Rusia thirrje Ukrainës që të tërheqë armët e rënda nga termocentrali bërthamor Zaporizhzhia

0

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri thirrje Ukrainës që të tërheqë armët e rënda nga termocentrali bërthamor Zaporizhzhia.

Gjatë një konference shtypi në Moskë, Peskov i kërkoi gjithashtu Kievit të ndalojë bombardimin e termocentralit, duke theksuar se kjo mund të shkaktojë “kërcënime bërthamore, mjedisore dhe të sigurisë në territore të mëdha”.

I pyetur për krijimin e një zone të sigurt rreth uzinës, Peskov tha: “Së pari, ata i kërkuan Rusisë të tërhiqte disa armë të rënda nga atje, të cilat nuk i kishte, pastaj të gjithë dukej se e kuptuan se nuk kishte armë ruse atje. Tani na duhen të flasim për zonën e sigurisë me ata që po bombardojnë këtë pikë…artileria e Forcave të Armatosura të Ukrainës”.

“Kjo është ajo që ne duhet të kërkojmë nga Ukraina – të tërheqë armët e rënda, të ndalojë granatimet, të ndalojë rrezikimin e kontinentit evropian”, shtoi ai.

Peskov tha se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) nuk ka autoritet të emërojë ata që granatojnë termocentralin bërthamor.

“IAEA po bën punën e saj. Mirë është që IAEA konfirmon se këto sulme përbëjnë kërcënim për centralin dhe integritetin e tij. Natyrisht, na vjen keq që për shkak të specifikave të punës në IAEA, siç thonë ata, nuk janë të autorizuar të thotë se kush saktësisht po gjuan. Rusia do të vazhdojë dialogun me IAEA-n”, tha ai.

Centrali në Ukrainën juglindore ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi, në fillim të “operacionit ushtarak special” të Rusisë në Ukrainë.

Që atëherë, shqetësimet janë rritur për një fatkeqësi të mundshme bërthamore midis Moskës dhe Kievit, ku të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për sulme në objektin bërthamor.

Termocentrali bërthamor Zaporizhzhia, një nga 10 më të mëdhenjtë në botë, prodhonte 20 për qind të energjisë elektrike të Ukrainës përpara fillimit të luftës midis Moskës dhe Kievit në shkurt./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here