohoi se gruaja e tij ishte mbytur tragjikisht derisa po udhëtonte me biçikletë nga një shofer i dehur, raporton Euronews, përcjell Telegrafi.

Ai argumenton se Shtegu Madhështor nuk e ka mbajtur vizionin e tij origjinal nga vitet 90-ta.

Ish-kryetari i bordit të organizatës TCT, Pierre Camu, e kishte kritikuar vendimin për përfshirjen e rrugëve në shteg, duke thënë se Shtegu ishte projektuar për shëtitës, alpinistë dhe çiklistë.

Shtegu që mund të shërbejë në rikuperimin e bizneseve dhe në ‘shërimin’ e banorëve gjatë kësaj pandemie

Pavarësisht kritikave ndaj Shtegut Madhështor, midis krizës së koronavirusit, banorët më shumë se kurrë frekuentuan këto zona me bukuri natyrore.

“Derisa mësojnë të jetojnë me pandeminë e coronavirusit, kanadezët dalin dhe shëtisin në këto shtigje për të gjetur shërim”, rrëfen McMahon.

“Një sondazh i fundit kombëtar tregoi se 43 për qind e kanadezëve që planifikuan të udhëtonin brenda vendit këtë vit, i kishin future në agjendë shtigjet si pjesë të planeve të pushimeve të tyre. Dhe më tej që 75 për qind të banorëve i frekuentonin këto zona rregullisht”, u shpreh ajo.

Ky projekt i ka edhe avantazhet e tjera, pasi shërben si “urë lidhëse”, për bizneset, komunitetet dhe vendet turistike, shkruan Euronews, transmeton Telegrafi.

“Ne besojmë se Shtegu Madhështor u ofron njerëzve mundësi për të mbrojtur mirëqenien e tyre fizike dhe mendore, derisa ndihmon bizneset tona lokale dhe sektorin e turizmit nga efektet shkatërruese ekonomike për shkak të pandemisë”, potencoi McMahon.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here