Rinia, faktor ndryshimi, qytetërimi dhe demokratizimi

0

LINDITA NIKOLLA

Fokusimi te sinergjia midis politikave dhe legjislacionit synon që trajtimi i problematikave rinore të mos jetë vetëm një çështje parimesh e vizioni.

Kjo duhet të jetë një çështje praktike, e cila jetësohet nëpërmjet një legjislacioni favorizues, agjencish e institucionesh dinamike dhe krijimi i korsive preferenciale për përfshirjen e rinisë në tregje, institucione, procese dhe vendimmarrje thelbësore për shoqërinë si edhe për vetë rininë.

Shqipëria ka krijuar një përvojë të pasur, madje mund të pohoj një model, për gjithëpërfshirjen në shoqëri të moshave të reja si edhe të grave e vajzave.

24 për qind e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë janë nën moshën 40 vjeç. Ndërkohë që mjaft prej drejtuesve të agjencive dhe institucioneve qendrorë të vendit janë gjithashtu në këtë hark moshor.

36 për qind e deputetëve të Kuvendit, 75 për qind anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe 43 për qind e këshilltarëve bashkiakë janë gra e vajza.

Shoqëria dhe institucionet shqiptare ofrojnë dy modele inspiruese për shmangien e gerondokracisë dhe androkracisë, dy prej barrierave tradicionale që kanë privuar apo sfiduar pjesëmarrjen shoqërore të dy grupeve më dinamikë të shoqërisë, rinisë dhe grave. Suksesi nuk qëndron vetëm te shifrat, por edhe te cilësia e vajzave, djemve dhe grave të Shqipërisë, të cilat i shërbejnë vendit me potenciale dijesh, profesionesh, kompetencash, përvojash dhe veprimtarie e karriere, të cilat përbëjnë një referencë dhe pasuri jo vetëm për institucionet politike, por për të gjithë shoqërinë.

Përfshirja e lartë rinore është një instrument që i kontribuon demokracisë, kohezionit social dhe paqes.

Kjo përfshirje është një tjetër sukses i përpjekjeve tona të përbashkëta për rritjen e përfshirjes së rinisë, jo si një qëllim në vetvete, por si një faktor qytetërues e demokratizues i shoqërisë.

Shkollimi, edukimi, aftësimi dhe përfshirja e rinisë në zhvillimet shoqërore, sidomos në ato teknologjike, janë një rrugë efikase që do të na ndihmojë të gjithëve për të përballuar sfidat e zhvillimeve teknologjike dhe përdorimin e tyre prej armiqve të paqes, zhvillimit e mirëqenies. Një rini e ditur dhe e miraftësuar, është një sfidë ndaj terroristëve, sidomos ndaj terrorizmit kibernetik. Shqipëria do të vazhdojë t’u kundërqëndrojë terroristëve dhe nxitësve të tyre, madje edhe formave më të fundit të sulmeve kibernetike, jo vetëm me masa mbrojtëse teknologjike, por edhe me dijet, aftësitë dhe shprehitë e vajzave dhe djemve të saj, që kontribuojnë për zhvillimin, mirëqenien dhe paqen.

* Fjala në Konferencën Parlamentare Ndërkombëtare: “Legjislacioni dhe politikat për rininë evropiane”

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here