Reportazh/ Amfiteatri i Durrësit, miti dhe e veçanta e tij ballkanike që fshihet nën rrënoja

0

Amfiteatri i Durrësit, atraksion turistik/Numri i vizitorë sipas drejtorisë monumenteve

I veçantë, me një arkitekturë romake, Amfiteatri i Durrësit është një vlerë  arkitekturore dhe artistike e këtij qyteti. 

Forma e amfiteatrit i ngjan një elipsi, me një lartësi 20 m dhe diametër 136 m, e ndërsa shkallarja për shikuesit mban deri në 18.000 veta, ku në arenë zhvilloheshin luftime të gladiatorëve.

Zbulimi i Amfiteatrit daton që në vitin 1966 nga zbuluesi shkencor Vangjel Toçi dhe pothuajse çdo vit ka qënë në vëmendje të ekspeditave të ndryshme për zbulime të reja.

Amfiteatri i Durrësit konsiderohet si më i rëndësishmi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan pasi është i pari amfiteatër që ka mozaikun mural dhe kapelen në galerinë e saj të parë.

Mozaiku mural është unik në Shqipëri dhe i kompozuar me tesera shumëngjyrëshe.

Për periudhën janar-gusht 2016 numri i vizitorëve ka arritur në 14.896 e ndërsa për periudhën janar-gusht 2017 numri i vizitorëve ka arritur në 16.536.

Kjo do të thotë që interesi i të huajve për të vizituar amfiteatrin vjen gjithnjë në rritje. 

Duke qënë një nga monumentet më të rëndësishme të periudhës antike, na dëshmon rolin e një fuqie ekonomike dhe kulturore në periudhën romake.

Ndonëse si një fuqi ekonomike, ditët e sotme nuk mbetet pas për shkak se luan një rol historik duke krijuar dhe një rritje të ekonomisë që vjen nga turizmi i qytetit të Durrësit.

Në një intevistë për Frekuenca.com me drejtorin e Drejtorisë së Monumenteve Durrës z. Ledion Lako, ai tregon: “Amfiteatri i Durrësit ka mjaft vizitorë kryesisht çekë, polakë, turq, amerikanë etj., duke rritur kështu numrin e vizitorëve për vitin 2017. Ky është një fryt i punës dhe bashkëpunimit të Drejtorisë me Agjensitë e ndryshme të udhëtimeve duke e shtuar në listën e vizitave kulturore vizitën në Amfiteatër. Si Drejtori, po punojmë fort duke e promovuar kulturën arkeologjike të Durrësit për shkak se turizmi arkeologjik është pjesë e turizmit gjithëpërfshirës të qytetit të Durrësit. Po punojmë me një  projekt të quajtur “ Miku i Monumenteve” dhe po ashtu duke forcuar bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës. Të rinjtë durrsakë po njihen më tepër me qytetin e tyre duke bashkëpunuar me drejtorinë arsimore për të kryer vizita të ndryshme dhe po ashtu dhe me drejtoritë arsimore të qyteteve të tjera për kryerjen e eskursioneve në Amfiteatrin e Durrësit. Çdo vizitorë që viziton Amfiteatrin duke prerë një biletë e cila nuk ka një çmim të lartë ka të përfshirë dhe vizitën në Muze. Durrësi është një nga qytetet, ku turizmi arkeologjik luan një peshë të madhe në lidhje me historinë dhe identitetin tonë durrsak.”, përfundon z. Ledion Lako.

Çfarë fsheh Amfiteatri i Durrësit?

Qyteti i rrënojave nën këmbë, ku çdo hap mund të jetë një hap “historik”, na dëshmon kulturën e vjetër të një qyteti që ka qënë pjesë e zhvillimeve në periudhën romake e ndërsa sot mban në brendësi të saj Mozaikun e Bukuroshes së Durrësit, portreti i një gruaje që besohet të jetë Aura shoqëruese e Artemidës me nje dekor të gurëve lumorë shumëngjyrësh.

Por miti që rrethon këtë Mozaik nga qytetarët durrsakë është se femrat durrsake janë shquar për bukuri hyjnore dhe se femrat që e vizitojnë këtë Mozaik duket sikur marrin hije nga bukuria e Aurës.

Sipas stafit që punon në Amfiteatrin e Durrësit ato deklarojnë se çiftet e martuara vijnë për të bërë foto, e ndërsa turistët nga vendet fqinje janë të shumtë sidomos në periudhën e Festave të Nëntorit.

Por nuk mungojnë dhe japonezë, amerikanë dhe anglezë që shfaqin një interes të veçantë për të vizituar mozaikun mural.

Kushdo që vjen mbetet i mrekulluar për pamjet dhe galeritë që të ofron Amfiteatri i cili “frymon” nën gurë historinë shekullore të Durrësit të vjetër.

Amfiteatri është shpallur monument kulturor dhe mbrohet nga shteti.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here