Sami Frashëri, gurthemeli i gjuhës moderne shqiptare dhe turke

0
11

Sami Frashëri (Şemsettin Sami) ideologu i lëvizjes kombëtare shqiptare dhe gazetar, leksikograf, gramatikan dhe autor i romaneve në turqisht

Sami Frashëri (1850-1904), si njëri ndër tre vëllezërit e njohur Frashëri, megjithëse lindi në një familje shqiptare, pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në qendrën kryesore të Shtetit Osman, në Stamboll. Si një personalitet që la gjurmë të thella si në gjuhë-letërsinë turke, ashtu dhe në atë shqiptare, është studiuar dhe trajtuar në qindra mijëra vepra si nga studiuesit shqiptarë, ashtu edhe studiuesit turq, madje edhe nga studiues perëndimore dhe lindorë. Ndërsa studiuesit turq kanë theksuar dhe nxjerrë në plan të parë veprat e tij në fushën e leksikografisë, enciklopedisë dhe gramatikës e letërsisë, studiuesit shqiptarë e kanë konsideruar me të drejtë si një ndër ideologët më të shquar të lëvizjes sonë kombëtare. Si rrjedhojë mund të themi se Sami Frashëri është një figurë dhe personalitet shumëdimensional që dha kontribut të pavdekshëm për të dy popujt dhe kulturat në fjalë, por edhe që diti të ekuilibrojë mjaft mirë dashurinë dhe respektin, e po ashtu edhe mirënjohjen e thellë për të dy shtetet që iu përkiste. Nuk mund të mendojmë assesi që një turkolog ose një albanolog nuk do e njihte shumë mirë këtë gjeni letrar që thuajse përpiloi dhe la për brezat e ardhshëm metodologjinë dhe veprat më themelore për këta dy shkenca gjithëpërfshirëse.

Ajo që na vjen në mendje së pari kur flasim për një karakter të tillë letrar që vlerësoi çdo moment të jetës së tij për të lënë gjurmë sa më të thella pas, është fakti se kemi të bëjmë me një autor që ka pasur një jetë sistematike dhe të disiplinuar, i cili ka vijuar punën e tij në një linjë dhe drejtim të caktuar pa u lëkundur aspak. Por jo, në rastin e Sami Frashërit situata ndryshon. Şemsettin Sami, me emrin që njihej në Stamboll asokohe, teksa ishte një punonjës shteti në nivel të lartë në Shtetin Osman, nga ana tjetër ishte kreu i bashkësisë së jashtëligjshme që po përpilonte shkronjat e gjuhës shqipe, ishte ai që hodhi themelin e nacionalizmit shqiptar e po ashtu autori i disa veprave në këtë fushë. Po ashtu është edhe autori i fjalorit në të cilin gjuha turke trajtohet dhe shpjegohet më së miri. Duke u nisur nga këta fakte figura e Sami Frashërit nuk mund të pasqyrohet thjesht si një dashamirës i gjuhë-letërsisë shqiptare dhe turke, por duhet të analizohet me detaje në çdo aspekt çdo veprimtari e tij, duke pasur parasysh kushtet dhe rrethanat sociale, politike dhe kulturore si të kryeqendrës së Shtetit Osman, Kostandinopojës, po ashtu edhe të trevave shqiptare si atdheu mëmë i tij.

