SHBA, projektligji për sanksionet ndaj Rrjedhës Veriore 2 nuk kalon në Senat

0

Projekt-ligji që kishte parashikuar vendosjen e sanksioneve në lidhje me tubacionin kryesor që do të dërgojë gaz natyror nga Rusia në Bashkimin Evropian (BE) nuk u miratua në Senat të enjten.

Votimi i djeshëm 55-43 do të thotë se legjislacioni, i prezantuar nga senatori republikan Ted Cruz, nuk ka arritur të kalojë pengesën kryesore procedurale prej 60 votash në Senatin prej 100 anëtarësh. Votimi mbetet i hapur, por me siguri do të rezultojë i pasuksesshëm.

Projektligji ishte propozuar për të vendosur sanksione ndaj kompanisë që po ndërton aktualisht Rrjedhën Veriore 2.

Duke folur përpara votimit, Cruz e përshkroi legjislacionin e tij si përpjekje për të parandaluar një kërcënim ekzistencial për Ukrainën për të cilën sipas tij paraqet Rrjedha Veriore 2.

“Senati do të vendos për një votim me rëndësi të pallogaritshme për sigurinë tonë kombëtare, për të ardhmen e aleatëve tanë në Evropë dhe për vetë ekzistencën e kombit të Ukrainës”, tha Cruz në senat.

Kritikët e gazsjellësit, duke përfshirë Cruz-in dhe të tjerët, kanë pohuar se ai është një mjet me të cilin presidenti rus, Vladimir Putin, mund të anashkalojë tubacionin ekzistues të gazit që dërgon gazin rus përmes Ukrainës në Evropë dhe në këtë mënyrë të kufizojë pasojat për të nga pushtimi i vendit të Evropës Lindore.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka vendosur tashmë sanksione ndaj të paktën 16 anijeve dhe shtatë individëve në lidhje me tubacionin. Por Cruz ka kërkuar veprime të mëtejshme sipas ligjit ekzistues të SHBA-së që mandaton sanksione ndaj atyre që janë të përfshirë në projekt.

Biden në muajin korrik arriti një marrëveshje me Gjermaninë për tubacionin e diskutueshëm të gazit natyror, për të cilin Berlini ra dakord se do të ndërmarrë masa të gjera për të ulur shqetësimet e SHBA-së në këmbim që SHBA të mos sanksiononte asnjë entitet gjerman.

SHBA edhe gjatë administratës së presidentëve të kaluar ka paralajmëruar se tubacioni është një marrëveshje e keqe për Gjermaninë dhe rrezikon sigurinë energjetike evropiane, si dhe rrezikon që Rusia të ndërpresë furnizimet me gaz që aktualisht kalon përmes Ukrainës.

Sipas paktit, Berlini ra dakord të caktojë një të dërguar të posaçëm për të ndihmuar në zgjatjen e kontratës ekzistuese të gazit që ka me Rusinë “përtej” skadimit të saj aktual në vitin 2024 dhe do të ndërmarrë veprime në nivel kombëtar dhe të BE-së nëse Rusia përpiqet të përdorë burimet e energjisë si një armë kundër Kievit.

Ukraina e ka kritikuar ashpër marrëveshjen si një favor për Rusinë.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here