Salla e re moderne e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë inaugurohet me kolosët botërorë Placido Domingo dhe Ermonela Jaho! Rama poston videon: Po pres me padurim

0

TIRANË- Pas më shumë se katër vitesh rikonstruktim, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të hapë dyert për të gjithë artdashësit në një mbrëmje gala që do të organizohet me 15 shtator. Në inaugurimin e teatrit do të ngjiten në skenë kolosët botërore Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Ndërkohë, orkestra do të drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre.

I entuziazmuar për hapjen e teatrit, kryeministri Edi Rama përmes një postimi bën me dije se shfaqja do të mbahet në orën 19:00, teksa thekson se mezi po pret që të ngrihet perdja e skenës ku do të ngjiten dy yjet që kapën majat e botës, duke iu referuar kështu Jahos dhe Domingos.

“Mirëmëngjesi dhe me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan Rama.

Rikonstruktimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit ka nisur në janar të 2017 për t’iu nënshtruar kushteve më bashkëkohore dhe moderne. Në një intervistë për ‘Report Tv’, ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka thënë se skena e teatrit është rikonceptuar me dy ballkonata, ndërsa është siguruar akustika maksimale. Projekti fillestar i rikonstruksionit është 1.2 miliardë lekë, por për arritjen e standardeve bashkëkohore është përdorur edhe buxhet shtesë.

SI.E./Shqiptarja.com

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here