Jeta dhe vepra e Sami Frashërit

Sami Frashëri lindi në fshatin Frashër që ishte qendër e provincës së Përmetit të lidhur me sanxhakun e Gjirokastrës dhe po ashtu me vilajetin e Janinës. I ati, Halit Beu, ishte zotërues timari, ndërsa e ëma, Zonja Emine, ishte nga fisi i Imrahor Iljas Beut, një ndër burrat e shtetit të njohur në periudhën e Bajezitit II. Halit Beu dhe Zonja Emine u martuan në vitin 1835 dhe nga kjo martesë lindën tetë fëmijë, konkretisht me emrat Abdyl, Nefise, Sherif, Naim, Shahinisa, Sami, Tahsin dhe Mehmet. Ndërkohë Samiu i humbi të dy prindërit kur ishte në moshë të vogël, babai ndërroi jetë në vitin 1859, ndërsa nëna e tij në moshën 1861. Samiu mësimet e para i mori në fshatin ku lindi nga Mehmet Efendiu prej Tepelene dhe mësoi arabisht dhe persisht. Ndërkohë meqenëse sipas traditave shqiptare në rastin kur ndërronin jetë të dy prindërit, ishin fëmijët më të rritur ata që merrnin përsipër përkujdesjen për më të vegjlit, edhe Abdyli, si më i madhi mes tyre, e transferoi familjen e tij në Janinë, duke menduar se jetesa atje do të kishte më shumë perspektivë për vëllezërit dhe motrat e tij. Pikërisht këtu nisi dhe etapa e dytë e arsimit të Samiut dhe u regjistrua në Shkollën Greke Zossimea (1861), bashkë me vëllain e tij, Naimin. Gjimnazin e asokohe, i cili zgjaste për tetë vite, e përfundoi për shtatë vjet dhe gjatë kësaj kohe mësoi mjaft mirë greqishten e re dhe të vjetër, frengjishten, italishten, e po ashtu edhe gjeografinë, historinë, matematikën, astronominë dhe urtësinë. Sami Frashëri, i cili ishte formuar si me kulturën e Lindjes, ashtu edhe të Perëndimit, tre vite pas përfundimit të gjimnazit arriti në Stamboll (1870), në qytetin tek i cili për një periudhë 34 vjeçare do të arrinte të ishte autori i më shumë se 60 veprave. Së pari nisi punë në stafin e Drejtorisë e Përgjithshme të Shtypit dhe Transmetimit, më pas përktheu nga frengjishtja në osmanisht veprën me titull Historia e Shkurtër e Francës, e në vijim përgatiti veprën me titull Taash-shuk-i Talat ue Fitnat, vepër kjo që njihet si romani i parë në turqisht. Përgatiti po ashtu edhe pjesën teatrale me titull Sührab, pjesë kjo e bazuar në veprën Şahname të Firdeusit nga Irani. Për pak kohë punoi si autor dhe përkthyes në revistën Hadika (Kopështi) dhe Sirac (Llampë), mirëpo pas përfundimit të aktivitetit të tyre vijoi përkthimet nga frengjishtja me dramën Tetari plak dhe tregimin e njohur Galettee. Në vitin 1874 realizoi pjesën teatrale me titull Besa ose Ahde-i Vefa dhe kjo pjesë nisi të shfaqet në skenë në të njëjtin vit në Teatrin Gedikpaşa, po në të njëjtin vit edhe u botua. Pas kësaj shkruan një tjetër vepër teatrale me titullin Seydi Yahya dhe brenda të njëjtit vit ngarkohet me detyrë si kryeshkrimtari i gazetës Trablusgarp dhe si rrjedhojë shkon në Tripol dhe qëndron për një vit aty, ku sipas shprehjes së tij, gjatë kësaj kohe “sheh një cep të Europës”. Në vitin 1876 nisi publikimin e revistës Muharrir, më pas publikon numrin e parë të gazetës Sabah (Mëngjesi), duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm në fushën e publicistikës dhe punon me këtë gazetë deri në numrin 256 të saj. Punimet e pareshtura të Samiut vazhdojnë me dy pjesë të tjera teatrale, Gâve dhe Mezalim-i Endelus (Mizoritë e Andauzisë). Në shkurt 1877 ngarkohet me detyrë si vulëmbajtës i Sava Pashait që u emërua në Prefekturën Xhezajir Bahri Sefid dhe qëndroi për pesë muaj në Rodos. Më pas kaloi në Janinë dhe në një kohë kur kishte filluar lufta ruso-osmane vazhdoi detyrën si kryesekretari i Komisionit Ushtarak nën drejtimin e Abidin Pashait për disa muaj me radhë dhe brenda të njëjtit vit kthehet në Stamboll. Në vitin 1878 nis të shkruajë për gazetën Tercüman-i Şark (Zëdhënësi i Lindjes) ku edhe shkruan disa artikuj në lidhje me Shqipërinë si një ndër temat e rëndësishme në rendin e ditës. Pasi kjo gazetë përfundon aktivitetin e saj, shkruan disa vepra në kategorinë e Biblioteka e Librave të Xhepit, ashtu si Medeniyet-i İslamiye (Qytetërimi islam), Esatir (Tregime), Kadınlar (Gratë), Gök (Qielli), Yer (Toka), İnsan (Njeriu), Yine İnsan (Përsëri njeriu), Emsal (I ngjashmi), Letaif (Hoka), Usul-i Tenkit ve Tertib (Metoda e kritikës dhe rendimit), Lisan (Gjuha) dhe po ashtu veprat Şeytanın Yadigârları (Reliktet e djallit) dhe Sefiller (Të mjerët), të cilat i përktheu nga frengjishtja. Ndërsa në vitin 1879 formohet në Stamboll Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip dhe Sami Frashëri bëhet anëtar i kësaj shoqërie. Ndërkohë përgatit veprat Arnavutça Alfabesi (Alfabeti i Gjuhës Shqipe- 78 f.) dhe Arnavutça Dilbilgisi (Shkronjëtore e Gjuhës Shqipe-120 f.). Ndërsa në vitin 1888 do të botohet në Bukuresht vepra tjetër e tij në këtë fushë, Dheshkronja (Dil coğrafyası-158 f.) Së fundmi, në vitin 1899, po në Bukuresht u botua vepra me titullin Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet (Arnavutluk ne idi, nasıl ve ne olacak), por pa emër, megjithëse shumë shpejt u zbulua se autori i saj ishte pikërisht Sami Frashëri. Pikërisht kjo vepër më pas do të jetë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare.

