Rama-Kovaçevski-Vuçiq: Bashkimi Evropian nuk ka mbajtur fjalën

0

Tiranë/Shkup
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e vendit të tij dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) ka deklaruar se BE-ja nuk ka mbajtur fjalën, raporton Anadolu Agency(AA).

Në një konferencë të përbashkët për mediat me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas takimit me liderët e BE-së në Bruksel, kryeministrit Rama tha se do të vazhdojnë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

Duke ironizuar me lidershipin e BE-së, Rama tha se është përpjekur të thotë disa gjëra në takim dhe përmendi se ndër to ishte ajo që, siç tha ai, “Charles Michel na tha se kishim 3 minuta dhe i thashë mund të kishte qenë dhe 30 sekonda nëse do të mbanin fjalën, por ata nuk mbajtën fjalën”.

“Shpreh keqardhjen e thellë për Bashkimin Evropian, më vjen keq për ta dhe shpresoj që mund t’i ndihmojmë. U thashë që ndihesha mirë dhe keq që të isha me ta. Ndihesha mirë sepse jemi evropianë, por ndihesh keq që ende ne nuk mund të jemi këtu si evropianë, por si miq, në një shtëpi të ndarë dhe është vërtetë diçka shumë, shumë shqetësuese që edhe sulmi i një pandemie në shkallë globale, një sulm tragjik dhe as një luftë kaq kërcënuese që mund të shndërrohet në një luftë tragjike globale nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë”, tha Rama.

Rama shtoi se kanë bërë dhe bënë tashmë për të mbështetur idenë e presidentit francez, Emmanuel Macron, për “një objektiv që është politik dhe strategjik i dëshiruar moralisht, që është komuniteti i ri politik evropian”.

“Ne nuk duam një luftë, ne nuk kemi nevojë për konflikt, për gjakderdhjeje dhe tensione në rajonin tonë ndaj duam të ecim përpara në drejtimin që kemi zgjedhur”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.

“Kjo çështja e Bullgarisë është një turp, një vend i NATO-s që merr peng dy vende të tjera të NATO-s”, shtoi Rama.

Duke folur për thirrjen e tij ndaj BE-së, Rama tha se, “Thirrja e fundit për ta ishte që mos lini që besimi që shqiptarët kanë, që kanë një besim shumë të madh tek Evropa, pavarësisht Bashkimit Evropian, pavarësisht farsave, sepse ne për herë të parë në historinë tonë kemi mundësinë të jemi aty ku duam.”

“Për ne Evropa është fe, për ne Evropa nuk është Brukseli, kështu që shqiptarët do të vazhdojnë”, tha ai.

Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe janë në pritje të hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit.

– Kovaçevski: Kjo që po ndodh është një problem serioz dhe një goditje e rëndë për besueshmërinë e BE-së

Në konferencën e përbashkët për media, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, nga ana e tij, tha se në Samitin e sotëm të BE-së me Ballkanin Perëndimor, ka shprehur pakënaqësinë për dinamikën e procesit të anëtarësimit dhe fillimin e negociatave.

Ai u shpreh se Maqedonia e Veriut është vend kandidat për gati 18 vjet dhe negociatat ende nuk kanë filluar.

“Unë do të jem i drejtpërdrejtë menjëherë. Kjo që po ndodh është një problem serioz dhe një goditje e rëndë për besueshmërinë e Bashkimit Evropian. Po humbim kohë të çmuar që realisht nuk e kemi në dispozicion. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por edhe rajoni, nuk duhet t’ia lejojmë vetes të qëndrojmë në vendnumëro për shkak të një shteti anëtar që thjesht nuk arrin të koordinojë dhe të sigurojë zhbllokimin e rrugës sonë evropiane”, u shpreh Kovaçevski.

Ai gjithashtu u shpreh se nuk duhet lejuar që çështjet dypalëshe të shndërrohen në një problem shumëpalësh, duke aluduar në kontestin midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështjet historike dhe arsimore.

Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut bëri shumë dhe ndërmori vendime shumë të vështira, duke shtuar se është koha që BE të përmbushë premtimet e dhëna, përpara se të japë premtime të reja.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut falënderoi presidentin francez për propozimin francez, por theksoi se çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kuadrin e negociatave. Ai theksoi se propozimi francez, në formën aktuale, është i papranueshëm.

– Vuçiç: Shkupi dhe Tirana përmbushën kushtet, merituan hapjen e bisedimeve

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, vendi i të cilit zyrtarisht ka hapur bisedimet për anëtarësim në BE që nga janari i vitit 2014, tha se Shkupi dhe Tirana merituan hapjen e bisedimeve.

Siç theksoi ai, hapja e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk është lutje, por është diçka që është domoshmëri pasi dy vendet kanë përmbushur kushtet.

Ai beri thirrje për më shumë bashkëpunim rajonal, duke përmendur edhe iniciativën “Open Balkan”, për të cilën tha se është një iniciativë e tre vendeve ballkanike.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here