SHBA-ja në ditën e tetë të protestave për vdekjen e George Floyd

0
6

Në kryeqytetin Uashington të SHBA-së, Parku “Lafayette” u bë skenë e një tubimi për të protestuar vdekjen e Floyd dhe dhunën e policisë, gjatë së cilit protestuesit brohoritën “Jetët e zeza vlejnë”, “S’ka paqe pa drejtësi” dhe “Nuk po marr dot frymë”.

Tensionet u përshkallëzuan kur policia e mbështetur nga Garda Kombëtare përdori gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese për të shpërndarë protestuesit përpara një konference shtypi të Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Protestat u zhvilluan në të gjithë vendin, nga Siatëlli në Uashington e shtetin e Nju-Jorkut.

Ndalimqarkullimi është shtrirë në qytete të mëdha duke përfshirë Mineapolisin, Nju-Jorkun dhe kryeqytetin amerikan.

Në fjalën e tij të Shtëpisë së Bardhë, Trump kërcënoi se do të vendosë ushtrinë, përveç nëse guvernatorët e shteteve arrijnë të ndalin protestat e dhunshme.

Trump e përshkroi plaçkitjen dhe vandalizmin gjatë protestave si “terror të brendshëm” tha se ai po rekomandon që guvernatorët të vendosin Gardën Kombëtare në numër të mjaftueshëm për të “dominuar situatën në rrugë”.

“Ndërkohë që po flasim, unë po dërgoj mijëra e mijëra ushtarë të armatosur rëndë, personel ushtarak dhe zyrtarë të zbatimit të ligjit për të ndaluar trazirat, plaçkitjet, vandalizmat, sulmet dhe shkatërrimin e pasurisë”, u tha ai gazetarëve.

Në një konferencë përmes telefonit, presidenti amerikan i ka cilësuar guvernatorët e SHBA-së si “të dobët” dhe u ka bërë thirrje që të autorizojnë veprime më të ashpra për të ndalur protestat që vazhdojnë të përhapen, përndryshe janë duke e humbur kohën kot.

Ai përdori një gjuhë më të ashpër ndaj protestuesve.

Lideri amerikan tha se ajo që ndodhi një ditë më parë në Uashington ishte një “turp” dhe paralajmëroi se masat e ndalimqarkullimit do të zbatohen në mënyrë të rreptë.

“Kushdo që shkel rregullat do të arrestohet, ndalohet dhe ndiqet penalisht në masën më të plotë të ligjit. Organizatorët e «terrorit» do të përballen me ndëshkime të rënda penale dhe dënime të gjata në burg. Po dërgoj mijëra ushtarë për të ndaluar trazirat, plaçkitjet, vandalizmat, sulmet dhe shkatërrimin e padobishëm të pasurisë”, u shpreh Trump.

Ndërkaq, në zonën periferike Cicero të Çikagos, të paktën 2 persona kanë humbur jetën për shkak të protestave ndaj vdekjes së afroamerikanit Floyd nga dhuna e policisë.

Lajmin e konfirmoi zëdhënës i administratës lokale të Çikagos, Ray Hanania.

Ai gjithashtu bëri të ditur se në qytet janë arrestuar 60 persona.

Mediat amerikane flasin për të paktën 5.600 të arrestuar gjatë protestave në shkallë vendi.

Për shkak të protestave të dhunshme që kanë shpërthyer në mbarë SHBA-në pas vdekjes së Floyd, të gjitha zyrat e FBI-së të shpërndara në çdo shtet amerikan janë në gjendje gatishmërie dhe po monitorojnë çdo lëvizje gjatë protestave, ka bërë të ditur juristi William Barr, një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë.

Ai ka urdhëruar një ekip që merret ekskluzivisht me krizën e pengmarrjeve pranë FBI-së, të ndihmojë policinë lokale në protestat që po mbahen në Uashington.

Barr gjithashtu ka dërguar ekipe që merren me rebelime nëpër burgje, duke operuar nëpër Uashington dhe Majami.

Dhuna në protestat që kanë pushtuar qytetet kryesore amerikane për vrasjen e afroamerikanit Floyd, po përshkallëzohet edhe në ditën e tetë.

Në incidentin më të fundit raportohet se 4 oficerë policie janë qëlluar me armë zjarri gjatë një proteste në qytetin Shën-Luiz të shtetit Mizuri.

Sipas departamentit të policisë së këtij qyteti, 4 oficerët e plagosur janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ende nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarjeje, por policia ka nisur një hetim për gjetjen e autorëve.

Nga ana tjetër, avokati Ben Kramp i familjes së George Floyd ka bërë të ditur se varrimi i të ndjerit pritet të bëhet më 9 qershor. Ceremonia mortore do të mbahet në orën 11 të mëngjesit në Hjuston të Teksasit, kurse të gjithë ata që duan t’i japin lamtumirën e fundit, mund të bëjnë homazhe në ceremoninë që do të organizohet një ditë më herët.

Vdekja e afroamerikanit Goerge Floyd ka shkaktuar një zemërim mbarëkombëtar në SHBA për dhunën e ushtruar nga policia. Floyd, 46 vjeç dhe i paarmatosur, humbi jetën më 25 maj nga dhuna policore gjatë arrestimit në Minneapolis pasi kishte përdorur një kartëmonedhe false prej 20 dollarësh në një dyqan.

Ai vdiq menjëherë pasi u dërgua në një spital.

Fjalët e tij të fundit ishin “unë nuk po marr dot frymë”, të cilat u bënë slogani i protestave mbarëkombëtare në SHBA.

Autopsia private për vdekjen e tij tregoi se Floyd kishte humbur jetën nga “asfiksia si pasojë e presionit të qëndrueshëm”.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here