Në vitin 1880, me kërkesën e Abdulhamitit II, u emërua si sekretar në njërën prej nëpunësive të Komisionit të Inspektimit Ushtarak, komision ky i formuar nga njëra prej zyrave më të rëndësishme të shtetit asokohe: Mâbeyn-i Hümayûn. Në vitin 1892 emërohet si kryesekretar në këtë zyrë dhe e vazhdon këtë detyrë deri në vdekje. Gjatë kryerjes së kësaj detyre të gjithë vëmendjen ia kushton kulturës, gjuhës, letërsisë dhe leksikografisë turke dhe realizon shkrimin e disa veprave të rëndësishme ashtu si Kâmus-ı Fransevi (Fjalor Frengjisht-Turqisht – me afër 50 mijë fjalë), Kâmûsü’l-a’lâm (Enciklopedia turke e historisë dhe e gjeografisë, 6 vëllime, 4830 faqe), Kâmûs-ı Arabî (Fjalori etimologjik i arabishtes), Kâmus-ı Türkî (Fjalori etimologjik i turqishtes – 1575 faqe, afërsisht 45 mijë fjalë). Duke nisur nga kjo veprimtari e pasur në atë periudhë u përgëzua edhe nga padishahu i kohës, Abdulhamiti II, një padishah që i kushtonte rëndësi të veçantë veprimtarisë leksikografike dhe publicistike në atë kohë. Si përfundim mund të themi se Sami Frashëri, jetën e tij 54 vjeçare e vlerësoi duke shkruar vepra të paçmuara për të dy popujt, vepra të cilat në ditët e sotme luajnë rolin e një ure midis dy shoqërive dhe që meritojnë të jenë baza themelore e shkencave sociale me qasjet e tyre origjinale dhe me pikëpamjen e pasur.

Pergatiti: FREKUENCA.NET

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here