Rama në Greqi: Turqia është kyçe për sigurinë e Evropës

0
25

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në konferencën që po mbahet në Athinë me fokus diskutimet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, menaxhimin e situatës nga koronavirusi i ri (COVID-19), si dhe çështje të tjera, ndërkohë në fjalën e tij u përqendrua në perspektivën evropiane të rajonit, marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, por edhe në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama theksoi se Turqia është kyçe për sigurinë e Evropës, dhe u shpreh se Shqipëria është në partneritet strategjik me Greqinë dhe Turqinë.

“E vetmja alternativë është të jemi pjesë e Bashkimit Evropian” 

Rama në fjalën e tij në konferencën ku marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë të vendeve të tjera të Ballkanit, tha se Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë në një moment shumë të rëndësishëm historik. “Ne nuk kemi një alternativë tjetër. E vetmja alternativë është të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, jo sepse na e kërkojnë miqtë më të mëdhenj e më të fuqishëm, por sepse kjo është një kërkesë e fëmijëve tanë, e brezit të ardhshëm, është ëndrra e përhershme e etërve tanë”, tha Rama në fjalën e tij të publikuar në rrjetet sociale.

Rama theksoi se “Në Ballkanin Perëndimor që prej kohësh jemi përfshirë në një bashkëpunim, një paqtim dhe mendoj që edhe pse ka çështje të tilla si çështja e Kosovës, mosnjohja nga Serbia, ne kemi qenë në gjendje të ulemi e të diskutojmë të ardhmen tonë bashkë. Këta janë kohë të veçanta sepse jemi goditur si të gjithë nga kjo pandemi”.

Kryeministri i Shqipërisë, duke iu referuar edhe marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë tha se “Besoj se ka potencial për të çliruar e për të ecur përpara duke mbyllur hendeqet e së shkuarës. Mendoj që lajm i mirë është që mosmarrëveshjet mund të zgjidhen së bashku dhe dialogu është i vetmi instrument. Mund të përmend një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të kësaj kohe që është zgjidhja që u gjet nëpërmjet dialogut midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo është thjesht historike dhe është e jashtëzakonshme dhe është një mësim për të gjithë”.

Pas fjalës përshëndetëse në konferencë, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të panelit, Rama foli edhe në lidhje me ecurinë e marrëdhënieve me Greqinë, çështjen e negociatave të mundshme për çështjet e hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë.

“Jam shumë besimplotë që jemi në rrugën e duhur. Kemi zhvilluar një dialog intensiv me qeverinë e kaluar (Qeverinë e Greqisë) për një paketë çështjes, që duhen trajtuar, zgjidhur, pasi befas herë pas here kthehen në çështje të nxehta në zjarrin e politikës lokale, ndërkohë janë thjesht çështje që nuk kanë zjarr, rëndësinë e terrenit ku janë zhvilluar marrëdhëniet shqiptaro-greke, që është në fakt terreni marrëdhënieve të mrekullueshme midis njerëzve. Sfida jonë është që ta bëjmë politikën midis dy vendeve po aq të mirë dhe të shkëlqyer siç janë marrëdhëniet midis njerëzve. Ajo çfarë unë kuptoj nga miqtë grekë dhe ajo çfarë shoh mes bashkëqytetarëve shqiptarë është se nuk ka ndjesi negative apo mëri midis njerëzve. Është krejt e kundërta”, tha Rama.

Kryeministri Rama në lidhje me ecurinë e zhvillimit të marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Greqisë tha se “Jam absolutisht besimplotë që me qeverinë e re këtu jemi në drejtimin e duhur dhe kemi gjithçka që nevojitet për të zgjidhur jo vetëm këtë, por edhe të gjitha gjërat e mbetura që më pas mos të përdoren më nga forcat e errët në shoqëritë tona si arsye për të ndezur situatën apo për të kthyer fantazma të së shkuarës.”

“Unë kam një ide shumë të thjeshtë që e kam paraqitur më parë dhe shpresoj fort që sa më shpejt të arrijmë dakordësi për këtë, që kur bëhet fjalë për zonat detare ne të mund ta zgjidhim çështjen me ndihmën e të tjerëve që do të thotë nëpërmjet një pale të tretë që na ndihmon miqësisht ose akoma edhe më mirë nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare . Kjo mund të jetë e drejtë dhe objektive”, u shpreh Rama.

“Turqia është kyçe për sigurinë e Evropës”

Rama tha se Shqipëria është në partneritet strategjik me Greqinë dhe Turqinë, dhe shtoi: “por nuk e ndiej që Shqipëria është midisi dy zjarreve.”

Në lidhje me marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë dhe rolin e këtyre marrëdhënieve për Evropën, kryeministri Rama theksoi se “Unë besoj që ka absolutisht potencial në këtë marrëdhënie greko-turke që të bëhet një marrëdhënie e cila të jetë e dobishme edhe për Evropën, sepse Turqia është kyçe për sigurinë e Evropës dhe Greqia është absolutisht kyçe për kufijtë e Evropës. Çfarë mund të them pa asnjë dyshim, presidenti turk nuk është një person antigrek apo politikan antigrek dhe nuk ka dyshim që e shkuara ka treguar këtu që kur ka një vullnet ka një zgjidhje. Dialog, dialog, dialog, pa ua lënë tjerëve, pa sjellë tjerë, thjesht dialog i mirëfilltë. Asgjë nuk është e lehtë, por është absolutisht e mundur dhe jam 100 për qind i bindur që marrëdhëniet konstruktive greko turke mund të jenë një vlerë e shtuar për të gjithë Evropën”

Konferenca në kryeqytetin grek organizohet nga revista “The Economist” në bashkëpunim me Qeverinë e Greqisë.

Dje Rama gjatë qëndrimit në Athinë u takua me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Kujtojmë se negociatat zyrtare mes Greqisë dhe Shqipërisë që filluan në vitin 2018 për kufizimin e zonave detare janë ndërprerë dhe ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes vendeve.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here