SHBA emëron Grenell për zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi

0
4

Udhëheqësit e institucioneve të larta në Kosovë e kanë mirëpritur emërimin nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të ambasadorit të tyre në Gjermani, Richard Grenell, si të Dërguar të Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi.

Në një reagim sot në rrjetet sociale, presidenti Thaçi tha se “ky emërim është një tjetër dëshmi që presidenti Trump, administrata amerikane, tërë shteti amerikan, qëndrojnë pranë nesh në çdo hap të rëndësishëm”.

“Tash jemi edhe më konfident në procesin e dialogut dhe në mundësinë që të arrijmë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, dhe kështu ta përmbyllim konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë”, shkroi Thaçi.

Ai e konsideroi lajm të mirë për rajonin si dhe “për të gjithë ata që angazhohen për paqe të qëndrueshme, për zhvillim, për jetë më të mirë për të gjitha shtetet në Evropën Juglindore”.

Ndërkohë lajmin e emërimit të Grenell si të dërguar të posaçëm e ka mirëpritur edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Mirëpres emërimin nga presidenti Trump të Ambasadorit aktual të SHBA-ve në Gjermani z.Richard Grenell, si i Dërguar i Posaçëm për Dialogun Kosovë – Serbi. Do të punojmë dhe angazhohemi bashkarisht rreth dialogut pa kushte, për arritjen e njohjes reciproke në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Presidenti amerikan Trump njoftoi të enjten se do ta emërojë ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Richard A. Grenell është ambasador i SHBA-ve në Gjermani që nga maji i vitit të kaluar. Grenell, ekspert i politikës së jashtme, është themelues i firmës “Capitol Media Partners” në vitin 2010, që ofron konsulencë për çështje të jashtme.

Ambasadori Grenell, ka qenë zëdhënës i ambasadës së SHBA-ve në OKB për shtatë vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdo ambasador tjetër, duke shërbyer për katër ambasadorë të ndryshëm.

Megjithëse dialogu Kosovë – Serbi ndodhet në fazën finale të saj, takimi i fundit i dy shteteve dhe ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian (BE), ka ndodhur në verë të vitit 2018. Ndërsa që atëherë është bllokuar, me vënien e taksës 100 për qind nga Kosova për produktet e Serbisë që hynë në territorin e Kosovës me arsyetimin se Serbia po lobon për çnjohjet e shtetit të Kosovës./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here