Ratifikohet Traktati Veri-Atlantik në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

0
2
SHKUP (AA) - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot në një seancë solemne me mbështetjen e votave të 114 deputetëve ka miratuar Ligjin për ratifikimin e Traktatit Veri-Atlantik. ( Abdulbesar Ademi - Anadolu Agency )

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot në një seancë solemne me mbështetjen e votave të 114 deputetëve ka miratuar Ligjin për ratifikimin e Traktatit Veri-Atlantik.

Të pranishëm në seancën solemne të mbajtur me rastin e ratifikimit të Traktatit Veri-Atlantik ishin 116 nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut prej të cilëve dy nuk votuan, ndërsa seanca solemne po ashtu u ndoq nga përfaqësues të parlamenteve të vendeve fqinje, kreu shtetëror dhe politik i vendit, si dhe nga kori diplomatik.

Ligji për ratifikimin e Traktatit Veri-Atlantik do të ketë veprim të anuluar dhe do të aktivizohet pasi procesi i ratifikimit të përfundojë në parlamentin e vendit të fundit anëtarë të aleancës, Spanja. Votimi i këtij ligji me veprim të anuluar u paraqit për shkak të shpërbërjes së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara të mbahen më 12 prill të këtij viti.

– Pendarovski: Mbetet që t’i tregojmë botës se kur besohet në të njëjtat vlera nuk ka dallime midis vendeve të vogla dhe të mëdha

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, në fjalimin e tij në seancën solemne deklaroi se me ratifikimin e Traktatit Veri-Atlantik fillon faza e fundit e anëtarësimit të plotë të vendit të tij në Aleancën Veri-Atlantike.

Ai kujtoi se në shtëpinë ligjvënëse të vendit, në dhjetor të vitit 1993 përbërja e parë parlamentare në Maqedoninë e pavarur, sovrane dhe demokratike mori vendimi strategjik për anëtarësimin e vendit në NATO.

“Që nga vendimi i parë i Kuvendit e deri më sot, shumica e qytetarëve kanë mbështetur integrimin tonë në NATO. Prandaj, detyrimi dhe përgjegjësia e gjeneratës sonë të politikanëve për përfundimin e këtij procesi ka një rëndësi të pamohueshme historike”, deklaroi Pendarovski.

Pendarovski shtoi se duke u bërë zyrtarisht anëtarja e 30-të e NATO-s, përgjegjësia e Maqedonisë së Veriut rritet dhe reformat nuk ndalen.

Sipas tij, anëtarësimi në NATO nuk do të ishte i mundur pa ndryshimet e thella politike të cilat ndodhën në vend gjatë viteve të kaluara, pasi siç tha ai, politika e re me fqinjët dhe angazhimi i vendosur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë janë themeli i suksesit në arritjen e qëllimeve strategjike.

“Tani mbetet që të gjithë ne, qytetarët e vendit anëtarë të tridhjetë të Aleancës, punën e investuar në dekadat e kaluara ta ushtrojmë, të dëshmojmë se jemi të denjë për këtë sukses dhe t’i tregojmë botës se kur besohet në të njëjtat vlera nuk ka dallime midis vendeve të vogla dhe të mëdha”, theksoi Pendarovski.

– Spasovski: Nuk ishte e lehtë të kalohet në procesin e ndryshimit të emrit të shtetit

Kryeminsitri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, në fjalimin e tij tha se sot është një ditë historike, sepse Maqedonia e Veriut “po bëhet pjesë e mburojës së sigurisë së aleancës më të rëndësishme ushtarake në botë”.

Sipas tij, deputetët në këtë parlament morën vendime të vështira.

“Nuk ishte e lehtë të kalohet në procesin e ndryshimit të emrit të shtetit dhe t’i ruajmë çështjet tona të identitetit. Me marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, ne hapën faqet e miqësisë, thyem pengesën dhe ndërtuam miqësi midis popujve. Greqia ishte vendi i parë anëtar i NATO-s që ratifikoi marrëveshjen për anëtarësimin tonë në NATO”, tha Spasovski.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se rruga e vendit të tij drejt NATO-s, duke e parë përmes prizmit të tre dekadave të kaluara, nuk ishte aspak e lehtë dhe ishte e ndërthurur me shumë momente të trazuara.

