“Sfida e radhës, të bashkoj lojtarët e Liverpoolit dhe Tottenhamit pas finales”

0
5

Trajneri i kombëtares së Anglisë në futboll, Gareth Southgate, deklaroi se do të jetë një sfidë e vërtetë, bashkimi i lojtarëve të Liverpoolit me ata të Tottenhamit pas ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve.

Më konkretisht, Anglinë e presin ndeshje në kuadër të finales së Ligës së Kombeve që do të zhvillohen në datat 5 deri më 9 qershor, ku marrin pjesë edhe Portugalia, Holanda dhe Zvicra. Vetëm katër ditë para kësaj, në finalen e Ligës së Kampionëve në Madrid, për herë të parë në historinë e kësaj gare, do të luajnë dy klube angleze. Në listën e Southgate me emrat e 27 lojtarëve të kombëtares, ndodhen nëntë lojtarë të Liverpoolit dhe Tottenhamit.

“Do të duhet në këto pak ditë, të bëjmë një vlerësim të shpejtë, por edhe të saktë të gjendjes. Është shumë personale, sidomos kur luan në një lojë kaq të madhe”, tha Southgate.

Ai shtoi se: “Për herë të parë do të kemi këtë përvojë të tillë. Vitin e kaluar kishim në kampin tonë Trent, Alexander-Arnoldin dhe Jordan Hendersonin, të cilët ishin tejet të zhgënjyer me humbjen në finale nga Reali. Fatkeqësisht, dikush do të vijë sërish me këtë gjendje shpirtërore. Kjo do të jetë një provë e aftësive tona menaxheriale. Është sfida më e madhe për të gjithë ne, të garojmë kundër njëri-tjetrit dhe pastaj të kujtojmë se jemi një ekip me Anglinë”.

Anglia fillimisht më 6 qershor do të luaj kundër Holandës në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. Në gjysmëfinalen tjetër një ditë më parë, në Porto do të përballen Portugalia dhe Zvicra.

Finalja është planifikuar për 9 qershor në Porto me fillim në ora 20:00, ndërsa të njëjtën ditë në ora 15:00 në Guimaraes do të luhet dueli për vendin e tretë./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here