Rama nga Brukseli: Nëse zgjidhet gjë në Bullgari, motiv për lehtësim nga “pengmarrja”

0

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Brukseli, se nuk pret të zgjidhet asgjë në Bullgari, për sa i përket vetos bullgare ndaj ecurisë së mëtejshme të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Në një prononcim për mediet para fillimit të punimeve të samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve nëse i shton rënia e qeverisë bullgare shpresat për Shqipërinë sot, lidhur me “çlirimin” e procesit të integrimit.

“Unë jua kam thënë edhe po e përsëris. Përkundër optimizmit të ngutur të disave edhe këtu në Bruksel nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari. Por ndërkohë që sigurisht që nëse do të zgjidhet do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s ndaj dy vendeve të NATO-s në kulmin e një lufte të nxehtë në kufi të Europës dhe nën vështrimin e 26 vendeve të tjera që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë në atë romanin e famshëm të Arçibald Kroninit”, tha Rama.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, Rama theksoi se “në radhë të parë, do të thoja se është një turp që një vend anëtar i NATOs mban peng dy vende të tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Dhe kjo ndodh në mes të një lufte të nxehtë qe po ndodh në oborrin e pasëm të Evropës ndërsa 26 vende të tjera rrinë pa bërë gjë duke treguar mungesë fuqie”, vijoi ai.

I pyetur nëse ka frikë se Shqipëria do të mbetet viktimë gjatë këtyre negociatave, Rama theksoi se “ne nuk do të jemi asnjëherë viktimë”.

“Ne e dimë sepse në këtë rrugë kemi një kohë të gjatë dhe këtu kemi një Bullgari, atje është një Bullgari. Ndërkohë, ne nuk e ndryshojmë rrugën tonë. Dhe ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë Evropën në vendin tonë”, tha Rama.

“Këtu ne ulemi në radhën e parë. Shqipëria po bën punën e saj. Ne do të vazhdojmë te kryejmë reformat jo sepse po na i kërkon Brukseli, por sepse këtë na e kërkojnë fëmijët tanë. Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate prej 17 vjetësh, Shqipëria ka tetë vjet. Ndërsa lidhur me Ukrainën, do të ishte mirë ta merrte statusin e kandidatit. Por, do të thoja që populli i Ukrainës nuk duhet të krijojë shumë iluzione për të”, tha Rama.

I pyetur nëse pret lajme të mira sot, Rama tha se nuk paraopëlqen të presë lajme të mira.

“Dje pati pak optimizëm. Por, ja ku jemi. Ditë e re në Evropë, por jo në Bullgari”, përfundoi Rama. /ATSH

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here