Xhaferi përgëzoi anëtarësimin e afërt të vendit të tij në NATO, duke theksuar angazhimin që qeveritë, parlamentet dhe po ashtu edhe qytetarët kanë bërë ndër vite me mbështetjen e tyre të vazhdueshme për anëtarësim në NATO.

“Pavarësisht dështimit tonë për ta arritur këtë në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, me ftesën e kushtëzuar për t’u bashkuar me Aleancën, edhe pse të zhgënjyer ne nuk ishim në dilemë për të ndjekur qëllimin tonë strategjik. Përkundrazi, parlamenti, qeveria, Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha institucionet shtetërore vazhduan me shumë entuziazëm të përkushtuar për të punuar në axhendën e reformës së vendosur nga NATO”, deklaroi Xhaferi.

– Mesterhazy: Mesazhi i Maqedonisë së Veriut do të dërgojë një mesazh të rëndësishëm në rajon

Ushtrues i detyrës president i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Atilla Mesterhazy, në seancën solemne deklaroi se aleanca e NATO-s u shërben qytetarëve. Ai theksoi se ky vend e fitoi me përkushtim dhe angazhim aktiv arritjen e sigurisë euro-atlanetike dhe se Maqedonia e Veriut është e gatshme të pranojë detyrimet e NATO-s.

“29 miqtë dhe bashkëpunëtorët tuaj do t’u përgjigjen kërkesave tuaja, pa marrë parasysh çfarë kërkohet. Kjo lidhje dhe kjo aleancë që ju i afroheni është unike. Ajo nuk është vetëm një organizatë ushtarake-politike, por është edhe një aleancë e demokracisë, e cila i shërben mirëqenies së qytetarëve dhe sigurisë”, tha Mesterhazy, duke shtuar se mesazhi i Maqedonisë së Veriut do të dërgojë edhe një mesazh shumë të rëndësishëm në rajon.

Në seancën e sotme solemne fjalim mbajtën edhe koordinatorët e partive politike dhe deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Pas ceremonisë, në kuadër të seancës solemne, kreu i Zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Shkup, Zoran Jankoviq, ia dorëzoi flamurin e NATO-s kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, i cili më pas bashkoi flamurin e NATO-s me atë maqedonas para godinës së Kuvendit.

Kujtojmë se më 12 korrik të vitit 2018, në Samitin e NATO-s në Bruksel, Maqedonia e Veriut mori thirrjen për t’u bërë anëtare e NATO-s. protokolli i pranimit të Maqedonisë së Veriut në NATO u nënshkrua në selinë e NATO-s në Bruksel shkurtin e vitit të kaluar. Që atëherë, procesi i ratifikimit të këtij protokolli filloi në parlamentet e vendeve anëtare të aleancës. Deri më tani, protokolli është ratifikuar nga 28 vende, ndërsa Spanja pasi ka formuar qeverinë ka filluar procesin që nuk do të përfundojë para shpërbërjes së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Zyrtarët e Maqedonisë së Veriut thonë se vendi pritet të bëhet zyrtarisht një vend anëtar i NATO-s gjatë muajit mars të këtij viti.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë miratoi rezolutën për anëtarësim në vitin 1993, në vitin 1995 vendi u përfshi drejt programit Partneritet për paqe, Zyra e NATO-s u hap në vitin 1997 dhe vend kandidatë u bë në vitin 1999.

Më afër anëtarësimit vendi ishte në vitin 2008 në samitin e NATO-s në Bukuresht. Atëherë, aleanca konstatoi se vendi teknikisht është i gatshëm të inkuadrohet, por inkuadrimi u pengua për shkak të vetos greke për kontestin rreth emrit atëkohë të pazgjidhur.

Pas pothuajse tre dekadave kontesti me palën greke u tejkalua duke u hapur edhe dera e NATO-s dhe shumë shpejtë edhe zyrtarisht Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30-të e aleancës më të madhe ushtarake-politike në botë./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here