Rruga në Peshkopi me emrin e Dëshmorit të Policisë, Artan Cuku

0

Një rruge në pedonalen e qytetit të Peshkopisë, iu vendos sot emri i Dëshmorit të Policisë, Artan Cuku.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano në fjalën e tij në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, u shpreh se, “që në ditën e parë të detyrës sime si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, jam marrë së pari me familjet e Dëshmorëve të Policisë dhe kam iniciuar që në të 12-ta qarqet, rrugë, kopshte apo shkolla të kenë edhe emrat e Dëshmorëve të Policisë”.

“Sot jam i emocionuar, jo vetëm për aktivitetin që po zhvillojmë këtu, por pasi po shikoj që kjo iniciativë po përkrahet gjerësisht nga pushteti vendor në shumë qarqe. Kjo tregon se ka një rizgjim të kujtesës qytetare, një ridimensionim të vlerave shoqërore e njerëzore, por mbi të gjitha ka një ndërgjegjësim nga mbarë shoqëria, për të përkrahur dhe ndihmuar Policinë e Shtetit, në misionin e saj fisnik”, tha Nano.

“Një shembull i gjallë është edhe ky akt qytetarie i bashkisë Dibër, për të vlerësuar ata që gjatë karrierës së tyre në Policinë e Shtetit, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër krimit e përballjen me kriminelët, duke sakrifikuar gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre”, u shpreh ai.

“Miku, shoku e kolegu ynë Artan Cuku u vra për shkak të detyrës, pavarësisht se nuk ishte më në radhët e Policisë së Shtetit, por për shkak të detyrave që ai kishte kryer, krimi gjeti momentin për t’i marrë jetën. Ngjarje tronditëse për të gjithë shoqërinë, shumë e dhimbshme për familjarët dhe shumë e trishtë për Policinë e Shtetit”, tha Nano.

“Jo rastësisht sot e kujtojmë Artan Cukun, në ditën e tij të lindjes, për ta kujtuar për gjithçka që bëri në luftën kundër krimit, për ta kujtuar atë siç ishte gjithmonë, energjik dhe i qeshur”, theksoi ai.

“Gjesti i sotëm jo vetëm që e lartëson akoma më shumë veprën e Dëshmorëve të Policisë, por është edhe një mesazh mbështetjeje e inkurajimi për organizatën e Policisë. Policia nuk është e vetme dhe nuk do jetë asnjëherë e vetme, Policia është e qytetarëve dhe është për qytetarët, misioni ynë është i shenjtë, mision që prodhon rend e siguri duke sakrifikuar jetën tonë për të mbrojtur jetën dhe jam i bindur në këtë që them, na besoni, na mbështesni, na kritikoni aty ku gabojmë apo se kryejmë detyrën siç duhet, por asnjëherë mos e veçoni, mos e etiketoni si palë apo ta radhisni në ndodhitë e kohës. Jam shumë i vendosur që organizata që unë drejtoj të jetë palë vetëm me ligjin dhe krah për krah qytetarëve”, theksoi Nano.

“Faleminderit i nderuar kryetar, faleminderit Këshillit Bashkiak që mbështetët iniciativën tonë dhe sollët këtë vendimmarrje, duke nderuar heronjtë e Policisë dhe duke lehtësuar sadopak dhimbjen dhe mungesën e familjarëve të tyre. Tashmë Dëshmorët e Policisë nuk do jenë më të gdhendur vetëm në piedestalin e kombit dhe në memorien e historisë dhe të kujtohen vetëm në ditë të shënuara, por vepra dhe emri i tyre do jetë përditë në sytë e qytetarëve në mbarë vendin”, shtoi Nano.

Nanoi siguroi edhe një herë qytetarët se, “Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për t’u ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor dhe e vendosur për të krijuar një ambient social sa më të sigurt dhe duke bashkëpunuar me pushtetin vendor, organizatat joqeveritare, agjencitë ligjzbatuese, por mbi të gjitha me qytetarët, sepse ata janë aleati ynë më strategjik”.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here