Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kinës dhe Rusisë që të ndërmarrin “aksione direkte” kundër Koresë Veriore, pasi ajo sot ka hedhur raketën e dytë balistike mbi Japoninë.
“Kina e furnizon Korenë Veriore me pjesën më të madhe të naftës së nevojshme”, tha sekretari amerikan i Shtetit , Rex Tillerson, dhe ka shtuar se “Rusia është punëdhënësi më i madh i forcës punëtore koreanoveriore”.
“Kina dhe Rusia duhet ta theksojnë jotolerancën e tyre për këto lëshime raketore të pamatura, duke ndërmarrë aksione direkte”, tha Tillerson.
Kjo deklaratë e zotit Tillerson u bë kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të debatojë për raketen e fundit, për të cilën zyrtarët amerikanë dhe jugkoreanë thanë se ka fluturuar aq gjatë sa mund ta arrijë territorin e Guamit në Paqësor të Shteteve të Bashkuara.